Monday, May 22, 2017

Ramiz Kuqi: TRE POEZI

KOHË

Si puhizë deti
Larg ke ikur
Në breg kujtimesh
Një ëndërr e bukur
Ndonjë fjalë në ditar
Në shpirt është strukur
Era
Dridh nëpër udhë gjethe
Ngrit pluhur nëpër qiell
As kuajt e erës s'e ndalin dot
Kur bota bie në gjumë
Në sofër të poetit
Zbret ndonjë pulëbardhë
Fjalës
I gjunjëzohet ndonjë lot
Si puhizë deti...
21.5.2017

NË EKRAN

Jemi ne
Një grusht i madh
Që botën
Duam pa gjemborë
Të mos shohim
Fëmijë
Me fytyra të përgjakura
Udhët plojë
Kalin e Trrojës
Me dhembë të ftohtë
Që tinëzisht futet
Si lodër loje
Ta djeg Trojën
Germat nëpër vargje
Duart të mos i shtrijë
Nëpër faqe librash
Kohën
Të mos e kosit
Pa dhimbje
Si bar në livadhe
Në ekran
Ëndrrat e përhitura
Për një Fjalë
Ah atë të bukurën fjalë
Me buzëqeshje në rrugë!
Oslo më 22.5.2017

MESDITË

(Piktorit Shaban Osmanit)
Ngjyrat derdhën nëpër atelie
Brushën e piktorit e kërkojnë
Heshtja zbret sot
Mbi pikturë
Unë kërkoj vijat në ballinë librash
E vras vetminë nëpër udhë kujtimesh
E zbrazur më duket gjithcka
Përtej dhimbjes
Germat shndërrohen në dallëndyshe
Në atelien e piktorit heshtje...
Një cicërimë zogu më zgjon
T'u bie shesheve anë e mbanë
Te deti
T'i vështroj dallgët e shkumbëzuara
Mesditë

0 comments:

Post a Comment