Monday, April 10, 2017

Sinan Kërpaçi: DREJT PERËNDIMIT


Manekinit i zhvesha fustanin e fundit,
një manekin të zhvleftësuar e lashë në Pekin,
e mbështolla fustanin me vargjet
që sa i shkrova
dhe s`isha më në Kinë…

I kisha hipur një avioni dhe rendja në qiell –
drejt Perëndimit,
drejt Perëndimit nga shfaqej vendi im.
Me një fustan në çantë unë ecja
në rrugët e Pekinit,
po s`isha më në Kinë.

Gruaja e lau e po thahej në diell Shqipërie.
Një manekin e lashë të zhveshur
në lakuriqësinë e tij, pa shije.
Gruaja ime, gruaja ime !
E lau me duar,
me ato duart e saj
dhe e nderi në tela.

Ah, si i frynte, si i frynte era!
E fustani u tha në një diell Shqipërie,
në një diell që rrezet ia çonte aq pranë
derisa erdhi çasti i madh :
pashë Jolën ta vishte,
të dilnim të tre shëtitje në Tiranë.

0 comments:

Post a Comment