Wednesday, May 31, 2017

Prend BUZHALA: MARIJE SHLLAKU, FJALËT QË SHËNUAN SAKRIFICËN E SAJ LEGJENDARE


(Çaste eseistike. Copëza fjalimesh të Marije Shllakut në kuvende, pajtime, gjyqe e prokurori. NGA ORATORIA SHQIPTARE), 29
Duke e pushkatuar Marije Shllakun (1922 - 1946), regjimi pushtues serbokomunist e shqipfolës, i kishte vënë në veprim, për gjysmë shekulli, edhe atentatet kundër kujtesës kombëtare për këtë heroinë. “Kujtesa na ka mbajtë gjallë si komb”, dëgjohet shpesh kjo thënie në popull, sepse shkollat mungonin, shkrim-lexim nuk kishte, kurse kënga dhe rrëfimi i historive, gojë më gojë, odë më odë, kullë më kullë, mbahej gjallë.
Kjo kujtesë, së bashku me dokumentet e kohës, i ka shënuar jo vetëm bëmat e kësaj heroine, por edhe fjalët e saj, të shqiptuara nëpër kuvende (si Kuvendi i Dobërdolit – Klinë, gusht 1945, pastaj në Drenicë, Pejë etj), nëpër tubime, fshatra, apo dhe me fjalët e saj të guximshme qi tha para gjyqit që po e dënonte me pushkatim. Këto fjalime na vijnë në kohën e sotme të shënuara vetëm si copëza.
1.
Dhe, papritmas, pas shembjes së ekzorcizmave shtetërorë, regjimeve totalitare, gjatrë viteve ’90, shpërthyen vullkanet e kësaj kujtese në trajta të shumta. Edhe në trajtë librash e kujtimesh të shkruara, dëshmish të gjalla e rrëfimesh të përcjella brez pas brezi.
Dihet se deri më tash janë botuar katër monografi për këtë shkodrane trime, pos këtyre dy autorëve, edhe Shefqet Kelmendi, Ibrahim Meta dhe Tomë Mrijaj. Për te kanë shkruar Dr.Sabrije Keçmezi- Basha, Dr. Jahja Drançolli, Jetish Kadishani, Klajd Kapinova, Drita Bakia- Gunga, Idriz Lamaj, Nue Oroshi, Azem Hajdini- Xani e dhjetëra autorë të tjerë. Fryt i një kujtese e kërkimi të tillë të ringjalljes së historisë, është edhe monografia “Shqipëria e Marije Shllakut – Katër martirë shkodranë” (bashkë me Viktor Gashin “Dukagjini”, Pejë, 1995).
Siç dihet, në Gjyqin e Prizrenit, dënoi 27 të akuzuar, anëtarë të organizatës NDSH (Nacionademokratike Shqiptare), në gjykimin e mbajtur për 13 ditë me radhë, prej 29 qershori 1946 e deri më 11 korrik 1946. Katër të parët nga kjo listë: Marije Shllaku (24-vjeçare), Atë Bernard Llupi, meshtar (60-vjeçar), Kolë Parubi (41 vjeçar) dhe Gjergj Martini (29 vjeçar), më 15 korrik 1946, u dënuan me vdekje dhe më 25 nëntor 1946 u pushkatuan në Prizren, që të katërtit ishin nga Shkodra e që dhanë jetën për Kosovën. Që të gjithë njerëz të ditur e të shkolluar.
Ramiz Kelmendi kujton:
“Ditën e parë të nxjerrjes para gjyqit në Prizren, më 29 qershor 1946, me shumë plagë në trupin e saj të brishtë, e rrahur, e maltretuar dhe e torturuar si asnjë tjetër, e vënë në ballë të grupit të të 27 të akuzuarve si më kryesorja dhe më e rrezikshmja, ndonëse në atë grup kishte gati edhe tri herë më të moshuar se ajo, Marie Shllaku nuk ishte më shumë se 23 vjeç e tetë muaj... Marie Shllaku, tek e pashë atë ditë për herë të parë, i kishin vrarë gjithçka. Gjithçka, pos një gjëje. Madje pikërisht asaj që do ta kishin dëshiruar më së shumti: nuk ia kishin vrarë dot zemrën. Ia kishin thyer trupin, por nuk e kishin thyer dot shpirtin. Unë edhe sot nuk e shpjegoj nga i vinte ajo frymë, ku e gjente atë fuqi, si i dilnin ato fjalë, me ç’mund rropatej të mbahej e pamposhtur, krenare për gjithçka ka bërë dhe plot rrahagjoks edhe për gjithçka që po e priste.”
2.
Në Kuvendin e Dobërdolit (28 gusht 1945), ajo mbajti një Fjalim prej 62 minutash. Nga ky fjalim Marija kujton pjesë nga Fjalimi:
“Së pari motra dëshiron me vdekë me ju, dhe ju bashkë me të. Vetëm dorëzimi sllavo-komunistëve të mos u bahet. Sa të jemi gjallë!
Ma mirë le të vdesin gratë e fëmijët tanë, e t’i shohim tue vdekë, se sa serbi me na i pre. Në ju mbetet qëndresa, lidhja, besimi bashkimi.
Me armë në dorë ne së shpejti do të fitojmë.
Pra, le të betohemi para Flamurit Shqiptar, se kamba e serbit nuk ka me shkelë këndej pari!
Le të jemi barrikadë, kala në kufi!
Le të përdoret gjaku ynë në vend të zallit dhe gëlqeres, e trupat tanë si gurë.
Le t’i vejmë me nder kufijtë tanë etnikë.”
Nji copëz tjetër fjalimi i shënuar aty:
”Vllazën, koha ka ardhë qe trojet tona te lame me gjak, vite me rradhe, te shlirohen dhe te rikthehen ne gjirin e atdheut tonë - tek NANA SHQIPNI”
Vetë Marija te dorëshkrimi i saj thotë: “E burrat njizani thanë: Ti, motër shqiptare na ke ndihmue në kohë të vështira, ti pranove vdekjen me ne, edhe ne e pranojmë vdekjen me ty” Rrnoftë motra jonë!”
Shënimet këtu janë marrë nga “Kujtime e Marije Shllakut” (të pajisura me faksimile nga dorëshkrimi origjinal i Marije Shllakuit), sipas Ibrahim Metaj: “Marije Shllaku: “Kosovo, gjaku im t’u bëftë dritë”, Tiranë 1995).
Ajo tregon që në atë fjalim kishte bërë përpjekje që t’i mënjanonte disa mosmarrëveshje.
Ndër to, mjafton të përmendet pajtimi i saj proverbial në Drenicë, midis Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës. Autori Frrok Kristaj shënon se Marie Shllaku, nga Shkodra, e Katarina Josipi, nga Zymi, janë femrat e para shqiptare që u burgosen për çështje kombëtare.
3.
Fjala e Marijes është shqiptuar edhe para hetuesve e prokurorisë. Historianët shënojnë: “Marija sypatrembur u përgjigjej pyetjeve të prokurorit Ali Shukria. I pranonte të gjitha veprat që i kishte bërë. Në një rast ajo tha:
– I pranoj të gjitha veprat që i kam bërë, por këtu ka shumë edhe shpifje dhe akuza ndaj meje. Veprat e mira në të mirë të kombit tim i pranoj, edhe nëse ato nuk janë të miat! Kjo e habiti trupin gjykues.”
Fjalët e saj NË HETUESI:
“Gjithë vllaznit shqiptarë, me tana forcat duhet me e luftue sllavo-komunizmin,. Me i largue partizanët jugosllavë nga Kosova, se çdo push e kanë mbush me krena shqiptarësh.
Partizanëve të Serbisë po u ndihmojnë artizanët e Shqipnisë... Shqipatrët nuk duhet me shkue e me luftue në tokë të huej.
Nga kujtimet (Islam Spahiu):
“Më kujtohet ende portreti i asaj vajze të hijshme, të cilin e përshkon një buzëqeshje melankolike. Sa shumë fliste nuri i
asaj fizionomie! Do të ish vështirë të shpjegohej se si ata sy të zinj aq të bukur të një femre, të shfaqin tinëzisht shkëndijën e një shpirti heroik. (...)
Fjalët e fundit të Marie Shllakut:
Pyetje: Çfarë kërkonit ju në atë kryengritje?
Përgjigje: Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Pyetje: Për çfarë regjimi mendoni ju?
Përgjigje: Për një republikë demokratike, si ajo e Nolit.
Pyetje, – Prokurori: Po Fan Noli e ka lavdëruar regjimin e sotëm në Shqipëri me Enver Hoxhën në krye, i cili siç dihet është me ne.
Maria heshti pak kokulur, sikur ra në mendime e pastaj, rrëmbimthi, ngriti kokën në shenjë sfide e tha me zë të lartë:
-Sido që të jetë, Kosova duhet të jetë e pandarë nga Atdheu! Duke thënë këto fjalë, ajo i ra fort tavolinës me grusht. Nuk mbaj mend më tej, veçse atëherë m’u duk se nga krisma e atij grushti, ushtuan malet e grykat e Kosovës dhe jehona përshkoi anembanë Shqipërinë.
Ata të katër u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan. Ata qenë katër yje që zunë vend në qiellin e lavdisë shqiptare, e aty ku është më e errët nata, aty ndrisin
më shumë yjet… Pastaj, “nuk ka natë që të mos gdhijë, sado që të jetë e gjatë” – (Shekspir). E kur të arrihet kjo, atëherë do të shndërrohen në rreze dielli, të atij dielli që do ta ndriçojë përjetë Shqipërinë e bashkuar etnike.”
4.
(COPËZA NGA SHËNIMET E HETUESISË.- sipas Shefqet Kelmendi: “Heroina Marije Shllaku”, Ombra OVG, Tiranë 2004):
".. .Me zemër të plasun lashë qytetin e bukur të Pejës, më 18 nanduer 1944...".
".. .Më 27 nanduer 1944. ..në fshatin Krushë.. .unë me flamur në dorë po flisja për atdheun tonë të dashtun. Njeni, i quejtun Gjergj, qesh e ngesh më tha: Ule, moj motër, atë pece (flamurin), se ajo na ka robnue. Ne atë as e duem e as e nderojmë. E duem këtë që ka ardhë.' Më mbajtën, se atypëraty deshta me e vra. Të jerët më thanë: Pasha Zotin, filloni ju luftën e ne ju vimë mbrapa.".
".. .Kapiten Rudi.. .asht me tamam nji shqiptar".
".. .Ideja ime ka qenë mos me luflue me vllazën tanë.". "... Të mos ndërhjjmë në çashtje fetare.. .Anmiku me të tilla mënyra don me na përça... "
'Në shtator të vitit 1945, i mblodha të githë e u mbajta nji fjalim. Besoni, unë tue folë e ata tue dënesë, si të ishte ndonji gjamë. Shëtisja me çarçaf e i shihja 'nacionalçlirimtarët'... "
".. .Populli më donte shumë... Thanë. ..'se pa vdekë ne, nuk të merr kush gjallë në dorë'...
". ..Rrobat m'u mbushën me gjak... U ndala me i hekë. Shokët më ikën. Mbeta vetëm në mes të malit. Tue ecë, hasa në Shaban Sadikun. Qëndruem do kohë. Si u ndamë nuk e di... "
".. .Në mal mbajshim lidhje të rregullta dhe kishim njerëzit tanë nëpër tanë Kosovën... "
".. .Fahri Basha, kryetar i komunës së Kijevës, ishte lidhja kryesore me relacionin midis malit, Prizrenit e ~Rahovecit... "
Shënim nga Emil Kastrioti (“Kanunorja...”):
“MARIJE SHLLAKU, në momentet e fundit të jetës së saj, kur gjendej para tytave të armëve vdekjeprurëse të skuadrës ekzekutore të Oznës jugosllave, në pyetjen cinike të komandantit të skuadrës se a ka ndonjë dëshirë të fundit, ajo i përgjigjet:
“Po, due me e ndëgjue himnin kombëtar shqiptar!”. Gjaksori sllavokomunist tërbohet nga zemërimi dhe i thotë “nikada!” (kurrë jo!), ndërsa Marija fillon me zërin e saj krenar, edhe pse fizikisht ishte e rraskapitur nga torturat fizike që i kishin bërë komunistët sllavë dhe këndon sokolesha dardane: “Prej luftës veç ai largohet që është lindur tradhëtor”...
5.
Nga aspekti oratorik, ajo i ngjet oratores së famshme të antikës romake, Hortensia, e cila patui sukses t’i thyejë tabutë romake për mospjesëmarrjen e gruas pranë burrave në beteja e punë të rëndësishme publike. Këtë paraygjim, marije Shllaku e theu pikërisht në Kosovë, në rajonet e Dukagjinit e të Drenicës, duke marrë çjesë në kuvende, tubime, në beteja të armatosura, madje, edhe duke ndërmjetësuar në pajtime mes krerësh të luftës.
Fjala e saj kishte ndikim. Kësisoj, kur Shaban Polluzha e Mehmet Gradica kishin mosmarrëveshje, ndërhyn Marije Shllaku, e cila i bind luftëtarët e Drenicës që të pranohet në kullë, i drejtohet Shaban Polluzhës:
“Kam ardhë me u ba kurban për këtë tokë. Duhet ta mbroj edhe unë, siç po e mbron ti. Ne duhet të jemi të bashkuem. T’i lamë mbanesh mosmarrëveshjet. Për këtë edhe ta kam mësye. Kam ardhë me t’u lutë…
Për hir të Zotit, për hir të Atdheut, të Kosovës, edhe për hatrin tim, thirre Mehmet Gradicën e pajtohu me të! Bashkohuni! Po s’u ba kjo, ka me na dënue historia, e ndoshta ty ma shumë, se sot ti je baba i Kosovës.„
E, kur qe arritë kjo, Shabani u pat shprehë: “Kjo çikë më bani me u pajtue, me u besatue për luftën që na pret me shkjaun...”
Dhe, në paraqitjen e saj të parë, ajo nuk e përmend rastësisht, kur e pyesin: kush je ti, ajo përgjigjet: jam Shota (asociacion për Shote Galicën).
Ajo i ngjet Emmeline Pankurst në vitin 1913 v(SHBA) e njohur për paraqitjen e saj që quhet “Fjalimi i "Lirisë ose Vdekjes"... apo fjalimi "10 Urdhërimet mbi Vietnamin" e Coretta Scott King që merr përsipër misionin e bashkëshortit të saj të ndjerë, Martin Luther King, “ndjenjat e të cilit kundër luftës ishin të lidhura ngushtë me të menduarit e tij rreth të drejtave civile”: apo fjalimit me titullin “E vërteta e të huajit:'A nuk jam unë grua” (1851), e Isabella Baumfree, aktiviste amerikane etj.
Fjala e saj ishte dëshmia e gjallë e rezistencës shqiptare në Kosovë kundër ripushtimit e masakrave neo-fashiste.
Fjalët e saj ngjajnë me zjarrin liridashës të historisë: ajo ligjëron Dëshminë, por ajo ligjëron edhe Zgjimin, Mobilizimin, Shpirtin e Paepur, Guximin legjendar të saj, Vendosmërinë e pashoqe...
Fjala e saj është Fjalë e Madhe, sepse është thuhet në çastet më tragjike të historisë; dhe sepse ngërthen Trimërinë e Urtinë e saj.
Historia jonë është mjaftuar me Veprat jetësore e me Fjalën e saj, kurse Vepra e Fjala e saj e mbushullojnë Historinë tonë.
Historia i dha të drejtë Marijes: veprave e fjalëve të saj për çlirim nga komunizmi e xhelatët e saj (komunizmi u shemb me strukturat e tij të krimit); veprave e fjalëve të saj për çlirim nga pushtuesi serb (dhe historia e përmbushi edhe këtë testament të saj e të bashkatdhetarëve të saj)... deri te veprat e pajtimit (si ajo e Lëvizjes së madhe për Pajtimin e Gjaqeve më 1990)...së fundmi, deri te emancipimi femrës së arsimuar e luftëtare.
(maj 2017)

0 comments:

Post a Comment