Wednesday, May 17, 2017

Ramiz Kuqi: BUZË LUMIT


( Shkëputur nga një tregim )
“Jetoj me frikë, sepse këtu është ferr.Kudo ndjej aromën e gjakut.Edhe kur bie në gjumë, më përcjell një hije trishtimi. E mbyll derën me lloz të trashë. Por më duket se ankthi ma zë frymën , më ngulfat. Përpiqem ta largoj, por forcë nuk kam. Edhe kur pikat e shiut përplasen nëpër xhama. Thjesht, më ka hyrë frika në palcë.Zgjoem trembur në mesnatë, mbështillem me batanije të trashë e djersët më shkojnë çurkë nëpër fytyrë. Po kokën nuk guxoj ta nxjerr jashtë. Nuk e di pse tërë kjo frikë është akumuluar në kokën time edhe pse askush nuk më ndjek kur zbardh agimi e del dielli në horizont. E shikoj lumin si rrjedh nëpër bregun e vet dhe aty meditoj. Më ngjan se hapëroj bashkë me lumin. Nga nuk me shkon mendja. Nga vjen, ku derdhet, si e kalon natën. A e dëgjon ky lumë ndonjë zë nga thellësia e gurgullimës së tij. Përse është herë –herë i trazuar? Me kënd flet kur del hëna si nuse e stolisur në ar? A zbresin yjet nga qielli për të dëgjuar klithmat e dallgëve? Sa pulëbardha zbresin për të kërkuar ndonjë peshk në këtë pranverë të ftohtë si të ishte dimër. A thua si do të jetë dita e nesërme për mua? Do të gjej punë për të jetuar si njeri ? Sepse, udhët janë mbyllur .Paria bën punën e vet. Hesht kur duhet të mos hesht. Atyre që flasin e shkruajnë, ua vë ndërgojsën në gjuhë.Bile edhe të lënë në udhë të alivanosur. Kohë maskash ! Nuk zgjedhin gjini. Dikur edhe vrasësi kur gjendej në shoqërim të femrës, Kanuni e dënonte rëndë nëse tentonte ta merrte hakun. Sot jo vëlla.Një plumb , si në ditët e para të pasluftës...Dëgjoje me veshë e nuk mund të besoje..Pesëdhjetë cent jeta ! Kjo më frikëson edhe sot. Aty ku kam lindur e rritur, bërë këtë shtat , të frikësohem nga njerëzit . As për martesë nuk mendoj më. Ndoshta është një kënaqësi jete për disa muaj e vite. Po kur të lindin fëmijët, me çka do t’i mbajë unë? Ku do të mbetet krenaria ime ?Do të nisin grindjet, akuzat e ndërsjella. Do të më thonë se je i paaftë për ta mbajtur familjen. E pastaj ? Ec dhe vështron malet, shkëmbinjtë e thepisur. Dy shqiponja fluturojnë nëpër grykë. Ngrit sytë lart qiellit. Është mbushur me re të bardha, të murrme, të zeza. Do të bie shi- belbëzoi me veten, Jam veshur hollë. Më mashtruan rrezet e para të diellit .Kur dola në udhë, ndjeva një freski të lehtë. Tash trupit më shkojnë mornica të vogla. Haha, hahaha ! Qesh , po pse qesh o shpirt? Pse ? A mos kam unë faj ? Jam i fortë si graniti për punë. Po ku të gjej? Kush të më mbroj ? Ligji ! Po ku është ai ligj? Sa punëtorë kanë rënë nga skelet e larta të ndërtesave? Kush u përgjegj para ligjit ? A nuk më thua Fjala ime ? Mos po më dëgjon ndokush . E do të thonë: qenka çmendur ! Po unë nuk jam çmendur. Flas me veten time. E kush mund të ma ndalojë këtë , të flas me veten, të zbraz këtë liqe të krua ndjenjash të çiltëra si loti. “
Me këto meditime Urani u end atë mëngjes prilli nëpër udhën e ngushtë, afër lumit. Vëmendjen ia tërhoqën drunjtë e blirit të mbushura deng me gjethe. Duke ecur , takoi fqiun e tij Nikun, i cili ka vite që zgjohet herët , sepse mjeku anglez i kishte preferuar ecjen për ta zhbllokuar këmbën e majtë, e cila sa herë kur ndërrohej moti, i shkaktonte dhimbje deri te gishtërinjtë e këmbës.
-Paske dale sot herët Uran?- e pyeti djaloshin njëzet e katër vjeç. Nuk të kam pare një kohë të gjatë..Kam pyetur fqiun e pare një ditë kur dola në kopsht për të krasitur disa degë të thata në mollë. Më tha se ke ikur në Evropë.
-Gjeta punë si taksist në qytetin fqi. U gëzova shumë, Pagesa nuk ishte solide, por u adaptova shpejt. Punoja edhe natën. Pa orar. Mbi dhjetë orë. Më paguante nga dyqind euro në muaj.Edhe prindërit u gëzuan shumë. E kishin edhe një pagë më shumë .Vëllai , Arsimi, ka dy fëmijë dhe shpenzimet familjare për një muaj janë marramendëse. Po pronari I kompanisë për çdo muaj ma zvogëlonte pagën. Gjente arsye se nuk kishte fitim.Por tridhjetë veturat e tij nuk ndaleshin as ditën, as natën. Paga ime zbriti deri në njëqind e njëzet euro.Udhën nuk ma pagoi nga muaji i tretë i punës. Unë heshta. Marrëveshje as vendim nuk më lëshoi asnjëherë. S’kisha ku të ankohesha. Krejt ishte një bisedë gojore për punë.
- Hmmm…e kafsoi buzën Genti. Po, po -. Ligji nuk e mbron punëtorin. Ka vetëm fjalë në letër.Ja , shikoni si hahen si qentë për një cope asht…I përcjell lajmet, debatet, sharjet, fyerjet, kërcënimet?
- Rrallë i përcjell. Nuk kam nerva. Çdo gjë më është bërë monotone. Edhe jeta. Unë sot mund të punoj. Në Zvicër nuk pata fat. Qëndrova tetë muaj. Askush nuk rrezikonte të më merrte në punë pa letra.Mezi sigurova paratë për të nxjerrë një biletë kthyese për t’u kthyer në shtëpi. U bënë tri vjet që kur jam kthyer në vendlindje
Alnabry, më 16.5.2017

0 comments:

Post a Comment