Saturday, April 29, 2017

Prend BUZHALA: APOLOGJIA E EGËR E INJORANCËS


(Çaste eseistike, IMAGINARIUM), 27
Duke zbritur në IMAGINARIUM, u vërejt një si hologram (thëniesh urtake e metaforike) i Ajnshtajnit, i cili na ligjëron edhe sot: "Imagjinata është më e rëndësishme se dija, shkenca." Mirëpo, në vazhdim, përpara na shfaqen, si mbamendje nga mesazhet ironike të së kaluarës, dhe disa tekste-përvojash, në reaportet imagjinata-injoranca...
1.
A nuk po ndodhin edhe brenda nesh apologji të egra , ku injoranca shpallet më e mirë se dija?
A nuk po e përjetojmë për çdo ditë, se si po na shtohen turma të egra shqipfolësish (të strehuar nëpër perëndim), të cilëve u kanë mbetur akrepat e orës në të kaluarën si "shpëtimtarë të kombit" dhe të cilët ngrenë Kultin e Anti-intelektualizmit?!
Dhe, thuhet: nëse ka miqësi të vërtetë, atëherë kjo miqësi, a mos varet nga errësira dhe injoranca, dhe a duron injorancën, si do të shprehej Henry David Thoreau?
Fatkeqësisht, ndër ne, DIJA ende shpallet armik (si në regjimet totalitare, ku INJORANCA duhet të udhëheqë me shtetin e jo DIJA), ndërkohë që shoqëritë (post)moderne po ndërtojnë një Epokë të Re postkapitaliste që quhet SHOQËRIA E DIJES, EKONOMIA E DIJES...
 Sa larg jemi ende!
2.
Në romanin e njohur "1984" të Xhorxh Oruellit, personazhet që përfaqësojnë diktaturën, përdorin tri shprehje-moto të veprimit të tyre sundues e politik: “Lufta është paqe”; “Liria është skllavëri”; “Injoranca është forcë”...
Po ashtu, ky roman ka dhe shprehje të tjera të jashtëzakonshme që karakterizojnë mendësinë (dhe veprimin) e diktaturës, si:
"Ai që kontrollon të kaluarën, kontrollon edhe të ardhmen. Ai që kontrollon të tashmen, kontrollon edhe të kaluarën."
Ja një dialog tjetër:
" - Kush je ti që edhe pse e verbër dhe shurdhe, flet me kaq elokuencë..?
- Jam injoranca dhe nuk kam nevojë për të parë e dëgjuar, për të hapur gojën. E ti kush je, që megjithëse ke sy për të parë dhe vesh për të dëgjuar, nuk je oratore si unë e shpesh zhytesh në heshtje?
Dituria nuk ju përgjigj."
(Nga Paola Melone)
3.
Në botën e thënies së urtë:
Nga: Benedict de Spinoza: "Padituria (injoranca) nuk është argument." (Ignorantia non est argumentum)
Nga William G. McAdoo: "Është e pamundur ta rrëzosh një njeri injorant me argument." ("It is impossible to defeat an ignorant man in argument.")
Nga Mark Twain: “Të gjitha që ju nevojiten në këtë jetë, janë injoranca dhe besimi në të tjerët, dhe pastaj suksesi është i sigurt. Të gjitha që ju nevojitet në këtë jetë është injoranca dhe besimi, dhe pastaj suksesi është i sigurt.” (Mark Twain)
Nga Martin Luther King : “Asgjë në të gjithë botën nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.”
Ekziston dhe shprehja ARGUMENTUM AD IGNORANTIAM (Argumenti nga injoranca: mungesë provash për të kundërtën, sipas Aristotelit).
4.
Shpeshherë në biseda e kam përsëritur se DIJA ËSHTË KAPITAL. Është një kapital që nuk mundet askush me ta vjedhë. Prandaj, DIJA nuk matet me NJË DOKUMENT që quhet DIPLOMË FAKULTETI. Në shoqëritë, ku INJORANCA vlerëson sipas një DOKUMENTI, DIJA gjendet në defansivë... por kurdoherë ajo shkëlqen si një diell që lëshon rreze... Për fat, ka mijëra të rinj edhe në Kosovë që i takojnë kësaj epoke, të pakapshme për profesurat tona anakronike...
Dhe shpresa për ta ringjallur dijen.
( 27 prill 2017)

0 comments:

Post a Comment