Monday, May 1, 2017

Prend BUZHALA: SHKRIMTARËT, PRODHUES TË KUJTESËS KUNDRUALL PËRBINDËSHAVE TË KOHËS


(Çaste eseistike, IMAGINARIUM), 31
Shkrimtarët janë prodhues të Kujtesës.
Prandaj nuk thuhet më kot se letërsia është ajo që konsiderohet si një memorie e të gjitha memorieve tona.
 I besojmë shkrimtarit Antonio Tabuchi (i përkthyer edhe shqip), kur thotë: "Karakteret e librave të mi, ndoshta, janë njerëz të pasigurt dhe të çorientuar; nuk kërkojnë përgjigje të mëdha, nuk ofrojnë zgjidhje, por janë të kënaqur vetëm kur shkëndijëzojnë, kur bëjnë pak dritë: të jenë vetvetja, të mendojnë atë që vërtet e mendojnë, të jetojnë këtu dhe tani, në këtë kohë që na pëlqen të jetojmë. Ndërsa Papa dhe Pinochet-i zhduken në një cep të TV, për t'ua lënë radhën lajmeve për shpërblimin e madh të garave automobilistike, unë ndezi llambën e vogël, dhe hap librin e një shkrimtari kilian. Dhe atje monstrat marrin mish dhe gjak, kurse shëmtimin e tyre prej përbindëshi, e ndriçon një dritë e fortë."
Më tutje Tabuchi na bën me dije se realiteti zëvendësohet e shndërrohet në figura të realitetit.
A nuk na vjen ky realitet nëpërmes Pamjeve për Të që shihen për të krijuar besueshmërinë, siç janë fotografia, ekrani, informacioni, teksti informativ vetëm pak orë "pas ngjarjes... ku rrëfimin për një gjenocid të djeshëm e zëvendëson një lajm i përsëritur qindra herë brenda ditës, për një vrasje a për një burgosje trafikantësh a trazirë parlamentare.
2.
Mandej vjen shtrembërimi i realitetit: seleksionimi i filmit dokumentar,s eleksionimi i lajmit, zhdukja e Lajmit për Të Vërtetën, përhapja e një lajmi që është tejet pak i rëndësishëm kundruall nevojave imediate të njerëzimit, qytetarit, kombit, shtetit...
Përbindëshat tjerë socialë duhet bërë përpjekje që tës truken dikum, duhet zbutur disi, siç janë: varfëria, mjerimi, ai Kulti Migjenian i Kafshatës Që Nuk Kapërdihet! E këto pamje të realitetit a nuk rrethohen me diktatorë, ushtri luftarake, me regjime tiranike?!
Dikur, në përralla, përbindëshit përbënin personazhet nga më të llahtarshmit a nga më të pabesueshmit! Kësisoj, kanë mbetur shprehje si "Përralla me mbret" apo " Na shet përralla" (për gjepura, dokrra, për premtime të kota)... "Përrallë ma", thuhet në popull, për diçka të shpikur, të trilluar.
Por, shi sot: e çfarë janë bomba atomike apo hidrogjenike ose llojet tjera që shfarosin në masë?!
A nuk kanë kryer shfarosje e gjenocide që ia kalojnë secilës përrallë?
A thua, njerëzimi i krijoi përrallat që të shpikë përbindëshat e vetëzhdukjes njerëzore?!
Si kundërpërgjigje krijoi figurat e Prometheut, Gjergj Elez Alisë, Rozafës...

30.04.2017

0 comments:

Post a Comment