Saturday, April 8, 2017

Prend BUZHALA: IMAGJINATA DHE REALITETI, E SIPËRFAQSHMJA DHE THELLËSIA


(Çaste eseistike: IMAGINARIUM), 8
Arti na shtrëngon ta kundrojmë botën të ndarë në dy pole: në realen dhe në imagjinaren. Vepra artistike ngre një botë imagjinative, duke qenë një "vazhdim" i botës reale. Nëse filozofët e përcaktojnë realitetin si mënyrën themelore të qenies e qeniesimit, si modalitet të qenies së gjërave ekzistuese, ata po ashtu do tël theksojnë se jorealja nuk është kundërvënie a e kundërta e e nocionit realitet; se ekziston realja që ngërthen jorealen...
1.
Këtu zë fill, kjo ngërthesë e reales: jorealja që ngrihet në art, në imagjinatë, në një botë të mëvetësishme artistike. Do të thotë: një botë rrëfimore, një botë të së mundshmes, një kohë e së mundshmes me disa ligje të vetat (Huserl). E. Huserl vë në dukje dhe dy rrjedhat e botës artistike të "postmodernes": njëra rrjedhë është ajo që mund të përkufizohet si E SIPËRFAQSHME, për të na bindur se në art thyhen të gjitha tabutë, se arti nuk njeh rregulla dhe se gjithçka është e mundshme, si dhe rrjedha e dytë, ajo E THELLËSISË, rrjedhë që gjithnjë shtron pyetje për vetë gjërat, dukuritë, dhe ku vibrimet e së mundshmes i fikson brenda vetë këtyre gjërave e dukurive, a fenomeneve (Huserl: "Nicht der Dichter, sondern die Dichtung wird nachverstanden" - "Nuk reflekton poeti, por poezia.") që na vjen si sferë e OBJEKTEVE IDEALE, e shënjuar si botë apriori.
2.
Ekziston fantazia si veprimtari shpirtërore, por ekziston dhe imagjinata si fenomenologji e realitetit, si thelb i gjërave. Eksitojnë format e (vetë)sugjestionimit, duke mbjellë përjetimet e emocionet e (padëshirueshme) në brendinë tënde; por ekzistojnë dhe përfytyrimet meditative, apo mendimet me pamje të gjalla të realitetit; procedimi i tillë (jetësor e artistik), është i kundërt me melankolinë në kuptimin e depresionit, si një plagë a lëndim psikik, e manifestuar si mungesë ndjeshmërie, mungesë impulsesh, njeriut të tillë i duket sikur të jetojë është e tepërt, ai është i kapluar nga një frikë tepër aktive dhe nga pikëllimi e trishtimi.... Ndërkaq, krijuesit këtë tip melankolie mund ta shpërndërrojnë në disponime e kundrime elegjiake-artistike të jetës...
Në kundrimet ironike të realitetit, ndodh ndryshe, ku krijuesi zbret në thellësitë magjike e fantazmagorike të realitetit (Kafka, Dostojevski, shkrimtarët e realizmit magjik dhe ata të fantastikes letrare).

 (7 prill 2017)

0 comments:

Post a Comment