Friday, January 12, 2018

Prend BUZHALA: SHPIRTI ARBËROR NË EPOKËN E SKËNDERBEUT


(Vëllimi "Fjalime dhe letra të Skënderbeut", botim i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Popullore, Tiranë, 1967)
- Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT, 11
Që më 1967, një vit përpara se të shënohej 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut, në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup zunë të botohen shumë vepra (letrare, historiografike, studimore etj) kushtuar këtij kryepersonaliteti historik. Ndër to po veçojmë, kësaj radhe, një libër me vlerë: "Fjalime dhe letra të Skënderbeut", botim i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Popullore, Tiranë, 1967, që e përgatiti për shtyp Stefan I. Prfti. Kopertina e librit mban titullin "Komandant dhe strateg i madh". Meqë është edhe përkthyes i veprës së Barletit nga latinishtja në gjuhën shqipe, linguisti i shquar e përkthyesi me famë, Stefan I. Prfti, edhe këto fjalime e letra i nxori nga vepra "Historia e jetës dhe e vepravet të Skënderbeut" (botuar në Tiranë më 1964).
1.
Nga njëzeteshtatë shkrime që përfshin ky vëllim, ndër to janë 21 fjalime dhe gjashtë letra. Autori i ka veçuar kësisoj fjalimet që përfshin te vepra e Barletit: Fjalimi i Skënderbeut në Krujë, Fjalimi i Skënderbeut para Sfetigradit, Fjalimi i Skënderbeut në Kuvendin e Lezhës, Fjala e Skënderbeut para përleshjes me Ali Pashën, Fjalimi i Skënderoeut para ndeshjes me Mustafanë, Fjalimi i Skënderbeut para përleshjes me Venedikasit në Shkodër, Fjalimi i Skënderbeut drejtuar mbrojtësve të Sfetigradit, Fjalimi i Skënderbeut pasi dërmoi Muratin, Fjalimi i Skënderbeut para betejës së Pologut, Fjalimi i Skënderbeut para fushatës për çlirimin e Beratit, Fjalimi i Skënderbeut para përleshjes me Hamzën, Pritja e Skënderbeut në Raguzë dhe fjala në senat për nder të tij, Fjala e Ferdinandit për Skënderbenë, Fjala e Skënderbeut para përleshjes me Ballabanin, Fjala e Skënderbeut para përleshjes së kërdishme me Ballabanin, Fjala e Skënderbeut para përleshjes me Jakupin, Fjalimi i Skënderbeut në mbledhjen e princërvet, Nga fjalimi i Skënderbeut pas vrasjes së Ballabanit dhe Fjalët dhe këshillat e fundit të Skënderbeut në Lezhë para vdekjes së tij. Nga letrat përfshihen letërkëmbimi që kishte me Vladislavin (ushëheqës polak), me sulltanët otomanë: Mehmetin dhe Muratin. Përkitazi me përfshirjen brenda një vëllimi, S. Prifti vlerëson:
“Këto fjalime, mbështeten në një realitet historik të padiskutueshëm të asaj kohe, në aspiratat, idealet, dëshirat dhe mendimet, në luftën vigane, në mendjen dhe zemrën, në dorën e në shpatën e Skënderbeut dhe të popullit të tij; ato shprehin frymën progresive të kohës, shpirtin e popullit tonë, të simbolizuar përmes figurës së madhërishme të birit të tij të denjë, kryetrimit Skënderbe. Në këto fjalime e letra Barleti ynë vë në dukje me mënyrën më të përshtatur vetitë më të larta, më të bukura dhe më të ndritura të popullit tonë: mëndjelartësinë shqiptare që të shprehemi me termin e Barletit, urtësinë dhe zgjuarsinë shqiptare vendosmërinë dhe guximin e paepur arbëror, besimin e patundur dhe fuqinë e pamposhtur të shpirtit dhe të trupit shqiptar, dashurinë e zjarrtë dhe të pakufishme për liri e pavarësi te atdheut, për nder e krenari kombëtare, shkurt: gjithë ato veti, cilësi e tipare karakteristike, që spikatin në veprën e Barletit tonë dhe që gërshetohen e çfaqen madhërishëm me tërë vitalitetin e tyre përmes veprimit dhe aktevet të veçantë që tërësojnë luftën e madhërishme të popullit tonë për liri e pavarësi nën udhëheqjen e kryetrimit.”
Kjo është ajo që përkthyesi e cilëson si “përmbajtje e lartë”, kurse publikimi i tyre ka qëllim edukativ, jo vetëm për ta njohur të kaluarën, por për të nxitur te ushtarët e të sotmes dashurinë e flakët për atdhe. Heroizmi theksohet për ta mbrojtur truallin e shenjtë.
Në fillim të secilës letër jepen, sqarime, karakterizime të përmbajtjes, shënime dhe shpjegime të konteksteve kohore.
2.
Ndër të tjera, aty shuhet edhe fjalimi i oratorit David në senatin e Raguzës, që përkthyesi e karakterizon si një himn lavdie shqiptare. Barleti thotë:
“Kur Skënderbeu arriti në Raguzë, u derdh i gjithë qyteti dhe i dolli përpara një mizëri populli për ta pritur me duartrokitje dhe gëzim shumë të madh. I përcjellur prej tyre, ai hy-ri në qytet dhe u prit me nderime dhe bujari. Të nesërmen, pasi u bënë, sipas zakonit., kremtime zyrtare... i ra qytetit rreth e përqark, ndërsa ditën tjetër vazhdoi duke vizituar arsenalet navale, kështjellën dhe gjithë fortifikimet e qytetit. Dita e katërt, përkundrazi, kaloi me lodra të ndryshme dhe me sehire gjithfarësh.”
Më tutje Barleti sqaron se në senat Skënderbeu pritet e nderohet me dhurata të shumta. Barleti na thotë se oratori David ishte shkrimtar që i drejtohet Skënderbeut fjalë plot lavde:
“Nuk e di, o princ i ndritur Skënderbe, se ç'hyll mund të dilte dhe të dukej sot më i ndritur e më i shkëlqyer për qytetin tonë dhe për popullin e Raguzës, se ç'diell më vezullonjës e ç'hyjni më mirëdashëse dhe më përkrahëse se sa pamja dhe prania jote plot mirësi. Me të vërtetë, sot, kur ti hyre në qytetin tonë, çdo gjë ndriti e shkëlqeu për ne, çdo gjë u kthye në gëzim e lumturi. Qielli, i errësuar dhe i mbuluar me re, u kthjellua, u ndrit e u bë pasqyrë nga pamja jote. Toka gjithashtu, kur ti po shkëlqenje në të, u duk se ngazëllohej, kënaqej e buçiste vetiu nga klithmat e gëzimit që lëshonte. Qytetarët të gjithë e populli i tërë u vu re se po të shikonin e të vështronin... Gazi dhe hareja buçiste dhe oshtinte kudo më të katër anët, si në festë. Ç'është e vërteta, ti na ndrite, na zbardhe ne dhe qytetin tonë, vatrat dhe shtëpitë tona, si ndonjë rreze fort e ndritur e diellit. Prandaj, sa po u hap lajmi se ti zbrite në brigjet tona, të gjithë qytetarët, pleq, të rinj, vajza, gra, të rritur, fëmijë, të shëndoshë, të li-gur e sakatë vrapuan kush e kush më parë e grumbuj-grumbuj për të parë ty e për t'u kënaqur me pamjen e praninë tënde, se emri yt, o princ fort i ndritur, është i dashur e i dë-shiruar jo vetëm këtu dhe në Shqipëri, por edhe në të gjithë Italinë.
Ç'të them më? Ne besojmë se ti ke lindur e ke dalë mbi dhe që të nderosh e t'u japësh shkëlqim, që t'u dalësh zot e të mbrosh jo vetëm atdheun tënd me emër atje në Shqipëri e në Maqedhoni, selinë dhe mëmën e mbretërve të mëdhenj dhe të kapedanëve të pathyer, por edhe Dauninë dhe Italinë... Ja, emri yt tanimë, o princ fort i ndritur, po merr dhenë kudo; ja, të gjithë ty po të thërrasin për ndihmë dhe për mbrojtje, ty po të quajnë shpëtimtar, mbrojtës dhe çlirimtar. Ja. mbretërit dhe udhëheqësi i gjithë dheut po të lusin për të shkuar në mbrojtje dhe ndihmë të tyre. Ja, Piu bashkë me Sforcën, dukën e Milanezëvet, dhe Ferdinandin, mbretin e Siqelisë dhe të Apulisë, po dërgojnë tek ti përfaqësonjësit e vet për t'u shkuar me të shpejtë në ndihmë dhe për të çliruar Italinë.
O, lum atdheu që të nxori ty, një burrë kaqë të madh! Q, ium prindërit, që të lindëni ty! O, lumë bashkëluftë-tarët, që të vinë ty pas dhe të kanë në krye si udhëheqës, drejtonjës, prijës dhe kapedan, që gëzojnë, që kanë dhe kënaqen me një mbret kaq të madh.”
Me këso elozhesh dhe krahasimesh vazhdon edhe më tutje ky orator. Aty janë mbajtur edhe fjalime të tjera, si ai i Pal Engjëllit.
Nga oratorë raguzianë Skënderbeu quhej ylli më i ndritur, krahasohet me një perëndi, mbrojtës jo vetëm i Epirit, po edhe i Raguzës e Maqedonisë, Italinë etj, ai quhet shpëtimtar e çlirimtar. Përmenden betejat fitimtare të tij kundër sulltanit e pashallarëve otomanë, ai quhet tmerri i turqve, ,krahasohet me Aleksandrin e Madh dhe Pirron...
Fjalimet e shkruara në Raguzë nga Barleti, jepen sipas modelit të elozheve antike të oratorisë, spikatin lavdin dhe njohjen e kulturës raguziane. Nga aspekti i komunikimit të sotëm retorik, këto Fjalime paraqesin shembullin e komunikimit ndërkulturor, ku "kultura përfshin perceptimet dhe vlerat" (Judith N. Martin, Thomas K. Nakayama: "Hyrje ne komunikimin ndërkulturor", shqipëroi: Elena Bozheku, Shtëpia botuese: UET Press, Tiranë, 2010, f. 50). Ndryshe ishte në kohën e antikës e në atë të humanizmit e të renesancës, ku retorika ose shkenca e gojëtarisë ishte pjesë e arsimit themelor, krahas drejtësisë dhe historisë. Nuk është e habitshme përse trajtën e fjalimit e hasim te epet e Homerit “Iliada” dhe “Odiseja”, për shkak se oratoria (ligjërimi) në jetën publike ishte e domosdoshme. E hasim edhe te poemat epike e epiko-lirike "Istori e Skënderbeut" e Naim Frashërit dhe "Lahuta e Malcis" e Gjergj Fishtës. Mu ashtu sikundër janë sot ligjëratat nëpër universitete, apo format e mësimdhënies (gojore) nëpër të gjitha nivelet e shkollimit.

0 comments:

Post a Comment