Sunday, May 28, 2017

Prend BUZHALA: FJALIM MAHNITËS I KLERIKUT HAFIZ ALI KRAJA NË VARRIMIN E AT GJERGJ FISHTËS


(Çaste eseistike: Fjalimi i Hafiz Ali Krajës në varrimin e at Gjergj Fishtës, në Shkodër më 30 dhjetor 1940. NGA ORATORIA SHQIPTARE), 27
Klerikë të dalluar, të të gjitha bashkësive fetare shqiptare, përpos që ishin njerëz të ditur në lëmin fetar, kanë lënë gjurmë nderi, atdhetarie, kulture e civilizimi. Fjala e tyre ishte vepër dhe vepra e tyre ishte fjalë. Përpos që ishin njerëz të penës, ata qenë dhe oratorë të shquar, që lanë gjurmë të thella. Një Fjalim i tillë, që mbetet si gjurmë e pashlyeshme në historinë dhe oratorinë shqiptare, është ai i Hafiz Ali Krajës në varrimin e At Gjergj Fishtës, më 30 dhjetor 1940. A u lind në vitin 1900 në Shkodër dhe vdiq më 1974. Ishte njeri me kulturë, dijetar dhe atdhetar. I shkolluar në kajro, ai njihte gjuhët orientale: arabisht, turqisht dhe persisht, shkruante në këto gjuhë si gjuhën amtare.
1.
Këta klerikë, prej shek XIX e këndej, ndanë të njëjtin fat, dhanë kontribut në ngjarjet më të shquara të kohës (siç janë Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë, hapja e shkollave shqipe, pjesëmarrja në ngjarje të politike të kohës, deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, kur në pushtet vjen regjimi komunist.)... Pas Luftës së Dytë Botërore, pa dallim, ata pësuan burgosje, internime, ekzekutime, përndjekje, forma të ndryshme të përndjekjes politike... Ata kanë ditur ta respektojnë e nderojnë njëri-tjetrin, pa dallim; kanë çmuar veprat e shkruara të njëri-tjetrit; ata, së bashku me inteligjencien shqiptare, kanë formuar dhe miratuar alfabetin shqip, kanë hapur shkollat shqip, kanë hartuar libra shkollorë etj.
Meqë deri më tash kemi shkruar mjaft për përndjekjet që kanë ndodhur ndaj inteligjencies krijuese të krishterë, kësaj radhe e morëm, si një shembull të një oratorie të rrallë. nderimi të thellë, Fjalimin që Hafiz Ali Kraja nga Shkodra, e ka mbajtur në varrimin e Atë Gjergj Fishtës më 1940. Për figurën e këtij personaliteti të rrallë. flet shkrimtari ynë i njohur, Agroin Tufa:
"Realiteti politik e nacionalist, jo vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë e atyre viteve ka qenë lexuar përmes atdhedashurisë dhe jo vetëm prej klerit katolik: elitat fetare myslimane, që kishin mbijetuar luftrat e mbijetesës nga Besëlidhja e Prizrenit në mbrojtje të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Tivarit dhe Ulqinit, ashtu siç paraqiten organikisht në bashkëveprim, pa dallime fetare në 'Lahutën' e atë Gjergj Fishtës , luftonin në një front për mbrojtjen e tokave shqiptare. Sigurisht, realiteti i luftrave për mbijetesë nacionale me ushtritë serbo-malezeze, duhet të ketë mbetur i ndezur në vatrën familjare ku u rrit dhe u edukua Hafiz Aliu-fëmijë " (sipas shkrimit të botuar në gazetën "Standard", 20 Shtator, 2014, Tiranë).
Aty jepet fillimi ui dhunës kundër klerikëve:
"Komunistët guxuan që më 31 gusht 1943, në ditën e parë të muajit të Ramazanit, të vrisnin në derën e xhamisë së Saukut, hoxhën e fshatit, Selim Brahja, i biri i Ramazan Brahjes, atdhetari tiranas i njohur në aktivitetin e tij për liri e pavarësi të Shqipërisë... Më 1945, komunistët arrestuan Hafiz Ali Krajën, Hafiz Sherif Lëngun, Hafiz Mustafa Varoshin; më 1946 arrestuan drejtorin e Medresesë, Hafiz Ismet Dibra, Enver Beqirin, Shaban Demirin dhe shumë arrestime e pushkatime do të vijonin gjatë viteve ndaj klerit fetar deri në të famshmin nen të Kushtetutës, që dënonte me ligj këdo që besonte në Zot. Festat fetare u zëvendësuan me festat e Partisë dhe Kurani e Bibla me veprat e diktatorit."
Burgoseshin figura të dalluara, vetëm pse ishin fetarë, ani se ata kishin dëshmuar një jetë atdhedashurie e veprimtari atdhetare të pashembullt në dobi të Atdheut. Mu ashtu si ishte e pashembullt edhe toleranca vëllazërore ndërfetare. Mandej, erdhën "si shpërblim", rrënimet e tempujve fetarë, ndalimet e librave fetarë, përndjekja e besimtarëve të thjeshtë...
Hafiz Ali Kraja vuajti 18 vite burg. dhe qe burgosur së bashku me Ejëll Çobën (jurist e gjyqtar, i shkolluar në Itali, ku kreu edhe studime në fushën teologjike).
Në vitin 1934, Hafiz Aliu botoi studimin e tij "A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar", të cilin e botoi në shtypshkronjën "Ora e Shkodrës".
2.
Këta klerikë, e ndër ta, edhe Hafiz Ali Kraja, nuk e kanë pasur të huaj konceptin e SHQIPTARISË. Formula shqiptare FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA, vlen edhe sot, jo për t'i përjashtuar besimet , për shkak se shqiptaria nuk përjashton, por afron... Te shqiptaria e kemi sofrën e përbashkët të gjithë. SHQIPTARIA NUK PËRJASHTON, POR AFRON NJERËZIT dhe besimet, bindjet, idetë, krahinat... Kësisoj, përligjet edhe toleranca proverbiale shqiptare, si kulturë e jetës. Këtë formulë, shqiptarisht të mishëruar në vlerat universale, BOTA MODERNE, eurperëndimore, e përligj nëpërmes konceptit të shumësisë së kulturave, religjioneve, civilizimeve, kombeve, qytetërimeve... Amëza fetare, po ashtu nuk njeh pakicë e shumicë... Amëza e të gjithëve është shqiptaria... Se çfarë respekti e bashkëpunimi kanë pasur këta njerëz të dijes, besimit e atdhetarizmit, dëshmon Fjalimi i sipërprmendur i Hafiz Ali Korçës në varrimin e Gjerj Fishtës. ja si e hap Fjalimin e tij:
“Poet kombëtar, o Patër Gjergj!
Një orator, tue dashtë me folë mbi veprat Tueja, rrin shtang e hutohet, sepse ata janë shumë, janë aq të mëdhaja e të madhnueshme, sa asht vështirë me caktue se mbi cilën aso veprash duhet me folë."
Që në fjalinë e parë ai jep një përkufizim të kategorisë së të madhërishmes në estetikë, me një thirrmë a figurë apelative retorike: O poet kombëtar! Gjergj Fisdhta është peot kombëtar dhe këtë titull e gëzojnë krijuesit e rrallë. Por menjëherë, brenda këtij apelacioni retorik, vjen përkufizimi tjetër: o patër Gjergj!
Kombëtari dhe Frati! Kombëtarja dhe fetarja!
Ishin një binom që e përcollën me ndershmëri e bindje, pa cenuar vlerat qytetëruese, universale e kombëtare, por përkundrazi,a to i d=fisnikëruan...
 Kësisoj, te fjalia e dytë e këtij fjalimi, vjen një përkufizim autorial i retorikës, si Fuqi i Fjalës. Por kjo Fuqi e Fjalës, me të ciklën mishërohet oratori (kësaj radhe Hafiz Ali Korça), mbetet shtang, i ngurosur, përballë Fuqisë së Fjalës Fishtiane! Prandaj, oratori përzgjedh këtë hyrje, për ta zgjuar admirimin e pjesëmarrësve në ceremoninë e varrimit, për ta lartësuar Njeriun e Madh Shqiptar, Atë Gjergj Fishtën.
3
Në vazhdim ai flet për Veprën.
Fishta dhe Vepra!
Janë dy fjalë tjera që vihen në radhë, si mishërim i së lartës, të madhërishmes, kontributit jo vetëm letrar, por edhe politik, atdhetar, ndërkombëtar:
"Vepra Yte o Poet, ka për të formue nji faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk kje tjetër veçse me i sigurue kombit tonë të drejtat, qi ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. "
Nderimi i Krajës buronte nga thellësia e zemrës.
"Zemra dhe fuqia e mendje, krijojnë gojëtarin", thoshte Kuintiliani i moçëm.
Ky orator shqiptar, me pak fjalë, sintetizon një jetë të tërë, si kjo e Fishtës, jetë e pasur me kontribute e vlera të larta në shumë fusha.
Hafiz Ali Kraja, pra, është i bindur se Vepra e Poetit so të krijojë një Faqe të shkëlqyeshme. Madje një faqe të tillë në historinë politike të kombit shqiptar. Ai po fliste para një audience që përbënte thelbin shqiptar, pjesëtarë të të gjitha besimeve; një audience që kishte përfaqësuesit e vet intelektualë, elitën e saj intelektuale; dhe, së fundmi, në rrethana të ndërlikuara shoqërore e historike. Në Ballkanin e trazuar sërishmi në prag të Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu, duke përmendur kontributin ndërkombëtar të Fishtës në mbrojtje të të drejtave shqiptare, folësi nuk lë pa përmendur që këto të drejta i meriton një komb si shqiptarët, që është më i vjetri në Ballkan (le ta kujtojmë Fjalimin madhështor të Fishtës më 1919 në Lidhjen e Kombeve).
Vijnë mandej, vlerësimet e larta për “Lahutën e Malcis”. Fishta dhe kjo kryevepër letrare, janë personifikim i veprës me autorin dhe anasjelltas. Nuk është e rastit, përse oratori ndërfut dhe elemente intelektuale, duke vjelë krahasime nga majat e vlerave të lashta botërore: Fishta dhe Lahuta e tij, krahasohen me “Iliadën” e Homerit të antikës greke dhe me "Shahnamenë" e persianëve të lashtë, dëshmi, kjo, se folësi është intelektual që njeh letërsitë antike:
"Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën tande politike do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së malcis” – kryevepra jote monumentale. Të jesh i bindun o Poet i Madh, se shqiptari me Lahutën e Malcis ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamenë, mbasi, ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psiqikën e karakteristikat ma të ndjeshme të popullit shqiptar. Sot djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep besën shqiptare tue t`u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësinë shqiptare, do ta ruejnë e do ta mbajnë si gja të shenjtë morale."
Besë shqiptare e Ideal Shqiptar - janë dy tipare të tjera gojëtarie e vlerësuese, që ai i shqipton në vazhdim, si frymë ceremoniale përpara një kombi që po ndahej nga njeriu i vet më i madh. Tradita e Fjalimit Ceremonial Mortor, rrjedh nga antika greke, ku Fjalimi ishte pjesë e ritualit të varrimit. Te Iliada Andromaka vajton humbjen e Hektorit, kurse Vajtimi shqiptar është i po atyre traditave të lashta. Kësisoj, nga antika dihen Fjalimet rituale të Perikliut për luftëtarët e rënë në fushë të betejës. Fjalimi duhej të mbahej vetëm nga një personalitet i shquar.
Kësisoj, edhe ky fjalim përmban notat klasike të përnderimit të thellë. Dhe atë e ligjëron një personalitet i shquar jo vetëm shkodran, por i respektuar në përmasa kombëtare, siç ishte Hafiz Ali Kraja. Dhe përzgjedhja e një oratori të tillë kishte edhe vlerë tjetër shqiptare: atë po e bënte një klerik shqiptar mysliman, që simbolizonte vëllazërinë shqiptare të tolerancës fetare ("Gjithashtu edhe populli mbarë, i fushave dhe i maleve, anë e kand në Shqipni sot nep besën, se Lahuta e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në Lahutë, do ta mbajnë me forcë të madhe…” )
Prandaj dhe përnderimin vlerësues të besueshëm, për Veprën e Lartë, siç është Lahuta, mund ta thoshte vetëm një njeri që kishte respektin e gjerë. Ky nderim niset nga folësi i nderuar dhe zbret tek të gjithë, si një betim shqiptar vlerash, si një krenari e ligjshme shqiptare për Njeriun që e kishte në gji të vetin. Vijnë dhe nota emocionale të dhimbjes për humbjen ("Me ty, patër Gjergj, kombi shqiptar mburret, naltësohet dhe madhnohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet; djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot në faqe të përcjellim me mallnjim e dhimbje në jetën e pasosun”.)
4.
Nuk është e rastit përse edhe dy priftërinj të burgosur, shprehin admirim e nderim për Hafiz Ali Krajën, si Patër Konrad Gjolaj, në librin e tij "Çinarët":
"Hafiz Ali Kraja ishte një njeri i madh për kohën, ishte pa dyshim ndër hoxhët ma të kulturuem që kam pas rastin me njoftë, për mos me thanë ma i dijtuni…”
At Zef Pllumi kujton: “Hafiz Ali Tari (Kraja) ishte njeri i madh për kohën e padyshim njeni ndër hoxhët ma të dijtun. Kishte përfundue studimet universitare në Kajro – Egjipt – dhe njihej si një teolog mysliman që dinte shumë gjuhë dhe ishte gojëambël. Në vitin 1939 ishte caktue edhe ai në delegacionin për të çue kunorën prej Shkodre dhe, siç e tregon vetë Hafizi, nuk shkoi për meritë të atë Anton Harapit. Kujtohej shpesh fjala e mbajtun prej tij me rastin e vdekjes së atë Gjergj Fishtës. Në bindjet politike ishte antizogist dhe i lidhun shumë me anën katolike, sidomos me françeskanët; simpatizonte malësorët e veriut. Pjesëmarrës në jetën politike që në rininë e tij kalon mjaft vështirësi e rreziqe. Arrestohet që në vitet e para (komuniste) dhe akuzohet randë: rrezikon edhe pushkatimin. Edhe në burg mbeti ndër miqtë ma të mirë të katolikëve çka nuk shihej mirë nga ana e fanatikëve në burgun e Burrelit. Shpëton duke vuajtur mjaft vite burgu…”.
Kur Fjala shqiptohet nga Njeriu i besueshëm e i nderuar, ajo është e bindshme. Publiku e pranon. Kur Fjala ka të bëjë me Kryevlerat e një Kryeveprae, si lahuta, dhe të Njeriut të madh të Kombit, si Fishta, atëherë, edhe fjalët janë të zgjedhura. Kësisoj, edhe Fjalët e Hafiz Ali Krajlës janë të përzgjedhura, kanë përmbajtjen elokuente, dhe po hynin në Kujtesën e kombit, së bashku me Fishtën e veprën e tij.
Henry Hardwicke, në veprën e tij "Historia e oratorisë dhe oratorët", shprehet:
"Oratori është prind i lirisë. Me kushtetutë rregullat përcaktojnë që elokuenca duhet të jetë qëndrimi dhe mbështetja e fundit e lirisë dhe se me të ajo është e destinuar të jetojë, të lulëzojë dhe të vdesë. Është në interesin e tiranëve që ta dëmtojnë dhe dobësojnë çdo lloj elokuence. Ata nuk kanë siguri tjetër. Është atëherë detyra e shteteve të lira për të nxitur oratorinë. "
Prandaj, regjimi që erdhi pas, iu frikësua Njerëzve të Dijes e të Elokuencës që mishëronin vlera të larta të dijes, shkrimit, krijimit dhe ndikimit. Këtë e dinte edhe Kraja që do ta burgosin. Por ai shprehu bindjen e patundur: "Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në Lahutë, do ta mbajnë me forcë të madhe… "
Kjo besë u mbajt dhe u forcua. Lahuta i rikthehet kombit, së bashku me emrat e mëdhenj.
( 27 maj 2017)
*******************************************************
********************************************************
FJALIMI I HAFIZ ALI KRAJËS NË VARRIMIN E AT GJERGJ FISHTËS,
NË SHKODËR, MË 30 DHJETOR 1940
“Poet kombëtar, o Patër Gjergj! Një orator, tue dashtë me folë mbi veprat Tueja, rrin shtang e hutohet, sepse ata janë shumë, janë aq të mëdhaja e të madhnueshme, sa asht vështirë me caktue se mbi cilën aso veprash duhet me folë. Vepra Yte o Poet, ka për të formue nji faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk kje tjetër veçse me i sigurue kombit tonë të drejtat, qi ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën tande politike do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së malcis” – kryevepra jote monumentale. Të jesh i bindun o Poet i Madh, se shqiptari me Lahutën e Malcis ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamenë, mbasi, ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psiqikën e karakteristikat ma të ndjeshme të popullit shqiptar. Sot djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep besën shqiptare tue t`u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësinë shqiptare, do ta ruejnë e do ta mbajnë si gja të shenjtë morale. Gjithashtu edhe populli mbarë, i fushave dhe i maleve, anë e kand në Shqipni sot nep besën, se Lahuta e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në Lahutë, do ta mbajnë me forcë të madhe… Me ty, patër Gjergj, kombi shqiptar mburret, naltësohet dhe madhnohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet; djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot në faqe të përcjellim me mallnjim e dhimbje në jetën e pasosun”.

0 comments:

Post a Comment