Sunday, May 14, 2017

Grigor Jovani: Cikël Poetik

SYMBYLLAZI

Hap librat e fëmijërisë dhe gjej
qiell. Më shfaqet një balonë, e cila
ka pe të këputur dhe dergjet si flutur
e balsamosur. Një vogëlush me tiranda
qan me të nëpër duar.
Provoj të vesh çorapet e dikurshme. Gjej
fotografi bardhë e zi, të shumtat
i kisha harruar.
Shkurret kanë mbuluar përroin pas
shtëpisë. Bën vazhdimisht kohë e keqe.
Në kopësht hyjnë dhe dalin samarxhinjtë
me mushkat e shiut. Shkallmonë gardhet
më sëpata. Janë vetëtimat. Paralajmërojnë
ditë më të mira.
Unë gjendem i mbyllur brenda dollapit.
Luaj symbyllazi. Qysh atëhere
më pëlqen të më fshehë errësira.

PUTHJA JOTE

Nesër në mëngjes do të gdhihem me puthjen tënde
të më ngrohë zemrën,
ashtu si prushi në thelb të zjarrit. 
Si dheu i shkrifët në gojën e të vdekurit
pas disa vjetësh,
brenda varrit.

RROBAT E BABAIT

Akoma varen brenda dollapeve të errta,
hedhur pa kujdes tek baullet e thella,
me ose pa naftalinë. 
Nuk kanë mbetur të varfër në fshat
t’ua dhuronim. Kanë vdekur moshatarët e tij
dhe nuk dihet
ç’modë qarkullon në botën ku rrinë.
Çuditërrisht, pantallonat ndryshojnë formë,
zvogëlohen si të mbretit të liliputëve
nëpër përralla.
Kanë mbetur nëpër xhepa xhaketash copëza
cigaresh, nga markat
që nuk ekzistojnë dhe konsiderohen
relike të rralla.
Mola u largohet, si lukunia e ujqërve
gjatë dimrit, nga stanet e shkreta. Ndoshta
se s’mbajnë më erën e djersës së burrit.
Po të rronte mamaja, me këmishat dhe të lintat
do të fshinte pluhurin
nga mobiljet e drurit.
Vetëm këpucët e tij përdoren akoma. I veshim
si çizme,
gjatë ujitjeve mëngjesore të pranverës.
Kur kalben krejtësisht i hedhim në përrua.
I përdorin si fyej
virtuozët e erës.
Janë ato relike që i shikojmë gjatë verës,
kur përcëllon toka.
Dhe menjëherë perdja e kinemasë fëmijërore
na shpaloset tek koka.

0 comments:

Post a Comment