Sunday, May 14, 2017

Sinan Kërpaçi: Cikël Poetik

PRE`

Dua të m`i vrasë damarët e qafës femra
që ende s`e kam dashuruar deri në fund.
Të m`i vrasë në breg të Jonit
te Shkëmbi i Pëllumbave
sapo të lëshohet shigjetë një pulëbardhë
për të marrë në sqep prenë më të parë.
Si sqepi i pulëbardhës të jenë gishtat e saj
kur të më vrasë damarët sa të m`i çajë
për t`u ndjerë unë pre` deri në fund:
të vërshojë gjaku në dy palë buzë.

MË KËNDSHËM

Përse themi: “Gëzuar Vitin e Ri!”
me fjalë të përditshme,
kaq vulgare
dhe nuk provojmë të shprehim
magjinë e urimit më këndshëm,
me batuta;
përse nuk i ngarkojmë duart
me “gurë”
dhe të qëllojmë
sa ta rrëzojmë fare
pemën që është mbushur
plot me fruta?!

MË KËNDSHËM

Përse themi: “Gëzuar Vitin e Ri!”
me fjalë të përditshme,
kaq vulgare
dhe nuk provojmë të shprehim
magjinë e urimit më këndshëm,
me batuta;
përse nuk i ngarkojmë duart
me “gurë”
dhe të qëllojmë
sa ta rrëzojmë fare
pemën që është mbushur
plot me fruta?!

S`TË KAM LARG

Joni nuk është më joshës se ti
në dy dete që i marr me “pash”,
një mjet shpëtimi s`ka ç`më duhet
kur s`të kam larg.
Nëse një nga ne rrezikohet të mbytet
krahët e mi kthehen në rrema
dhe ti pa komandë bëhesh varkë
pa shikuar më pas nga duken brigje
në ujë të dy lëshojmë rrjeta
dhe po bashkë peshkojmë yje
nën një hënë të plotë si misërnike
që e pjek nëna ime në oborr te furra:
vezë e bardhë në Diell-lindje.

SHUMË
Poshtë syzeve shumë të errëta
me mollzën e ndieshme të gishtit tregues
ajo fshehurazi shumë fshiu lotin,
ai, përballë aeroportit, të vetin e gëlltiti,
unë i fiksuar gjatë te përqafimi
kërkova shumë sa e gjeta shaminë
dhe mbi palat e saj shumë ndjeshëm
epilogun për librin në dorëshkrim
po me shumë lot nisa të shkruaj:
një ndarje shqiptare për mbijetesë,
live, me lot shumë si në dhe të huaj,
vendi im me shumë horra dhe varfëri.


0 comments:

Post a Comment