Saturday, April 22, 2017

Prend BUZHALA: SIMBOLOGJIA E URËS:


REALJA, FANTASTIKA, MITI
(Çaste ri-shkrimi, IMAGINARIUM), 23
Ura, ky simbol i lashtë shqiptar, në këngën e moçme shënjonte kapërcimin e një pengese a vështirësie, vetëm mbas një sakrifice sublime...siç na e këndon këtë edhe Ura jonë e Fshajit.
1.
Simbolika e urës, siç do të thoshte Guénon,është një pontifex romak që ndërlidh dy botë të ndara. Ndërsa te qytetërimi i krishterë, evropian, sugjeron lidhjen në mes Hyjit dhe njeriut. Tek kulturat e ndryshme URA simbolizon ndërlidhjen në mes asaj që njihet e dihet dhe të asaj që na qëndron jashtë botës sonë të perceptimeve. Në ura, mbështetur për parmakë, shohim pamje me të rinj të buzëqeshur, të dashuruar,...
Lexojmë për urat si simbole bashkimi e afrie i DY BOTËVE TË NDARA.
Dhe sa e sa ura pikëllimi shohim nëpër botë…
2.
Ndonjëherë na ndodh të gjendemi përpara një skene tjetër: "mes reales dhe imagjinares"... Kujtesa e trishtë e një tragjedie, ndërthuret me pamje ndodhish të kaluara, në luftën e fundit a në ato për sa e sa shekuj (si tragjeditë tek Ura e Çabesë apo murosja në urë). Mund të na shfaqet një fanitje kujtese: një album i fotografive që këmbehet me fanitjet e imazheve të djegies së një makine, ku digjen njerëz të gjallë. Nëse në simbologjinë letrare dhe në atë onirike, ura shfaqet me pamjet e saj misterioze, e zhytur në errësirën melankolike të kujtesës, gjithsesi që simbolizohet edhe humbja dhe rënia në një situatë të palakmueshme. Në fund, kujtesa shndërrohet në obsesion meditimesh, reflektimesh, kontrastimesh që t'i dhurojnë pamjet e jetës ...
3.
Ismail Kadare, te “Ura me tri harqe”, duke pasur parasysh se balada e murosjes në strukturën e vet përmban konfliktet morale dhe, si e tillë, i ruan lidhjet me realitetin historik, "kufizohet në paraqitjen e objektit të ndërtuar dhe në pasojat thjesht mitologjike” (Dr. Sadri Fetiu), atëherë edhe në këtë roman motivit të njohur popullor shkrimtari i jep edhe dimensionin historik, edhe dimensionin mitologjik, herë-herë, si në prozat tjera, ndërhyjnë fantastikja dhe irealja. Mirëpo, të gjitha këto gërshetime janë në funksion të vlerave estetike të veprës. Duke qenë se miti i flijimit është rrënjosur thellë në qenien e në vetëdijen e banorëve, edhe shkrimtari ndjek këtë logjikë të jetës, prandaj ndërthur një poetikë të ndërliqshme demitizuese përmes personazhit kronikan, murgut Gjon. Ata që pësojnë nga ky demitizim i ngritur përsëri në mitizim, janë vendasit; miti është përdorë, pra, edhe për qëllime pushtimi. Prandaj, varianti i një kënge baladeske, paralajmëron një ngjarje: herën e parë dëmtimin e urës; herën e dytë murosjen e Murrash Zenebishës, i cili bëhet kurban i urës. Gjithçka zhvillohet fshehurazi, natën, në errësirë të plotë, për t'u dhënë ngjarjeve velin mistifikues. Murrashi natën, i paguar nga. "Lundra e trape, dëmton urën, kurse natën e zënë dhe e bëjnë kurban të saj; ai është viktimë e kësaj lufte midis dy palëve... Sikurse në vepra tjera, edhe këtu ndeshemi me psikologji e mentalitete të ndryshme, me interesa të kundërta, mite të ndryshme dhe pamje të ndryshme të të njëjtit mit, përpjekjen e autorit që ta demitizojë pamjen enigmatike të mitit etj. Historia në këtë roman i nënshtrohet përjetimit mitik.
( 22 prill 2017)

0 comments:

Post a Comment