Saturday, May 27, 2017

Prend BUZHALA: MUSINE KOKALARI, MBROJTËSJA E LIRISË, DEMOKRACISË DHE VLERAVE TË RILINDJES KOMBËTARE


(Çaste eseistike: Fjala në Gjyq e Musine Kokalarit, më 1946)
Lexuesve u kujtohet, gjithsesi, Apologjia e Sokratit,mbrotja që ai bën në gjyq. Fillimisht, ai shtron pyetjen para Trupit Gjykues: kush është ai?
1.
Porse jo pak shkrimtarë kanë dhe faqe të shumta të Mbrojtjes së tyre nëpër gjyqe. Kësaj radhe, zgjodhëm një krijuese femër, Musine Kokalari-n (e lindur më lindi më 10 shkurt të vitit 1917, vdiq në vitin 1983, nga kanceri, në internim); kemi Fjalët e saj Mbrojtëse të shqiptuara në gjyq. Edhe Musineja, posi Sokrati, deklaron:
"Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës `Zëri i Lirisë`, në të cilën kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut….
Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit.
Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.
Kur Gjyqi po shpallte gjoja atë që po kërkonte populli ("varjen në litar"), Musine Kokalari përgjigjet:
“Nesër këtë do të thonë edhe për ju turmat”.
Ishte tejet largpamëse: këto turma të verbra (a të frikësuara për vdekje), për ta shpëtuar lëkurën e vet, bërtitnin: varje në litar, edhe për ata që kishin qenë në krye të shteti a të gjyqeve!
Dhe çfarë ndodhi?
Misine Kokalari dënohet me njëzet vjet burg, më 1961 e nxjerrin nga burgu, e internojnë në Rrëshen të Mirditës, prej aty doli në pension me gjysmë page, më 1981 sëmuret dhe vdes nga sëmundja e kancerit.
Ishte shkrimtare e dalluar dhe me bindje socialdemokrate.
“Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej e këndej. Njoha punën e punëtorit me norme individuale, njoha punën e punëtorit me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Kam 38 vjet që nuk di çdo me thënë familje.”
Kësisoj, po i afrohemi ngadalë një zhanri të oratorisë jurisike, e që quhet zhanër gjyësor, i cili ngërthen "artin e akuzës e të mbrojtjes".
Edhe në fund të ejtës së saj ajo , në dorëshkrimin “Mbi jetën time”, shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli... nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s’jam fajtore…”.
Aq konseguente në pafajësinë e saj!
Aq e përkushtuar për pafajësinë e saj!
Një pafajësi e virgjër që ia kalon secilit idealizëm të përfytyrueshëm!
2.
Dihet: që nga Ezopi e këndej, krijuesi letrar është konsideruar si kryengritës i përhershëm, si opozitar i lindur karshi shoqërisë. Gjatë historisë, në sistemet totalitare, shkrimtarët sistematikisht janë përndjhekur, burgosur, syrgjynosur e, madje, edhe vrarë a varur në litar. Ovidin e kishin syrgjynosur dhunshëm për shkak të vargjeve të tij, kurse perandori romak, Oktavian Augusti, e kishte kërcënuar me vdekje Virgjilin, nëse nuk e shkruante një ep për shkëlqimin perandorak. Në shekullin që lamë pas, Mandelshtam e Babel, i lanë eshtrat e tyre nëpër llogoret e Sibirisë, Lorkën e kishin pushkatuar, Cvetajeva u detyrua të vetëvarej; Brehtit të dëbuar nga Atdheu, ia digjnin librat nëpër manifestimet naziste.
Nga ana tjetër, janë qindra krijues shqiptarë që i provuan mbi kurrizin e tyre përndjekjet, burgosjet, privimet, libërdjegiet, pushkatimet, vrasjet, eksodet, anatemimet e çka jo tjetër, vetëm për shkak të qëndrimit të tyre në anën e atdhesisë, identitetit të rrezikuar shqiptar, humanizmit, demokracisë, ideve largpamëse e vizioneve emancipuese, ashtu sikundër iu ka ndodhur dhjetra humanistëve arbërorë, si Marin Barletit, Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Leonik Tomeut, Martin Segonit, apo autorëve të Letërsisë së Vjetër Shqipe, si Buzukut, Dhimitër Frangut, Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit, Lekë Matrangës, Pal Engëllit e engjëllorëve të tjerë, Lukë Bogdanit etj etj, të cilët i përndoqi okupatori turk, i detyroi ta braktisin atdheun apo edhe të vriten nga po ky okupator, më mizori që ka njohur historia e këtij populli në këto anë. Kështu iu ka ndodhur edhe qindra krijuesve të tjerë shqiptarë që nga vitet njëzet e këndej të shekullit që e lamë pas, të cilët nuk i kanë mbyllur sytë para realiteteve të reja, prandaj e kanë pësuar atë fat, qoftë nga diktatura e Zogut, qoftë nga ajo e regjimit totalitar komunist për pesë dekada rresht. E mandej na vijnë librat e burgut në letërsinë shqipe, tek na shkon mendja te diktaturat e përgjakshme, si në Shqipëri, si në Kosovë...
3.
Le ta përfytyrojmë për një çast se si dukej skena e gjyqit ndaj Musine Kokalarit. Nga njëra anë gjenden të dënuarit, të mallkuarit, të ndarët nga familja e shoqëria, të poshtëruarit; prangat, qelitë, të torturuarit, autoburgu, njerëz që s’arritën të dalin nga burgjet, mbasi vdiqën në të të sëmurë, apo që vdiqën nga torturat a plumbi. Nga ana tjetër të dalin para kujtesës prokurorë, mendjezezë, njerëz-bisha, skuadrat e pushkatimit, policë, hetues, gjykatës e gjyqe, spiunë, diktatorë. Në emër të popullit: gjyqe e çka jo. Aty diku, përreth skenës së gjyqit, janë “populli” a trë ftuarit e regjimit që duhet të bërtasin: “varje në litar”, “dënim”!
Së këndejmi, Fjalimi i saj në gjyq, mbështetet në metodën sokratiane të apologjisë: kush është ajo (nuk është komuniste, por socialdemokrate); përdor metodën retorike të arsyetimit (Mbledhja e Mukjes si rast i humbur në histori për marrëveshje ndër-shqiptare); shfaq veprimtarinë e saj si publiciste (përgjegjëse e gazetës “Zëri i lirisë”); ajo po e përdorte edhe patosin emocional si shprehje të patriotizmit të saj (“kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut”) dhe si qortim ndaj këtij gjyqi që po e shpallte me terma poshtërues si “tradhtare”; dhe, së fundmi, ajo përdor arsyetimin e saj të mbështetur në parimin sokratian të binjdes (“Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit.”)
Ajo po dilte para gjyqit edhe me një krijimtari të mirëfilltë letrare. Deri më 1945 kishte botuar vëllimet me tregime "Seç më thotë nëna plakë" (1939), "Rreth vatrës" (1944) dhe "Sa u tund jeta" (1945). Mandej më 1946 burgoset, lirohet e pastaj përsëri nëpër burgje... Ndalohet të lexohen veprat e saj...
Porse te lexuesi shqiptar ndodh diçka tjetër. Diku nëndheshëm, në Republikën e Shpirtit, në Republikën e Imagjinatës, në Republikën e të Idealeve krijuese e njerëzore, është latuar Kujtesa Alternative, Kujtesa e Viktimave dhe e Të Martirizuarve përballë represionit pushtues gjenocidor a totalitarist, përballë Kujtesës së Fitimtarit të Armës, që synonte shlyerjen a zhdukjen e Kujtesës së Parë; që pikësynonte, më në fund, imponimin e vetëm Një Të Vërtete, kurse të tjerat Të Vërteta duhet të heshteshin. Janë pak fjalë të shqiptuara në gjyq, por që ngërthejnë të vërtetën e madhe më se gjysmëshekullore. Ajo e tha hapur në gjyq:
"Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem".
Edhe te Musine Kokalari e vërteta ka qëndruar në anën e saj: libri i mohuar rishtypet e rilexohet pas viteve '90, sistemet e dhunës janë shembur, kurse dënimin e historisë e kanë marrë inkuizitorët. Triumfi i Lirisë, Demokracisë dhe Humanizmit i dhanë të drejtë asaj, sepse çdo fjalë, varg a vepër ajo ua kishte dedikuar këtyre idealeve.
Kurse fjalia e fundit “Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”, është qortimi më i rëndë që po i bëhej diktaturës. Ajo po i drejtohej arsyes njerëzore, por arsyeja e tillë ishte e verbër.
Shkrimtarët e përndjekur, si Musineja, krahas dëshmorëve të tjerë të Atdheut, kanë qenë Roja e Mburoja e kësaj Kujtese, e themelimit të këtij Identiteti nëpër shekuj, përballë inkuizicionit e shfarosjeve armike osmane, sllave apo komuniste.
Ajo po mbronte drejtësinë. “Drejtësia është një prirje e shpirtit që, duke ruajtur të mirën e përbashkët (communis utilitar), i jep secilit meritën e tij (dignitas)”, thotë një retorist.
Prandaj ajo po dënohej për mbrojtjen e drejtësisë, por po dënohej edhe “si rilindase”, “si nxënëse e Sami Frashërit”.
Po dënohej si mbrojtësja proverbiale e lirisë dhe mendimit të lirë, e demokratizimit të vendit.

0 comments:

Post a Comment