Monday, January 15, 2018

Prend BUZHALA: APOLOGJIA PËR SKËNDERBEUN E FRANG BARDHIT

(Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT), 14
Pothuajse, të gjithë studiuesit dhe historianët e Letërsisë së vjetër shqipe, kur e përmendin Frang Bardhin si autorin e tretë të kësaj letërsie, e theksojnë meritën e tij për dy gjëra të tjera: në krahasim me autorët para tij, Buzukut e Budit, Frang Bardhi përmendet si autor që shkroi veprat e tij të para jashtë kontekstit fetar, sikundër është vepra e parë leksikografike “Fjalori latinisht –shqip” ("Dictionarium latino-epiroticum", 1635) dhe vepra e parë polemiste e letërsisë sonë, e shkruar për Skënderbeun, e njohur me emrin "Apologji për Skënderbeun" ("Gjergj Kastrioti, Epirotas, i quajtur Skënderbe, princ trim mbi trimat dhe i pathyeshëm i Epirotëve, u kthehet bashkatdhetarëve dhe atdheut të tij, prej Frang Bardhit, ipeshkëv fatlum i Sapës dhe Sardës, Romë, 1636 e shkruar latinisht).
1. Bardhi çeli i pari shumë rrugë
Edhe Frang Bardhi, posi Budi, ishte kundër ardhjes së misionarëve të jashtëm në Shqipëri, përpiqej që të siguroheshin klerikë të arsimuar shqiptarë, të cilët do t’i drejtonin shkollat e hapura në Shqipëri, prandaj organizon dërgimin e vendasve për t’u shkolluar jashtë vendit, të cilët, më vonë , mund t’i drejtonin shkollat brenda Atdheut. Mirëpo, pikësynimeve të tij arsimore, kulturore, gjuhësore, historike, etnografike, folklorike etj, iu del pengesa e madhe, siç është ajo e çlirimit të Atdheut nga Perandoria turke. I gjendur në mes dy frontesh: në mes të luftës kundër armikut dhe të asaj kundër intrigave të të huajve në Shqipëri (si dhe të mbështetësve të tyre shqiptarë, si Gjergj Bardhi), Frang Bardhi vdes i ri, në moshën 37-vjeçare,duke lënë dy vepra madhore, Fjalorin dhe Apologjinë për Skënderbeun.
Fjalori përmban edhe shtojcën me emra mashkullorë e femërorë, emra farefisnie, emra qytetesh e kështjellash, parafjalë, pasthirrma, mënyra të përshëndetjes, e një dialog i shkurtër. Aty gjenden edhe 113, ndër to, ndonjë proverb, si "Tek shkel turku, nuk mbin bar", ka edhe domethënie të rezistencës kombëtare, me qëllime patriotike për të shprehur urrejtjen kundër pushtuesit.
2. Homazhe leximi botimit të një vepre:
lavdia e përjetshme e Skënderbeut
Veprën “Apologjia për Skënderbeun”, si shprehet Bardhi, është shkruar për 15 ditë, kur po përgatitej të vinte në Atdhe, mbas shkollimit jashtë, për të marrë detyrën e tij në Atdhe. Në të ai polemizon me boshnjakun Tomko Marnaviçi, i cili, më 1631, e paraqiste Skënderbeun me origjinë boshnjake. Ai demaskon falsifikim e këtij autori, i përgjigjet flakë për flakë Tomkos, i cili mohonte kombësinë e “princit të pathyeshëm e trim mbi trima”, Skënderbeut e ky mohim prekte ndjenjat atdhetare jo vetëm të Frangut, po të të gjithë shqiptarëve. Përpos që del si vepra e parë polemiste në letërsinë tonë, ajo ka edhe vlera artistike-letrare si vlerëson Engjëll Sedaj,studiues i Bardhit.
Kësaj radhe, edhe paraqitjen e veprës së Bardhit, e bëj në shenjë homazhi për kohën e para 50 viteve: përkujtimin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, si dhe entuziazmin e madh ndër ne (isha i ri), për të blerë e lexuar gjithsecilin libër për Skënderbeun. Është Homazhi i Dytë brenda një gjysmëshekulli shqiptar.
Kësisoj, edhe vepra e Bardhit qe botuar në Shkup, më 1968, me titullin "Skënderbeu" (Apologji), e përkthyer nga latinishtja prej Stefan I. Priftit, i cili ishte edhe përkthyes i Barletit. Fillimisht, vepra ishte botuar shqip në Tiranë më 1956 dhe ribotohet më 1968. Një kopje latinisht të kësaj vepre, e kishte dhuruar Filip Kristoforidhi, i biri i Kostandin Kristoforidhit, Bibliotekës Kombëtare në Tiranë Filip Kristoforidhi kishte shënuar:
"Për kujtim babajt tim, që më mësoi kangën e Skënderbeut, kur isha i vogël, po i fal Bibliotekës Kombëtare në Tiranë këtë libër të rrallë, (të) cilin) e nxora me fotografi nga Bibl. Nationale de Paris. Shtypshkresa e vërtetë ka 38 fletë ose 76 faqe, po për me i dhanë kësaj kopje nji fytyrë të saktë e të kthjellët, unë e mora faqe për faqe.
Filip K. Kristotoridhi,
i larguem prej atdheut që në kohë kur Shqipnia ishte ndër thonjt të Turqisë.
Sandillon, Loiret (France) 2516/1951«
Ja si shprehet vetë përkthyesi Stefan I. Prifti për kohën, kur po shënohej 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut:
"Në janar të vitit 1968 mbushen 500 vjet nga vdekja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Populli ynë do ta përkujtojë këtë përvjetor të madh të birit të vet të ndritur me mënyrën më të denjë dhe më të shkëlqyer, ashtu si ndrit e shkëlqen në thellësinë e shekujvet me aureolën e pavdekësisë mbi krye vetë figura dhe emri i Skënderbeut. Skënderbeu, ky bir i denjë i tokës shqiptare, ky 'luan' i malevet arbërore, kjo 'rrufe e vetë-timë' e luftës kundër dallgës robëronjëse të barbarisë otomane, kjo 'mbrekulli e shekullit të vet', siç e thotë Barleti, ky 'shpëtimtar e mbrojtës i lirisë', Skënderbeu, ky burrë i math i shekullit të XV, që e mbuloi atdhenë me lavdi të përjetëshme dhe që e bëri emrin shqiptar të kumbojë në kupë të qiellit dhe të mbahet në gojë me admirimin më të rnadh në mbarë botën, ky Skënderbeu ynë i pavdekshëm u bë simbol i pavdekësisë së vetë popullit të tij. Skënderbeu, ky 'shërmend i mbarë' i virtutevet njerëzore, i vetijavet më të bukura shqiptare, trupore dhe shpirtërore, përfaqëson e mishëron gjithëçka të lartë e të dashur të popullit të vet, vetitë e tij më të ndritura, ëndërrat dhe dëshirat e tij nga më fisniket, frymën dhe idealet e tij nga më të bukurat. Forca dhe bukuria e tij trupore 'që hijeshon gjithëçka, fuqia e tij shpirtërore, që e bënte të përballonte i patronditur vështirësitë më të mbëdha, mëndja e tij e lartë dhe e mprehtë, që e bënte t'u përgjigjej me mënyrën më të admirueshme situatavet më të komplikuara, vullneti i tij i pamposhtur për të vepruar e për të duruar, që e bënte të mos i rrihej në një vënd e të dilte gjithëmonë fitimtar, vendosmëria dhe gatishmëria për të mbrojtur me çdo kusht lirinë dhe pamvarësinë e atdheut, zotësia dhe trimëria e tij e pashoqe si strateg e luftëtar dhe guximi i pazakontë për t'u lëshuar si rrufe e vetëtimë mbi armikun, dashuria e tij e pakufi për atdhenë, për popullin, për ushtërinë, sjellja e tij kurdoherë e drejtë, e urtë dhe e njerëzishme, karakteri i tij popullor, kujdesi i tij i veçantë për ushtarët dhe thjeshtësia e tij, mbështetja dhe besimi i thellë në zotësinë dhe fuqinë e masavet, të ushtërisë, të popullit, optimizmi i tij për një të ardhme më të lumtur të Shqipërisë, ja këto të gjitha e të tjera si këto e bënë atë simbolin e pavdekur të popullit të vet. Prandaj edhe populli e çmonte Skënderbenë, këtë kryetrim të tij të rrallë, me gjithë zemër. Besimi i popullit ndaj Skënderbeut ishte i pafund e i patronditur nga asgjë. Prandaj edhe figura e Skënderbeut ishte ngulitur e skalitur aqë thellë në shpirt të popullit, sa që s'kish fuqi në botë që t'ia shkulte në asnjë rast, e në asnjë kohë. Dhe Skënderbeu vdiq një ditë, më 18 Janar 1468, sipas historisë, por fryma e tij mbeti e gjallë dhe e pavdekur, si një zjarr përvëlonjës e i pashuar, në vetë shpirtin e pavdekshëm të popullit të tij, ashtu siç e ka thënë edhe poeti ynë i madh i Rilindjes, Naimi:
»Skënderbeu është i gjallë,
rron e mbretëron për jetë.
Kjo fjalë s'është përrallë,
ndaj furtit është'e vërtetë«. (H.S., XXII, 453-456)
Kjo frymë e ky shpirt i pavdekshëm i Skënderbeut është ai që e mbajti popullin tonë gjallë dhe që e frymëzoi atë në luftrat e paprera kundër shtypjes dhe robërisë për të fituar lirinë e humbur dhe pavarësinë kombëtare."
Është vepra e parë polemike e letërsisë sonë (hiç veprat e latinitetit ilir, si të Shën Jeronimit). Bardhi vlerësohet si apologjet io flaktë. Titulli i plotë i saj është: "Gjergj Kastrioti, Epirotas, i quajtur Skënderbe, princ trim mbi trimat dhe i pathyeshëm i Epirotëve, u kthehet bashkatdhetarëve dhe atdheut të tij, prej Frang Bardhit, ipeshkëv fatlum i Sapës dhe Sardës", Romë, 1636 e shkruar latinisht).
Është vërejtur, që, në frymën e Barletit, edhe Bardhi Skënderbeun e quan epirotas. vetë kështu e quante veten Gjergj kastrioti0- Skënderbeu. Vërtet, a e mbron shqiptarësinë e Skënderbeut apo përkatësinë e tij epirote?
3. Epirotizmi i Skënderbeut, Barletit dhe Bardhit
Historiani Gazmend Shpuza në studimin e tij "Veprat humaniste të Frang Bardhit - shprehje e evropianitetit skenderbegian të epokës" (shih "Frang Bardhi- 400-vjetori i lindjes", botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prishtinë 2007), shkruan se epiteti shqiptar është pasardhës i epirotit, por ndryshojnë:
"Vënia e shenjës së barazimit midis tyre nuk lejon të pasqyrohet rruga e vështirë e evoluimit të identitetit etnik plurifetar të paraardhësve tanë, si dhe rruga jo më pak e vështirë e pohimit dhe e ripohimit të këtij realiteti para politikës e, madje, dhe para shkencës evropiane. Ato nuk qenë zhveshur ende nga konceptet teokratike të trajtimit të përkatësisë kombëtare të popujve, sidomos në Ballkan. Për këtë arsye meritat shkencore dhe atdhetare të Frang Bardhit janë aq më të mëdha dhe kërkojnë të vihet mirë në pah ndihmesa e veçantë që ai ka dhënë në ndriçimin e epirotizmit. Për të sqaruar sado pak çështjen e marrë në shqyrtim le t'i hedhim një vështrim të shpejtë gjendjes politike e fetare të viseve të epirotëve në shek. XV-XVII. Rritja e ndikimit të koncepteve teokratike të kishave dhe të perandorive ballkanike në politikat shtetërore e kulturore në Gadishullin tonë gjatë shekujve mesjetarë, e bëri, me kalimin e kohës, edhe më të vështirë zhvillimin e mëtejshëm etnik të njësuar të arbëreshëve, të ndarë fetarisht midis kishës Perëndimore dhe asaj Lindore. Madje, jetësimi i politikave të tilla në kushtet e mungesës së një tradite shtetërore të vijueshme të njësuar te arbëreshët, e vuri në rrezik të madh qenien e kësaj bashkësie etnike. Pasoja më e parë dhe më e rrezikshme që rridhte nga zbatimi i këtyre koncepteve dhe politikave bizantiniste për mbijetesën e banorëve të hershëm të këtyre trevave si njësi e përbashkuar etnike në Ballkanin Perëndimor. ishte vënia e shenjës së barazimit midis përkatësisë etnike arbëreshe dhe përkatësisë së besimit katolik. Në këto rrethana, etnonimi arbëresh u identifikua me besimin katolik, duke përjashtuar prej tij tërësisht përfshirjen në të edhe të masës së arbëreshëve ortodoksë. Prandaj, intelektualët tanë të asaj kohe, priftërinj katolikë, heqin dorë, mund të thuhet, pa ndonjë ngurrim nga etnonimi arbëresh, i identifikuar me besimtarët e tyre. Ai qe, deri më atëherë, gjerësisht, në përdorim në mesin e banorëve të trevave shqiptare të asaj kohe e deri thellë në Greqi. Ata e braktisën atë, pa pasur frikë se po bjerrin besimin e tyre dhe pa ndrojtje se mos dobësoheshin lidhjet e vendit të tyre me Evropën Perëndimore. Këto lidhje ishin të dashura dhe të dëshiruara jo vetëm në rrafsh kulturor por edhe më tepër ata qenë aq jetikë në rrafsh politik dhe ushtarak për fatet e luftës së tyre antiosmane të udhëhequr nga Skënderbeu dhe më pas. E. megjithatë, Marin Barleci, Frang Bardhi. Dhimitër Frangu e të tjerë pas tyre, që të gjithë prelatë katolikë, përqafuan gjithnjë e më me ngulm epitetin epirot, i cili deri më atëherë mbahej vetëm nga besimtarë ortodoksë, pra lindorë dhe, gjithsesi. jo perëndimorë. Paraardhësit tanë, të vetëquajtur epirotë, deri në shekullin XVII, duke ftlluar me Skënderbeun, hoqën dorë nga etnonimi i tyre i mëparshëm, disa shekullor, arbëresh." Kjo po ndodhte, pra, kur Shqipëria mori në Evropë emrin Albania.
Epirotizmi i Skënderbeut u kushtëzua nga rrethana historike, por edhe të prejardhjes: epirotët janë arbërit dhe shqiptarët. Bashkimi etnik rrezikohej edhe nga kalimi masiv në besimin islam që nuk quheshin më arbër, por "turq". Kësisoj, për ta realizuar bashkimin etnik, epirotizmi kastriotian, siç vlerëson Shpuza, "nuk mund të realizohej pa një vetëdije politike, historike, dhe, sidomos, etnike përkatëse.... Emërtimi epirot ishte shprehje e një vetëdijeje mbikrahinore, parakombëtare, a, më mirë ta themi, pragkombëtare, të ngritur mbi trashëgiminë e periudhës paraardhëse."
Edhe Frang Bardhi te vepra e tij latinisht e quante veten epirot. Për të mos u keqkuptuar se epirot ka lidhje me helenët, historiani Gazmend Shpuza sqaron dhe dokumenton:
“Vlen të sqarohet, gjithashtu, se në rastin e përdorimit të etnonimit epirot kemi të bëjmë me një emërtim, i cili nuk kishte lidhje fare me grekët. Këta aso kohe vetëquheshin romaios (romakë), kristianë e bizantinë, dhe asnjëherë, që në atë kohë dhe më pas, nuk e konsideruan veten helenë dhe epirotë. Kaq mjafton për të hedhur poshtë atë paragjykim të përhapur nga propaganda shoviniste e shtetit fqinj me ndihmën e kishës ortodokse, për kinse karakterin grek të Epirit e, madje, edhe të Epirit të Veriut. Epiteti epirot nuk është përdorur rastësisht para 400 vjetësh në veprat e tij nga Frang Bardhi. Në rrethanat që përjetonin paraardhësit tanë, si etnonim, ai është shprehje e ndërgjegjshme e një vetëdijeje të lartë kombëtare. Për më tepër, ai përfaqëson një zbërthim të konceptit skënderbegian lidhur me përkatësinë etnike tashmë joarbërore, të shkëputur nga përkatësia fetare, të parashqiptarëve. Fjala është, në radhë të parë, për një entitet të ngjizur dhe të përforcuar në shekuj mbi dallimet fetare, të cilin epoka skënderbegiane e ngriti në një shkallë të lartë e madje edhe e pagëzoi.... Raportin midis emërtimeve arbëresh dhe epirot në konceptin skënderbegian Frang Bardhi e jep që në frontespicin e veprës kushtuar Skënderbeut dhe në vijim të trajtesës së tij të mëtejshme... Në këtë mes ipeshkvi Frang Bardhi dallon qartë përkatësinë fetare katolike të grigjës arbëreshe, gjegjësisht katolike që ai udhëheq përsa i takon besimit, nga përcaktimi etnik epirot, sipas konceptimit mbifetar skënderbegian. Kësaj etnie, sipas Skënderbeut dhe autorit të Apologjisë, i përkasin të gjithë bashkatdhetarët e tij. Ose thënë ndryshe, sipas Skenderbeut, Barlecit, Bardhit, Frangut e të tjerëve, emërtimi epirot duhet t'u përkasë të gjithë pasardhësve të arbëreshëve." Është dëshmia e burimerve dhe zhvillimit të identitetit mbifetar të shqipatrëve.”
4. Një vepër e rrallë polemike në historinë e letrave tona
Të mos harrojmë, vepra e quajtur apologji, ka të bëjë me përkatësinë e klnderbeut etnisë së tij. Së këndejmi, Bardhi mbron një çështje kombëtare me rëndësi: "Nacionalitetin e Skënderbeut, 'Shqiptarësinë' e heroit tonë kombëtar kundër Jan Tomkut, që e pretendon për të tijin."
Jan Tomku ishte sllav për nga kombësia, edhe ai një bashkëkohës i Bardhit, i cili pretendonte se i takonte familjes princërore dhe mbretërore e Margnavëvet apo e Margnaviçëve. Bardhi e çmon Tomkun si njeri të ditur. Tomku pretendon se Skënderbeu nuk është bir i Gjon Kastriotiit, "por i një të quajturi Juanis Margnaviç, bir i mbretit të Serbisë Vukashin (1366-1371), i cili, nga ana e tij është bir i princit Marko Margnava dhe babë i mbretthit legjendar Marko Kraljeviçit etj." Nëse qëllimi i Tomkut ishte të rrëmbente yllin e kombit tonë, si shprehet Bardhi, atëherë edhe qëllimi i autorit tonë ishte ta mbornte epirotësinë (shqiptarësinë) e Skënderbeut. Meqenëse Bardhi po studionte jashtë dhe po vinte në Atdhe për ta marrë detyrën e ipeshkvit të Zadrimës, ai ngrihet kundër "këtij gënjeshtari e përrallaxhiu« , ngrihet me pezëm e me penën e mprehtë të polemistit. Dhe, meqë Bardhi ishte njohës gjuhësh, njëri ndër intelektualët më të përgatitur të botës arbërore- evropiane, ai ishte i përgatitur për t'i dhënë përgjigje libërthit të Tomkut sllav. Ishte Bardhi që dha argumentin se ky popull ka njerëzit e tij të dijes, ka historinë e tij të lashtë dhe ka kulturën e tij. Kadare do të thoshte se mohuesit e Skënderbeut nisën që atëherë dhe vazhdojnë edhe sot. Nuk është e habitshme pse hasim edhe atëherë edhe sot, apologjetë që me tërë fuqinë e tyre hidhen në mbrojtje të shqiptarësisë (epirotësisë dikur) të Skënderbeut. Libri i Bardhit përmban shumë citate dhe shumë burime me vlerë.
Tomku merr si argument luftën e dytë të Kosovës. Duke zbërthyer me argumente luftën e Gjon Huniadit (prijës hungarez), Frang Bardhi flet për "Luftën e Dytë të Kosovës të vitit 1448., “se pas Luftës në Fushën e Kosovës (1448 L. L), në të cilën ushtria e krishterë pësoi kërdinë, Joan Huniadi u pengua dhe u kap në ikje nga Gjergj Dhespoti (Gjuragj Brankoviqi L.L) dhe se shpëtoi nga robërimi me ndihmën e Gjergj Margnaviçit: ky ia rrëmbeu nga duart Dhespotit dhe e vuri përsëri në krye të vendeve ku sundonte më parë." (shih: Lulëzim lajçi: "Lufta e Kosovës (1448( në Apolofjinë për Sklnderbeun tzë Frang bardhit", botuar te: "Frang Bardhi- 400-vjetori i lindjes", botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prishtinë 2007). Ja si shkruan vetë Frang bardhi te "Apologjia" e tij:
"Dhe kështu me gëzim të madh e me flamuj në dorë po hynte (ushtria e Skënderbeut) në kufijtë e Misisë, kur daç fati pamëshirshëm, daç rregullariteti i pandryshueshëm, daç sjellja mizore prej të krishterësh të ndyrë, bëbë që si ndëshkim sigurisht nga perënditë, pabesia e një njeriu të vetëm të sillte gjithë ato pengesa e turbullira dhe të shkaktonte njëkohësisht zi të pafund hungarezëve dhe kërdi aq të madhe krishterimit. Ky ishte Gjergj Vukotiçi (Brankoviqi)...ai i përbuzte njësoj edhe mësimet e Krishtit, edhe ligjet e Muhamedit... Ky, pra, mbante atëherë me ngulm anën e turqve, jo vetëm se e bija e tij Katakuzinë ishte dhënë për grua Muratit, por edhe sepse i urrente nga ana tjetër hungarezët dhe veçanërisht Joan Transilvanin (d.mth., Janosh Huniadin)... prandaj, me të vërtetë vesh gatitjen e luftës nga hungarezët dhe Skënderbeu, ai i mhylli këtij të gjitha rrugët e shtigjet, nga mund të kalonte. Skënderbeu u përpoq më kot ta këshillonte Dhespotin me anë të dërguarish e të merrej vesh me të me fjalë të buta si këto: Të mos mendonte për t'i bërë keq, gjersa nuk kishte ndonjë arsye për këtë, dhe të mos kërkonte ta bënte armik nga mik gjiton që e kishte dhe ta kthente kështu kundër vetvetes njëkohësisht gjithë ushtrinë e hungarezëve dhe të Epirit. Ta dinte se do ta kishte gjithmonë armik mbas shpine e ballë për hallë, në rast se nuk do t 'i lihej e lirë rruga legjioneve të tij për t'i bashkuar me forcat e Vlladisllavit, me qëllim që të mos pësonte ndonjë humbje të rëndë krishterimi. Se krishterimi, sikurse edhe vetë ai bashkë me mbretërinë e tij, po dobësohej dita ditës, gjersa atë e mbante të lidhur me Muratin (II) dashuria për të bijën, megjithëqë i kishte provuar mjafl edhe pabesinë e dhëndrit, edhe mirësitë e hungarezëve. Por këto përpjekje s 'patën asnjë dobi për këtë njeri të svetëruar dhe Kastrioti nuk e shikonte gjetkë veçse në armët shpresën për ta çuar rrugën. Sado që ishte e vështirë dhe plot rreziqe të fillonin që këndëj vuajtjet e luftës, sepse ai i ruante fuqitë e tia të freskëta kundër ushtrisë mbretërore (ushtria e sulltanit), megjithëkëtë e pa të udhës e më për nder që ta çante, po të munde, rrugën me shpatë. Ndërsa kështu ushtria epirote po vonohej e zemëruar në kufitë e Misisë për vështirësi të shumta dhe Dhespoti po e vononte, për jo se mund ta pengonte udhëtimin e Skënderheut, sepse trimëria këmbëngulëse e kapedanit mund të kish shpërthyer e t'i kish fshirë gjithë pengesat, sado që jo pa derdhur gjak... "
5. Konteksti fetar plotësohet me interesime të tjera
Pra, këto dy vepra, duke përfshirë edhe relacionet e tij dërguar Romës, ai e kapërcen kontekstin fetar dhe hyn drejtpërdrejt në zemrën e literaturës, me veprimtarinë e tij leksikografike, historike, polemiste, etnografike, folklorike etj. Sado që është marrë edhe me përkthime fetare, ato kanë humbur dhe vetëm përmenden si të tilla. Nuk është e rastit, prandaj, pse ai ndjek dy rrugë: atë të ndërlidhjes me humanizmin shqiptar, Barletin, Beçikemin, Dhimitër Frangun (që shkruan latinisht vepra për Skënderbeun, ashtu si shkroi edhe Bardhi, vepra dokumentare, historike etj me interesa më të gjera, pa u ndalur vetëm në kontekstin arbëror-shqiptar të krishterimit) dhe me traditën e autorëve shqiptarë, paraardhësish të tij, Buzukun e Budin, që kanë shkruar shqip, vepra kryesisht të zhanreve të letërsisë së përshpirtshme, letërsisë fetare etj. Nga ana tjetër, do përmendur faktin, se ai ndjek edhe një traditë tjetër të paraardhësve Buzuku e Budi e që më vonë po ato gjurmë do t'i ndjekin edhe Bogdanët, Gjon Nikollë Kazazi etj: përpjekjen për të marrë pjesë në mënyra të ndryshme organizative për çlirimin e vendit. Madje, ishte vetëm kleri katolik (Historia e popullit shqiptar, I, fq 352), që po merrej me veprimtari kulturore e me këso përpjekjesh; ata po merrnin edhe rolin e ideologëve kombëtarë për çlirim, siç tregojnë shembuj të shumtë të veprimtarisë së këtyre prelatëve shqiptarë.
(14 janar 2018)

0 comments:

Post a Comment