Monday, May 8, 2017

Sadbere Gagica Spahija: Cikël Poetik



NË MËRGIM

Vetëm fjalët flasin 
Pa fjalë
E rrokullisen ëndrrat
Si ortek bore
Netët vijnë pa zë
Ku janë strukur zogjtë sonte
E lypsit nëpe trotuare?
Mall i fshehur
Në bebëza sysh
Në vargje poeti
Ku janë strukur zogjtë sonte?

TË KAM FALUR 

Syrin e liqenit të thellë
Shpresat e mia me ëndrra
Diellin në fund të prillit
Rrezet e purpurta të shpirtit
Duart e mia të buta me penë
Vargjet me nota lirike
Një puthje fjale nëpër shkronja dashurie
Gjithçka të kam falur...

DO TË VIJ

Vendi im i shkronjave të përziera
Kam lënë një lot udhëve
Që m'i lag ëndrrat nëpër net pa strehë
Aty janë ngujuar germat e lirikës
Që s'i shkul asnjë tufan!

TË KËRKOJ

Nëpër udhëtimet e mia
Nëpër ëndrrat e përhitura
Kur s'të shoh o ylber pas shiut
Më thahen damarët e tokës
Që e lashë një ditë
Duke sogjuar në kullën me zjarr !

MORA MË VETE 

Sytë e tu nëpër skronja libri
Emrin e trëndafilit me njëqind ngjyra
Një ëndërr me ndjek si hije pas
Nëpër këto udhë kujtimi bredh 
Në strajcë një lot i madh 
Shpirtin ma rëndon nëpër net pa gjumë
Do vij në korrik , do të vij 
Si dallëndyshe në folenë e vjetër
Ta gjej emrin tim strehuar nëpër vargje

0 comments:

Post a Comment