Faik Konica ishte dhe mbetet një personalitet i madh i letrave shqipe. Veprat e tij me një nivel të lartë intelektual dhe kulturor, janë: Ç`është liria; Dr. Gjilpëra; Shqipëria si m`u duk; Përralla e tregtarit dhe e xhindit; etj. Konica njihet edhe si një nga publicistët më të mirë, si personalitet mjaft i njohur dhe i dashur për botën shqiptare dhe më tej, duke qenë edhe një mbrojtës i gjuhës shqipe, i cili bëri përpjekje për një gjuhë të pastër e të pasur, kundër barabarizmave. Ai e shndërroi gjuhën shqipe në një gjuhë të bukur, shprehëse larg dialekteve. Faik Konica botoi revistën “Albania” në Bruksel, ku botonte, vjersha, proza poetike, tregime, skica dhe pati lidhje me të gjithë shqiptarët që mbronin Shqipërinë. Konica iu përkushtua çështjes shqiptare dhe shërbeu si ambasador i kombit të shqipeve deri sa vdiq. FAIK KONICA ËSHTË NJË PERSONALITET DHE EMRI I TIJ KURRË NUK DUHET HARRUAR; POR GJITHNJË ME KRENARI DUHET PËRKUJTUAR Kishte jetuar vetëm për Shqipërinë, i ishte kushtuar asaj dhe nuk kërkonte gjë tjetër veç të prehej në dheun e saj. “Nuk do të më tresë dheu nëse ti Imzot Noli, ti Lamja i vogël dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë, nuk do të çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë”, kishte shkruar me dorën që po i ftohej nga vdekja, shkruan Anton Çefa në Illyria. “Amanetin s’e tret dheu” ka thënë populli, dhe urtia e fjalës së tij është e rëndë si guri e më e rëndë se ai. Këtë e dinte shumë mirë Konica, kur i shkruante testamentin Nolit dhe Lames së vogël. (Sejfulla Malëshovës, që shkruante nën pseudonimin Lame Kodra). Po ku ta dinte ai se Shqipëria do të mbyllej nga herezia e kuqe, dhe jo vetëm që nuk do të pranonte eshtra bijsh, por do të nxirrte jashtë edhe sa e sa bij të tjerë të devotshëm e vullnetmirë! Edhe Noli që gjatë gjithë jetës lëshoi kushtrimin për shokët e tij të luftës të mbetur “syrgjyn vdekur” jetoi dhe vdiq jo vetëm me mallin e Atdheut dhe brengën për fatin e tij, por edhe me pengun në shpirt që nuk arriti t’i plotësonte dëshirën e fundit mikut të tij, “njërit prej bijve më të shkëlqyer të Shqipërisë, njërit prej kampionëve më të mëdhenj të indipendencës kombëtare, pa dyshim ikonat më të mëdha të sh krimit të gjuhës sonë”, siç e kishte përkufizuar ai vetë. Amaneti i Faik Konicës Është fjala për “Testamentin” e Faik Konicës të njohur tanimë jo vetëm nga opinioni shkencor, por dhe nga lexuesi i gjerë. Në të thuhet: “Të nderuar zotërinj! Ndrroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më kini kuptuar më qart në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti Imzot Noli, ti Lamja im i vogël dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhet e rrugës për trupin tim pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ju i nderuar Noli, ju të nderuar shqiptarë dhe ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë amanet.” Boston 1942. ESHTRAT E FAIK KONICËS U KTHYEN NË ATDHE Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Malëshova)) nuk mundën të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi, ndërhyri vetë tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, “njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare”, “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u ndalua në letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare Faik Konicën. Atje është i përgjithmonshëm, legjenda e shqiptarizmës dhe Rilindjes shqiptare, i veçanti, “tekanjozi” – Faik Konica. Ai është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes. Ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. Faik Konica u lind në Konicë me 15 mars 1875 dhe ndërroi jetë në Uashington me 15 dhjetor 1942. Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Studimet e plota i kreu në Francë (ku edhe ndërroi fé, u pagëzua i krishterë) dhe SHBA. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit në SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”. Sot e mbajnë me krenari emrin e këtij kolosi të letrave shqipe shumë institucione kulturore, arsimore në të gjitha trojet tona dhe në diasporën shqiptare. Këtë emër të madh sot e mban edhe shkolla nëntëvjeçare e fshatit Sllupçan e Komunës së Likovës. Nxënësit, arsimtarët dhe prindërit e kësaj shkolle krenohen që kjo shkollë mban emrin “ Faik Konica” dhe për çdo vit kremton 4 Majin si Ditën e kësaj shkolle, ku dhe mbahen shumë aktivitete. Më 4 Maj nxënësit para arsimtarëve, nxënësve, prindërve dhe mysafirëve të ftuar prezantojnë një program të pasur kulturor dhe artistik. Le ta mbajmë lart emrin e shkollës Faik Konica për të vlerësuar jetën dhe veprën e tij madhështore.
Tuesday, May 2, 2017
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 comments:
Post a Comment