Tuesday, May 2, 2017

Prend BUZHALA: FJALIMI KRYEHISTORIK I SKËNDERBEUT


(Çaste eseistike: NGA ORATORIA), 2
Retorika antike, që nga Aristoteli i moçëm, konsiderohet art i shprehjes, i TË FOLURIT BUKUR, i diskursit, që kishte të bënte me angazhimet e saj në sferën politike, në atë të poezisë, mitit dhe arsimit: për ta bindur,për të ndikuar, motivuar dhe nxitur një publik a masë të caktuar njerëzish. Kësisoj ndodhi deri në shk. XIX. Më vonë, fenomenet retorike ishin sferë e studimeve të gjuhësisë, meqë është thelbi i lëndës gjuhësore që karakterizon një tekst retorik a një fjalim të shkruar a të folur. Gjithashtu, retorika, që nga fillimet e saj, është fushë e studimeve filozofike. Fjala retorikë rrjedh nga gr rhētorikós Greekῥητορικός, latinisht "Oratorio", dhe gr ῥήτωρ lat orator ", FOLËS PUBLIK.
1.
Në kujtesën historike shqiptare, ruhet, nëpërmes Marin Barletit te vepra "Historia e Skënderbeut" , Fjalimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut përpara arbërorëve pas çlirimit të Krujës nga Osmanët, më 28 Nëntor 1443. Formula "Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu", është tashmë proverbiale, që ka depërtuar në vetëdijen historike shqiptare kombformuese e shtetbërëse: sa herë gjatë historisë janë ndërlidhur ngjarje me këtë datë, siç është Nëntori i Dytë i 28 Nëntorit 1912 në Vlorë... e deri te historia më e re, kur del në skenë UÇK-ja, si forcë e re çlirimtare me tradita kastriotiane. Barleti ka formim klasik për shkrimin e tij: atë aristotelian, siç janë thirrjet, patosi dhe etosi. Thirrjet! A nuk ekziston edhe shqip fjala KUSHTRIM (kush asht trim), si formulë që u drejtohej luftëtarëve, a banorëve të një ane, për t'u grumbulluar, se po ndodhte një rrezik?! Të njohura janë edhe Fjalimet tjera të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, si ai në Kuvendin e Lezhës më 1444, në Vatikan më 1467 dhe Fjalimi para Vdekjes. Ka dhe fjalime të tjera të tij që ose ruhen në arkiva, ose përfshihen te veprat tjera, si te ato të Dhimitër Frangut, Frang Bardhit etj.
2.
Të mos harrojmë: te ky fjalim kastriotian (1443), përdorimi më i shpeshtë është ai i fjalës LIRI, ndryshe nga civilizimi pushtues otoman që nuk e kishte në fjalorin e vet këtë fjalë (ata kishin fjalën nënshtrim Allahut kundër "të pafeve"... Orlando Paterson, një dijetar amerikan, në librin e tij “Liria në formimin e kulturës perëndimore”, thotë se liria ka formuar modelin kulturor të Perëndimit, ka qenë vlera thelbësore e kulturës perëndimore gjatë gjithë historisë së saj; ndërsa fjala liri te popujt e vendeve joperëndimore nuk ekziston, ato vende e popuj nuk kanë ndonjë fjalë a term të barasvlershëm që do ta shprehte konceptin për lirinë. Dhe nënvizohet: Liria qëndron e pasfiduar si vlera më madhore e botës perëndimore; liria lindi nga përvoja e skllavërisë, nga vizioni i përbashkët për lirinë.
Dhe Skënderbeu, nëpërmes Barletit, na del Mbrojtës i Lirisë. Askund nuk përdor formula fetare të krishtera! Ani pse Barleti ishte një prift!
Barleti po shkruante si humanist, dhe heroi i tij, në radhë të parë, është humanist, zëdhënës i ri i pikëpamjeve për lirinë. Madje, fjalia e parë retorike, me figurën e apelacionit, hapet me fjalinë që ka thelb të saj lirinë: "Ju epirotët (arbnorët, P.B.), mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë...",
 Dhe tutje e tutje: "Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit..." Përkufizimi i tillë, nxjerr në shesh SHQIPATRIN (ARBËRORIN, ARBNORIN) si karakter që është mësuar të mos jetojë i nënshtruar, si karakter durimtar për ta realizuar qëllimin, por njeri që nuk duron mbi veten dikë tjetër... "Po përse doni që unë ta mbaj për vete me të padrejtë emrin e çlirimtarit?" Ja pra, një tjetër koncept, çlirimtari (liberatori). Mirëpo Barleti, di tjetër, shfaq, nëpërmes Skënderbeut, dhembshuri edhe për popullin turk që vuan nën tiraninë e Sulltanit! Dhe këtë e thotë Skënderbeu, e thotë Barleti prift i krishterë! Mendime që i qëndrojnë plotësisht edhe kohës së sotme. Secila fjali për lirinë, është e bindshme edhe sot. Tingëllojnë të fuqishme edhe sot ato fjali: “Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat….”
Për nga retorika e shprehjes, Fjalimi përdor thënie figurash të eksklamacionit, thirrmës, lavdit. Lavdi, nga heroi, kapërcen tek liridashësit. Fjalitë e tilla eksklamative, thirrmore, dhe me intonacion thirrmor, shprehin ndjenja të forta, patos të zjarrtë, etos të fortë moral, luftarak, atdhedashës dhe liridashës: “Të nisemi, pra, pa ngurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri.” Tipi i tillë i thënies retorike, shfaqet më i fuqishëm. Teksti është i pasur me gamën e gjerë të botës emocionale (shpreh atdhedashuri, liridashje, zemërim fisnik kundër armikut, habi që fuqizojnë dashurinë e trimërinë, lumturinë e gëzimin e çlirimit, shpreh keqardhje, mobilizim, fjali pyetëse që shprehin nxitje e vrull etj).
Nga ana tjetër, bien në sy edhe figurat retorike të përforcimit ((auxesis), shkallëzimi i fjalive me ton gjithnjë në rritej, gjithnjë e më të ngritur, përforcime të përsëritjes së fjalëve dhe ideve, denduria epigramatike, që sintetizon thelbin e fjalisë në formë sentence që merr përmasa historike ("Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu")... Sikur të mos ishte personalitet historik, as kjo thënie nuk do të kishte mbijetuar. Sa historikisht vetëdije-formuese është kjo thënie ndër ne!
Mesazhe të fuqishme na përcjell edhe sot!
3.
Duke jetuar në Venedik e Romë, Barleti ka njohur mirë retorikën greko-romake, Ciceronin (“Folësi duhet të mbajë në mend tri gjëra: çka flet, kujt i flet dhe si flet", “Oratoria është arti për të thënë vetëm atë që duhet", dhe Kuintilianin: “Goja flet kur zemra është plot.”)
Vetë Skënderbeu kishte një formim elitar dijesh për kohën, duke marrë dije edhe nga shkollimi ushtarak e politik në Orient, në Stamboll dhe nga ato të Perëndimit. Mund t’i shtohet këtu edhe etosi tradicional shqiptar luftarak, liridashës e atdhedashës. Sidomos do pasur parasysh traditën ilire-arbërore-shqiptare të mbajtjes së kuvendeve (si ai i Lezhës etj), ku gjithsesi spikatet edhe Forca e Fjalës.
( 2 maj 2017)


************************
************************
FJALIMI I GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEUT PËRPARA ARBËRORËVE PAS ÇLIRIMIT TË KRUJËS NGA OSMANËT MË 28 NËNTOR 1443
Nga Marin Barleti
Ju epirotët, mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë, një tjetër përkryes të qëllimeve dhe të aspitatave tuaja, sepse, në këtë vend, s’kanë munguar mendjet e ndritura. Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit. Po përse doni që unë ta mbaj për vete me të padrejtë emrin e çlirimtarit? Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu. Sapo më shkeli këmba truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, m’u derdhët me vrap të gjithë, më dolët përpara kush e kush më parë…Ju më latë prapa, ju m’i lidhët menjëherë duart, ju më mbytët me shërbime aq të mëdha dhe me një gaz shpirtëror aq të madh, saqë duket se ju më keni bërë tani aq rob, sa edhe të lirë. Mbretërinë dhe këtë qytet nuk jua dhashë unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat, dhe si kujdestarë të pashoq, të lënë nga ati im, e vutë përsëri në vend, me kujdes e besnikëri të pandryshuar, skeptrin, që ma ruajtët gjer në këtë ditë, dhe më bëtë përsëri, me mundin e punën tuaj të papërtuar, zotërues të mbretërisë së të parëve të mi, pa derdhur gjak…Pjesën më të madhe të punës e kemi mbaruar. Kruja është fituar, krahina e gjithë është jona, Dibrat dhe pastaj popullsitë e tjera janë bashkuar me ne dhe emri i armiqve është zhdukur nga fusha; mbeten qytetet. Po të mendoj gjendjen e tyre të vështirë, duke parë se të gjitha janë të rrethuara nga ne, të zëna në befasi, se të rrethuarve u kanë mbetur vetëm muret e zhveshura, kam shpresa të mira. Po të marr parasysh vështirësitë që paraqitin këto vende dhe trupat që janë vendosur brenda nga Tirani, duket se do të jetë nevoja të përdorim ndonjë zgjuarsi apo këmbëngulje shumë të madhe. Por këto do t’i gjykojmë më mirë, kur të ndodhemi në vend e të kemi përpara armikun e kur të mbajmë shpatën në këtë të djathtën tonë shkrumbuese, sesa për së largu e në tym. Të nisemi, pra, pa ngurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri. Megjithëkëtë, duhet t’ia nisim, para së gjithash, nga Petrela, jo sepse kjo kështjellë mbetet prapa të tjerave për nga vështirësia e pozitës apo nga mbrojtja natyrore, por sepse është më afër këtij qyteti. Unë besoj se ne do t’a gjejmë atje emrin dhe frikën e fatit të Krujës më të madhe, sepse ata i panë me sy edhe trimëritë tuaja, edhe fatkeqësitë e veta. Këto do të mund t’u kallin atyre një frikë ndoshta jo të vogël e, në mos ua kallshin tamam këtë, atëherë do të veprojë sigurisht këmbëngulja jonë. Një gjë vetëm duhet të na ngulet mirë në kokë dhe të mos na dalë asnjërit nga mendja; në mos u pushtoftë ai qytet e në mos qofshim të aftë t’i plotësojmë dëshirat tona, atëherë s’kemi sepse të kthehemi prapë në shtëpi. Na duhet të provojmë çdo mjet, mundin, durimin, shpatën, arin dhe argjendin, me qëllim që fitores sonë t’ia fillojmë që këndej…Në qoftë se do të na jepet mundësia që ta shtiem qytetin në dorë pa derdhur gjak, duke na e dorëzuar vetë vendasit, atëherë do të na duhet që të gjithëve të veprojmë me urtësi të madhe si publikisht ashtu dhe privatisht, me qëllim që të nxitim kështu edhe të tjerët për dorëzim.

0 comments:

Post a Comment