Thursday, January 11, 2018

Prend BUZHALA: PLISI I BARDHË, AI FLAMUR SHPIRTI

(NGA ARKIVI I GAZETARISË)

Fije nga jeta e Haxhi Sylë Delisë
Edhe pas 48 vjetësh, Haxhi Sylë Delia (1928) ende i ruan të freskëta ngjarjet e arrestimit të tij, tek i ka vuajtur persekutimet e martirizimin e gjatë. Mandej, për më shumë se një gjysmë shekulli, të vijsh deri në ditët tona, duke ecur e ecur në maratonën e gjatë të rezistencës, duke lënë gjurmë nderi e krenarie, shpirti e fjale, pa ikur asnjëherë nga sheshi i betejave të jetës, gjithnjë pjesëmarrës modest i këtyre betejave.
Rrëfimin për jetën e lënë pas, Haxhi Sylë Delia e ndien si një shkarkim nga makthi i kohëve, si një frymë amaneti për brezat që vijnë. "Ani se nuk e kam lënë ndonjë djalë trashëgimtar, të mijt janë e tërë djelmënia e Kosovës", thotë xha Haxhiu, gjithnjë me një buzëqeshje të rrallë krenarie e çiltërie shkrirë me peizazhin e Zhebelit të Gjakovës, vendlindjes së tij.
Kalvari i burgjeve
Në mars të vitit 1952 bëheshin votimet. Populli më votoi si anëtar të pushtetit. Spiunët e UDB-së i prishën votimet, duke thënë se gjoja i kam falsifikuar votat. Votimet përsëriten dhe prapë populli më zgjedh për të vetin. Vazhdova punën deri në mars të vitit 1953, kur më 14 gusht të atij viti na thërret në takim kuvendi i Gjakovës. Duhej të paraqiteshim në zyrën e vendit, në Gërgoc. Në udhëkryqin Gërgoc- Bardhaniq katër udbashë më arrestojnë, duke sharë e keqtrajtuar. Më kontrollojnë për armë, m' i vënë prangat, ma vënë në kokë një batanie, më kanë dërguar në stacionin e policisë në Ratishtë, ku më marrin në pyetje - nis fijet e nëfimit të tij xha Hashiu.
Ashtu, të mbuluar me batanie, e dërgojnë në Gjakovë. Në katin e dytë të zyrës së policisë, në një dhomë të veçuar e mbajnë tetë ditë, të lidhur në pranga, me duar të varura lart për një arkë hekuri. Ashtu, në aso gjendje e merrnin në pyetje:
- Veç majet e gishtave më prekshin për dysheme. Nuk më kanë dhënë as bukë e as ujë. Më pyetnin për flamurin shqiptar. Mbas tetë ditësh më kanë shtrirë për dysheme. Ma mbyllën gojën me një mindil, kurse më derdhnin ujë për hunde, derisa ma rnbushën barkun. Torturat nuk ndaleshin. Asgjë nuk pranova. Më pyetnin edhe për "diversantët" nga Shqipëria, të cilët po i mbajkam dhe e paskan për detyrë ta fillojnë një kryengritje në Kosovë kundër Jugosllavisë.
Pas tetë ditësh e çojnë në vetminë e një burgu. Hapet dosja e hetimeve. Hetimet zgjasin 98 ditë. Nga Peja vjen kolegji i Gjyqit të Qarkut. Grupi prej pesë të burgosurish, në përcjellje të njëzet policëve, kaion nëpër Qarshinë e Gjakovës, për në Kinema, ku mbahej gjyqi. Gjyqi, me akuzat e farsën e tij, gjykon pesë veta: Gjykimi zgjatë shtatë ditë. Të gjykuarit ishin: Fazli Berisha (dënohet me 13 vjet burg të rëndë), Sadri Geci (7 vjet burg të rëndë), Osman Koka (7 vjet burg të rëndë), që të tre nga Janoshi i Gjakovës, pastaj Haxhi Sylë Delia nga Zhebeli, me 7 vjet burg të rëndë dhe Zenel Avdyli (pesë vjet burg të rëndë), nga Jabllanica e Gjakovës. Katër muaj i vuajnë në burgun e Pejës e mandej i dërgojnë në burgun e Nishit, në "Belo kuça", burg special. Ishte dimër i ftohtë, bukë: nga 500 gramë në ditë.
Goli Otoku - njollë e ndërgjegjës së njerëzimit
Kalvari i burgjeve të xha Haxhiut vazhdon. I dërgojnë pas gjashtë muajsh në burgun më famëkeq të Evropës, në Goli Otok. "Veç ai që asht kanë e di çfarë tmerri asht aty.
S'ka mbetë torturë për pa u përdorë kundër nesh. Ato tortura që i kanë përdorë serbët në shqiptarë, s'ka komb që i përdor as në shtazë e jo ma në njerëz", flet me mllefin e tij fisnik plaku, i cili detyrohet që , nga torturat, të qëndrojë nëntë muaj e gjysmë në spital. Torturat zgjatën deri më 1957.
"Më kanë pru deri në 35 kilogram. As shokët tjerë hiq ma lehtë nuk pshtuen...Ende më pytshin për akuzat: për Avduilah Salihun e Junikut, Shaban Zenelin e Skivjanit... që kishin ikur në Shqipëri, sepse nuk pajtoheshin me robninë serbe".
Të burgosurit e bartnin nga një arkë prej 300 kilogramësh me gurë. E shtyjshim nga katër veta, rrëzoheshim, na fishkëllonin, çoheshim. Ne, të papërmirësueshmit, punojshim deri në orën 12 të natës. Ditën na kthejshin me fytyrë prej dielli. Çekiçin, të rëndë 15 kg., duhej me e mbajtë në dorë e me thye gurë".
I nipi, Hamit Berisha, kujton:
"Nana s'guxonte me shkue e me e pa në burg vllaun. Udbashë si Kiloviq, Stanoj Stajçiq e shefi i UDB-së Jovo Bajat burgosnin përditë shqiptarë, se janë në lidhje me Shqipninë".
Mandej fillin e rrëfimeve e vazhdon xha Haxhiu:
"Më 1954 ishte në burgun e Gjakovës me ne një qytetar nga Gjakova. E akuzojshin se më 1943 s'i ka dhanë voj një serbi, e dënuan për vdekje dhe, në Pejë, pas 15 ditësh, e pushkatuan. Ai ishte Ahmet.... E pushkatojnë një Maxhunin nga komuna e Gjakovës pse ka vra shkije gjatë luftës. Në Goli Otok kam pa tuj i mbytë në deti të burgosurit".
Në spitalin ku qëndronte xha Haxhiu, erdhi për vizitë Rankoviqi. Aty ishin edhe të burgosurit malazezë, Peko Dapçeviq e Gjiilas. Në Goli Otok xha Haxhiu përmend këta emra të burgosurish shqiptarë: Sylë Ahmeti (Shtupeç i Madh i Rugovës), Sali Rama (Rugovë), Mulla Zekë Bërdyna, Kurt Abazi (Radac), Zhuk Haxhia (Rugovë), Idriz Imeri (Junik), Miftar Beqa (Junik), Xhemë Bajraktari (Junik), Dervish Bajraktari (Junik), Qazim Bajraktari (Junik), Hamdi Bajraktari (Junik), Adem Helshani (Hereç), Ramiz Buleshkaj (Istog), Mulla Hyseni (Ruhot), Kadri Qetta (Trubuhot), Arif Reka (Dugajevë e Rugovës), Muharrem Gashi (Qyshk i Pejës), Elez Gashi (Qyshk i Pejës), Hysen Mazdena (Voksh), Qamil Brovina (Gjakovë), Hajdar Manxhuka (Gjakovë), Fazli Meta (Gërgoc i Gjakovës) Kamer Syla (Gërgoc),Brahim Smajli (Gërgoc). "Kishte edhe shumë të tjerë, por emrat e tyre s'më kujtohen", thotë Haxhi Delia.
Pas lirimit nga burgu, për katër vjet e kishte të ndaluar të dilte jashtë shtëpie (një si burg special shtëpiak); e kishin të ndaluar të bisedonin me të të afërmit e farefisin. Më 1963, kur erdhi Hrushqovi për vizitë në Jugosllavi, xha Haxhiu burgoset shtatë ditë, aq sa i mban edhe më 1979, kur erdhi Tito në Kosovë.
Në luftën e fundit - së bashku me luftëtarët
Lufta e fundit në Kosovë, po ashtu, është rrëfim më vete për xha Haxhiun. I thanë të afërmit që ta çojnë për Shqipëri, për ta strehuar.
"Jo, se kam qenë në GoliOtok për Kosovë. Kosovën e kam timen. Me djemtë që luftojnë du me qëndrue e me dekë. "Dola me djemtë në mal. M'u lutën që të mos qëndroj me ta. Jo, ju thashi s'largohem, se kur linde ti, unë isha në Goli Otok e i solla eshtrat në Kosovë, se du me u ba vorr n'Kosovë", i thashë djalit të vëllaut, Ademit, ushtar i UÇK-së.
Më përqafuan ushtarët. Në ofensivën e parë bëmë rezistencë skaj mali, në Jabllanicë. Ishin 25 veta me armë. Filloi lufta. Erdhi në ndihmë Ramush Haradinaj, vetë i shtati. Serbët u thyen.
Në Zhebel e kishim ambulancën. Edhe disa herë tjera ka ardhë me luftue aty Ramushi... Mandej vijnë serbët e na e rrethojnë shtëpinë. I vranë lopët, në shenjë hamkarrjeje, se njerëzit s'ishin aty. Ademi, duke menduar se një grup zbret katund, e nis luftën me shkije. Luftoi një sahat me të gjitha armët, serbët shtinin me të gjitha armët. Malin e kallën flakë serbët.
Adem Delia, djali i vëllait, bie heroikisht më 14 prill 1999. Plagoset djali i mixhës, Xhevdet Delia, të cilin e tërheq Ademi, duke luftuar në distancë të shkurtër, duke i vrarë dy- tre veta. Xhevdeti mbetet gjallë, tërhiqet, kurse Ademi lufton, vritet nga një snajper armiku... E varroëm thjeshtë, me tesha ushtrie veshë. Kurse pas një muaji, e varrosëm sipas adeteve...
Isha në ato anë kur u vranë edhe disa Jabllanica, fyta-fyt me armikun.
Mandej, kur u tërhoqën forcat serbe nga katundi ynë, erdhën 25 ushtarë të UÇK-së me Malën, ua zunë pritën shkijeve te vorret e gaxhive, iu zunë material ushtarak. Serbët iknin nëpër ujë. Kur u çlirua Kosova, erdh Ramushi e tha: "Burra, u çlirue Kosova". Civilë e ushtarë dolën nga mali...
Tash janë shumë parti. Por të gjitha duhet me gjuejtë në një vend. Me i përkrahë ata që dhanë kontribut e u munduen shumë."
Kështu shpalon fijet e jetës së tij xha H me plisin në kokë.
Atë s'e kishte hequr edhe kur kishte shkaur për ta vizituar në burgun e Zrenjaninit Sahit Berishën nga Volljaku i Klinës, nip i tij. Me këtë plis ai ka kaluar edhe kufijtë, si shenjë krenarie etnike e qëndrese, si flamur shpirti.
(Reportazh i botuar në gazetën “Rilindja” 21 maj 2001)

0 comments:

Post a Comment