Friday, May 12, 2017

Prend BUZHALA: QYTETËRIMI E ARSIMI SHQIPTAR NË GOJËTARINË E LUIGJ GURAKUQIT


(Çaste eseistike: Fjalimi i Luigj Gurakuqit që e mbajti më 1 dhjetor 1909, kur u hap Normalja e Elbasanit. NGA LEKTYRA E ORATORISË SHQIPTARE), 11
Të shumta janë edhe Fjalimet që e shquajnë si orator Luigj Gurakuqin, një personalitet që u spikat në shumë fusha: në atë të jetës politiko-shoqërore dhe në atë të jetës arsimore-kulturore. Duke qenë gjithnjë një intelektual i shkolluar në ne Kolegjin arbëresh të Shën Adrianos e të Shën Dhimitër Korones, duke pasur mësues të spikatur, atdhetarë e intelektualë të shquar si Anton Xanoni, Gaspër Jakova - Merturi dhe Jeronim De Rada; duke njohur gjuhë të huaja (njihte shkëlqyeshëm latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, dinte greqisht e gjermanisht dhe thuhet se ka të ngjarë edhe anglishten); duke u shquar si rilindës, luftëtar, demokrat, revolucionar e veprues në të gjitha kohët, deri sa u vra më 2 mars 1925 nga dora mbretërore zogolliane; Luigj Gurakuqi ishte personifikim i ngjarjeve kulmore të çerekshekullit të parë të shek XX: si drejtori i parë i Normales së Elbasanit, si krahu i djathtë i Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë, dhe si demokrat revolucionar pranë Nolit në vitet '20. Ai ishte edhe poet, teoricien i letërsisë në fushë të metrikës, u mor me kritikë letrare e gjuhësi, por u dallua edhe në fushën e përkthimeve, në atë të publicistikës, nga njëra anë, si dhe në atë të diplomacisë, të arsimit, të pedagogjisë, në qeverisjen e shtetit, dhe si opozitar i urtë e me intelekt...
1.
Mbasi kishte një gamë kaq të gjerë njohurish, veprimtarish dhe interesimesh, Luigj Gurakuqi ka dhe një varg fjalimesh që e dallojnë si njërin ndër oratorët më të spikatur në gojëtarinë shqiptare. Janë të njohura fjalimet e tij në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, fjalimet në Parlamentin shqiptar (1920-1924), Fjalimi në varrimin e Avni Rrustemit, fjalimet e ligjëratat në konferencat me karakter politik e ekonomik etj.
Kësaj radhe, zgjodhëm Fjalimin e tij të parë, atë që e mbajti më 1 dhjetor 1909, kur u hap Normalja e Elbasanit, drejtori i parë i të cilës ishte vetë Gurakuqi. Ishte shkolla e parë e mesme profesionale dhe pedagogjike shqiptare, si "rezultat i natyrshëm i përpjekjeve të rilindësve dhe i mësuesve shqiptarë për gjuhë dhe shkollë shqipe, i ndryshimeve që solli kushtetuta xhonturke, i përpjekjeve dhe traditave të popullit arsimdashës të Elbasanit. Ajo ishte fryt i vendimit të parë të Kongresit Arsimor të Elbasanit" (shkruan studiuesi Hajrullah Koliqi). Ishte kohë përplot vorbulla historike, kohë e vendimeve të mëdha...
Kësisoj, edhe Fjalimi i Luigj Gurakuqit, i thurur me një pathos dhe gjuhë të poetizuar, vë në pah atmosferën e krijuar gjithëkombëtare për arsim, dije e përparim, për kulturë e qytetërim. Vë në pah këtë nismë historike, që u bë një përmasë kaq e rëndësishme e historisë sonë, dhe kjo përmasë historibërëse shfaqet që në fjalinë e parë:
"Dita e sotshme, kjo ditë e bardhë e pot hare, që gëdhini sot mbi qytetin tonë, do të mbetet si një ditë e madhe, si një ditë e çquame (e shquar) e paharrueshme në histori të kombit t'onë, do të qëndrojë si një kreme (kremte, festë) e shënjtë e e përvjetëshme, e cila do të lutet me nderim e me brohorië, babë mbas babe e djalë mbas djali, ndër kohnat e panumëruarshme(në vitet e panumrim) që do të vijnë e gjer në jetë të jetës."
2.
I njohur si popull trim e luftarak, i njohur si komb me njerëz fisnikë, të besës e të burrnisë, i lavdishëm në histori; ai po pajisej edhe me një virtyt tjetër, me atë të dashurisë ndaj dijes e arsimit:
"ky komp po i shton vetvetes edhe nji tjetrë veti të mirë, dua të thom, dashuninë për mësimin e për dituninë, që e kishte gjithënji në gjak e në natyrë, po që mjerisht nga shumë e shumë shkake (arsye) nuk mundi gjer më sot t'a rrëfente e t'a zhvillonte ashtu si duhej."
Fjalimi evokon historinë trimërore, por edhe shkaqet e ngecjes e të mohimit të kërkesave për arsim në gjuhë amtare. Më tutje ai shpërthen në një përmasë tjetër gojëtarie, pothuajse përmasë platonike, ku edukimi ka edhe vlerat e së bukurës, edhe ato të një realiteti të epërm, dmth atë të një humanizmi si vetëdije të zgjuar moderne, si vetëdije për harmoninë shqiptare, ku shpirti i folësit duhet të ligjërojë sa më bukur, sa më ëmbël, si lyra e Amfionit dhe Orfeut dhe ku ligjërimi i bukur dhe i mirë gërshetohet me të vërtetën:
"nga kjo shkollë do të dalin ata apostuj të nxehtë e të vullnetshmë, që do të përhapin dritën ndër ato ma t'errtat vise; do të dalin ata burra njeridashës, të cilët, si Orfeu e si Anfioni, me urtësinë e me ambëlsinë e fjalëvet e të këshillavet të veta, do të zbutin egërsinat, do të tundin currat e shkambinjt, do të qytetërojnë e t'afrojnë njerëzit e t'i bajnë që të duen e të ndihmonen si vëllau rne vëllanë!"
Gurakuqi, me formim sa klasik aq edhe bashkëkohor, sintetizon, brenda një njësie retorike, dhuntinë e natyrshme të të folurit dhe mjeshtërinë e mendjemprehtësisë intelektuale. Ai është i vetëdijshëm që është ndër të parët që po çelin udhë të tilla ("edhe unë një nga punëtorët e parë"), prandaj është e ligjshme ta ndiejë veten krenar dhe të nderuar, por ai është i vetëdijshëm, po ashtu, se puna e tillë po krijon "harenë e madhe": " sot shpirtnat e të gjithë Shqypëtarëvet bashkohen me tonat ndë hare e ndë gazment!"
3.
Përbashkësia e tërësia shqiptare është edhe ideal edhe realitet i krijuar. Elbasani gjendet në mes të Shqipërisë, aty ku takohen dy kryedialektet e shqipes. Nuk është e habitshme, prandaj, përse te ky Fjalim Gurakuqi përdor trajta fjalësh e shprehjesh edhe gegnisht edhe toskërisht, meqë nga shumë intelektualë rilindas, që nga Kristoforishi e këndej, mendohej që elbasanishtja duhet të shërbente si standard i një gjuhe të përbashkët kombëtare, por edhe i një vetëdijeje të përbashkët të tërësisë shqiptare moderne:
"Elbasani, sikundër asht mezi i Shqypnisë landore, ashtu do të jetë edhe mezi i Shqypnisë mëndore: do të jetë truni, do të jetë zëmëra e të gjithë shqyptarëvet. Këtu katundësi nxe qytetarin malësori me fusharakun do të bashkëtrajtojnë se do te bahen një. Këtu Toska me Gegën do të derdhen, do te ntreten, do të përzihen bashkë, do të përnjëshmohen e do të harrojnë emnat e tyne; këtu gjuha shqype tue u përkulun pas kësaj ligjirate t'ambël, do të marrë një trajtë e një fytyrë të përbashkmë; kendej do të dalin shqypëtarë, vetëm shqypëtarë!"
Nuk është e rasti pse Hasan Prishtina i dërgon në këtë shkollë djem nga Kosova e Dibra, por ai e ndihmon edhe financiarisht Normalen e Elbasanit.
Evokimi historik që vetë Gurakuqi ua bën toponimeve botërore e shqiptare, ku shtriheshin vatrat e lëvizjeve kombëtare, si dhe evokimi i figurave historike kombëtare, ata "burra të pavdekun", punuan shumë për t'u ngritur kjo "ndërtesë e shënjtë" (Shkolla Normale). tempull për shqiptarët, pra është shkolla, dija, të cilës ata do t'i falen tash a tutje.
4.
Ligjërata e tij pasurohet edhe me mendimin e tij pedagogjik, refleksiv dhe shtjellues; shfaq ekzaltim, se edhe ne po hyjmë në kuadrin e kombeve të qytetëruara; se arsimi është mburojë e identitetit shqiptar dhe këpujë e tërësisë shqiptare:
"Arësimi asht i përgjithëshmë, ngulë rranjë kudo, përhapet në çdo vent. Me anë të mësimit e të ditunisë njerëzit u njohnë ma mirë, lidhnë marrëdhanie ndë mes të tyne, u afëruan, u bashkuan, u banë vëllezën. Mësimi e ditunia i rëzuan ato mure të larta që ndanin njeriun prej njeriut; thyen currat (shkrepat) e shkambinjt, çanë e përshkuan kodrat e malet, lidhnë bashkë fushat e qytetit, sunduan detnat e oqeanet e bashkuan popujt njënin me tjetrin, banë të tanë botën si një fëmijë (familje) të madhe e kri- juan të gjitha ata çudina që shohim sot e që nuk duken si punët e njeriut."
Luigj Gurakuqi nuk flet sa për të folur, ashtu si veprojnë sot jo pak drejtues institucionesh e kabinetesh ministrore, presidenciale a qeveritare; ai, kur flet, e ndien forcën e Fjalës së Gjallë.
Luigj Gurakuqi nuk flet si shumë drejtues të sotëm, qofshin ata ë arsimit a të jetës shoqërore e politike, të cilët nuk e sprovojnë ligjëratën a fjalimin e tyre të mbështetur në formimin e ndërgjegjes së kohës; ai, kur ligjëron, dëshiron të mbjellë te dëgjuesi farën e një shpirti të zgjuar shqiptar.
Dashurues i madh i shqiptarësisë, përparimit, pavarësisë, lirisë, demokracisë dhe qeverisjes së mirë; ai edhe bie fli e kësaj dashurie të pakushte dhe të pakufi, mu ashtu si ligjërojnë edhe fjalët e tij...
( 11 maj 2017)
********************************************************
********************************************************
FJALA E Z. GURAKUQl
(Na u-dërgua prej korespondentit tonë nga Elbasani teksti i plotë i fjalës, që u mbajt në Shkollën Normale prej Z. L. Gurakuqi).
„Dita e sotshme, kjo ditë e bardhë e pot hare, që gëdhini sot mbi qytetin tonë, do të mbetet si një ditë e madhe, si një ditë e çquame (e shquar) e paharrueshme në histori të kombit t'onë, do të qëndrojë si një kreme (kremte, festë) e shënjtë e e përvjetëshme, e cila do të lutet me nderim e me brohorië, babë mbas babe e djalë mbas djali, ndër kohnat e panumëruarshme(në vitet e panumrim) që do të vijnë e gjer në jetë të jetës.
 Kombi shqyptar, që shkëlqen gjithëmonë përmbi tjerët e me trimërinë e fisnikinë e vetë; ky komp që përmëndet kudo, me nderë e me lavdim prej të gjithëve, për besën e burrëninë, që kurr s'i ka mohuar; ky komp po i shton vetvetes edhe nji tjetrë veti të mirë, dua të thom, dashuninë për mësimin e për dituninë, që e kishte gjithënji në gjak e në natyrë, po që mjerisht nga shumë e shumë shkake (arsye) nuk mundi gjer më sot t'a rrëfente e t'a zhvillonte ashtu si duhej. Në këtë shkollë te madhe për mësonjës, që ishte dëshiri e shpresa e 'të parëvet tanë prej vjetësh e vjetësh, fillesën e se cilës na jemi mbledhun sot të kremtojmë bashkarisht; kombi shqyptar po mbiell farën e ditunisë, po heth themelin e mësimit, pse nga kjo shkollë do të dalin ata apostuj të nxehtë e të vullnetshmë, që do të përhapin dritën ndër ato ma t'errtat vise; do të dalin ata burra njeridashës, të cilët, si Orfeu e si Anfioni, me urtësinë e me ambëlsinë e fjalëvet e të këshillavet të veta, do të zbutin egërsinat, do të tundin currat e shkambinjt, do të qytetërojnë e t'afrojnë njerëzit e t'i bajnë që të duen e të ndihmonen si vëllau rne vëllanë! I math e i pa-rrefye- shmë asht pra sot gëzimi i jem, o Zotnij të nderëshmë, që pata fatin e bardhë të ndodhem ndë mest tuaj e të marr pjesë ndë harenë e madhe që sot ju ndien zëmëra; tepër i lartë asht nderi që më dhuroi i hyjneshmi Perëndi, që të numërohem edhe unë një nga punëtorët e parë që do të përpiqen e do të derdhin djersën e vetë për rreth kësaj ndërtese të madhe (dmth shkolla normale që po hapej).Po mos kujtoni, o Zotënij të nderëshmë, se vetëm zëmërat tona këndojnë e lulëzojnë në ditë të sotshme; mos kujtoni se vetëm shpirti ynë kënaqet e dëfren. Sot zëmërat e Shqypënisë së tanë rrahin për një herë me tonat, sot shpirtnat e të gjithë Shqypëtarëvet bashkohen me tonat ndë hare e ndë gazment!
Ndë malet e larta e të mbulueme me borë, malësorët e rrebtë e të fuqishmë, që me hutën ndë krah janë kurdoherë gati t'u kundërshtohen anmikut e të derdhin gjakun për nderin e Shqypnisë; nder qytetet e mëdhaja tregtarët e kujdesëshmë, qe perpiqen të shtojnë gjanë e pasuninë e vendit, nder xhamia e ndë kisha hoxhë e priftën që i falin të lartit Zot shërbimet e vetë, të gjithë, po të gjithë e kanë sot të sjellun synin mbi ne, të gjithë janë sot si të varunë prej nesh, e me gaz e me dashuni vërejnë e vështroinë Elbasanin, këtë qytet të bukur, që polli e ushqen kurdoherë në gji të vet burra të dijëshmë e të vlerëshmë e atdhetarë trima e të flaktë; vërejnë e vështrojnë Elbasanin mbi të cilin leu sot një diell i ri që do të përhapë dritën e vet të shkëlqyëshmë e do të lëshojë rrezet e tija jetëprurëse mbi të gjithë Shqypninë, e ndë tokë të të cilit bini sot një lule e zgjedhun, që do të përndajë erën e vetë ndër të tanë qytetet tona, një erë të hollë e të kandëshme, një erë ditunie e qytetërimi. E jo vetëm Shqypnia e gjallë, o Zotnij të nderëshmë, merr sot pjesë në gëzim tonë, po bashkë me të lëkundet e brohoritë edhe Shqypnia e herëshme; edhe ata etnit tonë, që u përkujdesnë aqë fort për gjuhë e për kombësi, edhe ata, po po, gëzojnë sot e kënaqen për një herit me ne. Mbrënda varrevet t'errta e të ftohta, eshtnat e kocinjt e tyne, sot tunden e djersijne, e një gjamë e lehtë e nëpër dhé përshkon sot anekand viset tona, zgjon nga gjumi i thellë të vdekunit tanë e u rrëfen me gëzim ndodhjen (ngjarjen) e madhe. Andaj nga kodrat e lulëzueme t'Ysqudarit, andej nga sukat e blera e të mveshuna me ullinj e portokalle të Libanit ngrihen hijet madhështore të Naim be Frashërit e të Vaso Pashës e mbi krahët e erës së lehtë, hidhen mbi ranën e xehtë të Misirit t'i japin Mehmet Aliut sihariqin e gazmuëshmë. Valët e shpejta të Nilit marrin fjalën e tyne, e tue u bashkuar me tallazet e detit, vijnë e përpiqen me brigjet e Shqypnisë e, për nden dhé, i sjellin të Madhit Nelko Kristoforidhi përgëzimet e atyne burrave të pavdekunë për ndërtesën e shënjtë, që po themelohet sot ndë qytete të tij të madhënuëshëm...
S'mbramit gëzon bashkë me ne edhe njerëzia e tanë, pse mësimi e ditunia, O Zotënij të nderëshmë, nuk kanë kufinj, nuk kanë sinjore. Arësimi asht i përgjithëshmë, ngulë rranjë kudo, përhapet në çdo vent. Me anë të mësimit e të ditunisë njerëzit u njohnë ma mirë, lidhnë marrëdhanie ndë mes të tyne, u afëruan, u bashkuan, u banë vëllezën. Mësimi e ditunia i rëzuan ato mure të larta që ndanin njeriun prej njeriut; thyen currat (shkrepat) e shkambinjt, çanë e përshkuan kodrat e malet, lidhnë bashkë fushat e qytetit, sunduan detnat e oqeanet e bashkuan popujt njënin me tjetrin, banë të tanë botën si një fëmijë (familje) të madhe e kri- juan të gjitha ata çudina që shohim sot e që nuk duken si punët e njeriut.
...Andaj pra i qoftë lavd e nder Elbasanit që me atdhesi e me përparim të vet u vu ndë krye të qyteteve tjera e po hap sot këtë shkollë për mësonjës, nga e cila do të përhapet drita e mësimit ndë të gjithë vendin tonë.
Elbasani, sikundër asht mezi i Shqypnisë landore, ashtu do të jetë edhe mezi i Shqypnisë mëndore: do të jetë truni, do të jetë zëmëra e të gjithë shqyptarëvet. Këtu katundësi nxe qytetarin malësori me fusharakun do të bashkëtrajtojnë se do te bahen një. Këtu Toska me Gegën do të derdhen, do te ntreten, do të përzihen bashkë, do të përnjëshmohen e do të harrojnë emnat e tyne; këtu gjuha shqype tue u përkulun pas kësaj ligjirate t'ambël, do të marrë një trajtë e një fytyrë të përbashkmë; kendej do të dalin shqypëtarë, vetëm shqypëtarë!
E botojmë me disa shkurtime e me dsa ndrvshime në punë t'orthografisë.
(U mor nga vëllimi Luigj Gurakuqi: VEPRA 1, “Rilindja”- Redaksia e botimeve, Prishtinë 1988, f. 127-131.)

0 comments:

Post a Comment