Sunday, January 28, 2018

Lulzim Breznica: Dy Poezi

U KTHYEN NË BRONZ
Sot
mëngjesi
duket më i bukur.
Heronjt
veshur me petkun
Bronz
u kthyen në vendlindje.
Ata erdhën
si dikur,
plot valë e shkëlqim.
Atdheu,
i priti krahëhapur,
Mirë se vini,në Atdhe!
Ju,roje të gjakut tim,
Emri juaj,
Diell Kosove
Që prore ka
vetëm Lindjen.

SHPIRTIT TIM BINJAK
Me valigjen e ngarkuar kujtime,
Ai kishte kaluar lumin,mundimshëm,
Nga prapa që e përcillte me vite,
Si gjarpër i gjatë e i frikshëm.
Në kokë seç i oshtinte turbulencë e ngritur,
Dyshimeve të shumta që vinin si fajkua,
Ai nisej larg,ndaj dhe rrinte mërzitur,
Në shtëpi kishte lënë një Grua!
U nis ,dhe përkrah mori botën në sy,
Mes njerëzve të tjerë ,për të mos thënë të huaj,
Kishte diçka që e rëndonte në shpirt,
Diçka që më bënte edhe unë ta vuaj.
E pashë-nga grilat të një dritareje
Një mbrëmje vjeshte, kur s'binte shi,
Lexonte diçka në libër dhe pinte cigare,
Më shumë tymoste ai,se sa cigarja e tij.
Nganjëherë i lëshohej një kollë e keqe
Që e mundonte jo fare pak,
Pastaj,me grusht e godiste gjoksin,
Sikur të ishte shpirti im binjak.
Dukej se,edhe atij i kishin premtuar erërat,
Se pas dimrit do të kthehej pranverë,
Derisa përtypte ftohtë ushqimin e servuar,
Nga marramendjet e shpeshta villja vrer'.
E tëra,trazohej në atë lumin e frikshëm,
Që e kishte përcjellë kohë të gjatë,
Njëjtë,si këtë shpirtin tim të stepur,
Prapa grilave të kësaj dritareje drurthatë.
Pra,të dytë kemi mbetur kërrusur e harbuar,
Si një vargmal malli që rrjedh përroskë e krua,
Në pritje! Shpirtat të kthehen pranë shtëpisë,
Në stolin e vjetër ku ende pret,një Grua!


0 comments:

Post a Comment