Friday, January 26, 2018

Prend BUZHALA: DOKTRINAT E RIMOHIMIT KOMBËTAR


(Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT), 25
Skënderbeu është hero evropian (përpos për 500 vjet, në Evropë janë botuar mbi njëmijë njësi bibliografike-libra, për Skënderbeun, kjo Evropë e ka ruajtur kujtimin për te, por kjo nuk ka ndodhë edhe në botën sllavo-ortodokse e atë aziatike.
Kudo në Evropën perëndimore e në SHBA ka përmendore të Skënderbeut, por jo edhe në boten sllave-ortodokse e në boten aziatike.
A mund ta shkruajmë sot një akuzë të re që Gjergj Kastrioti është hero turk, mbasi emrin e ka Skënderbe... për të qenë në korrent me neo-otomanizmin?! Po supozojmë: Skënderbeu u pajtua me Perandorinë që të mos bëjë gjenocid:
“Qe, po e ndërrojmë fenë, po e ndërrojmë kulturën, por si ta ndërrojmë kombin”?
“Ju nuk jeni arbër, se arbrit janë kaurrë, me demek të krishterë, kurse ju jeni turq, jeni myslimanë.”
Dhe për pesëqind vjet Turqia mohoi emrin e të qenit shqiptar...
Dhe kombi shqiptar, dje e sot, i ka gjetur formulat e veta të mbijetesës. Së fundmi, kur u krijua ky sintetizim e gërshetim “multikulturash, multireligjionesh e multi-identitetesh”, gjeti formulën e shqiptarisë:”Feja e shqiptarit është shqiptaria.”
Gjergj Kastrioti e kishe formulën e tij mbifetare e mbikrahinore;: epirotizmin... Në frymën e Renesancës evropiane, që depërtoi edhe në trojet e Arbrit, për të ndjekur traditat etnike, Skënderbeu deklaron se është pasardhës i mbretit Pirro të Epirit....
1.
Sot, kur tashmë është rrezikuar edhe kjo formulë; “për ta shpëtuar vetveten”, si dikur nën Perandorinë Otomane, a mund ta shpikim një Skënderbe si hero turk?!
“Nuk duam të jemi shqiptarë, duam të jemi kosovarë. Historia shqiptare nuk ka ekzistuar. Ka ekzistuar historia turke, shpëtimi ynë na erdhi nga Turqia...”, bërtasin sot protagonistët e doktrinës rimohuese shqiptare.
E rëndësishme për mohuesit brenda nesh, dhe për pseudo-historianët, pseudo-intelektualët e sotëm është:
1. për të thënë se deri në shk XIX nuk kishte komb, kjo do të thotë se deri në shk XIX nuk kishte shqiptarë!!! Ndodhi islamizmi, por nuk ndodhi braktisja e figurës së Skënderbeut, nuk ndodhi braktisja e flamurit të Skënderbeut; islamizmi nuk e njeh ndarjen e shtetit nga feja, kurse shqiptarët e islamizuar e morën pikëpamjen europerëndimore të ndarjes së fesë nga shteti, kur i krijuan shtetet e tyre (Shqipërinë më 1912 e Kosovën më 2008).
2.Vetë krijimi i i "fesë së shqiptarit - shqiptaria" e konfirmon këtë, kur u krijua realiteti i ri historik i copëzimit fetar nga ana e Perandorisë, apo copëzimi administrativ-politik me anë të vilajeteve.
3. Veprohet kështu kundër Skënderbeut, që shqiptarët SOT të mos kenë asnjë figurë përfaqësuese historike; që Skënderbeu të eliminohet si PERSONALITETI QENDROR i historisë së shqiptarëve dhe të mos kenë asgjë nga rrënjët historike të traditave të tyre,
4. Që, duke i eliminuar figurat historike nga historia jonë, populli ynë të mos ketë të drejtë trashëgimie mbi trashëgiminë historike, materiale e shpirtërore (sepse ato të drejta tashmë po uzurpohen nga Serbia nëpërmes manastireve e nga ideologjia neo-otomane e ku shqiptarët sot na qenkan qiraxhinj, që nesër duhet ose nënshtruar, ose dëbuar...
5. Që Skënderbeu të paraqitet si figurë që na paska vrarë "myslimanë", dhe nuk paska luftuar për LIRINË E ARBËRISË,
6. Që Skënderbeu nuk ka qenë kombëtar, mbasi nuk paska pasur në atë kohë komb, (ani se krejt emrat që janë përdorë në atë kohë, përdoren edhe sot; gjuha shqipe e asaj kohe flitet edhe sot, trojet e atëhershme janë këto të sotmet, ndërgjegjja etnike e përbashkësisë është kjo e sotmja)...
7. Që ai ka luftuar "për hakmarrje familjare" për 25 vjet me radhë, duke i marrë në qafë arbrit etj etj etj.
Edhe sot, formula “komb kosovar”, është amalgamë sllave dhe neo-otomane. Sllave: e mohon shtetin e Kosovës, duke e quajtur si “djep të serbizmit”, me trashëgimi ekskluzivisht serbe (manastiresh e kishash). Neo-otomane: se Kosova nuk ka histori shqiptare, por histori turke, trashëgimi turke...
A thua edhe sot, doktrina e mohimit të të qenit shqiptar dhe e të europerëdnimor, është negative, si na propagandon doktrina e sotme shqipfolëse?! Dhe secilin rikthim kah Lindja, qenka pozitive?! “Për ta tretur Shqipërinë” (për ta shuar atë) janë zhvilluar agresione, fushata, sulme, shpëlarje trush... Qenë vënë në veprim “doktrina rimohuese” (Kadare) për ta shkëputur Shqipërinë nga Evropa.
2.
Kot që Gjergj Kastrioti u quajt Skënderbe. E mori këtë ofiq të lartë, jo vetëm për t’u identifikuar ushtarakisht me Aleksandrin e Madh (turqisht: Iskander), por edhe të ketë... një si emër-formulë që sintetizon “një gërshetim” multikulturash, multireligjionesh, multuishtetesh, multiniregjionesh...
E keqja është se këtë sintetizim të mishëruar historik, kurrë nuk e pranoi Orienti otoman dje e ai sotmi, neo-otoman.
3.
Mirë,: nëse dje, kur quheshim arbër, duhej sakrifikuar ai emër, për t’u strehuar të gjithë së bashku te një emër i ri shpëtimtar: shqiptar, e sot?
Për hir të neo-otomanizmit, a u dashka të heqim dorë edhe nga emri shqiptar për t’u quajtur kosovar?
Qe, po e ndërrojmë edhe kombin, mbas ndërrimit të fesë dhe të kulturës dje!
Po i shpallim historinë tonë që nuk është shqiptare. Se fare ajo nuk ekziston...
Por problemi po na del te gjuha.
Si ta shpikim një gjuhë që nuk është shqipe, por otomane?!
Po e parafrazojmë Kadarenë, si u shpreh këto ditë në Prishtinë: "Fati i kombit (lexuesit) shqiptar, është i pandarë nga gjuha shqipe....”
Dhe doktrinat kombmohuese vazhdojnë.
Por dëshmi se shqiptarët ishin një KOMUNITET A BASHKËSI UNIKE, janë luftërat 35-vjeçare kundër Perandorisë otomane, nga një ushtri e fortë arbërore unike (e të gjithë arbërorëve), se Arbëria e kohës së Skënderbeut e kishte elitën e përbashkët, më të shkolluarën e më të arsimuarën në Evropën juglindore (Ballkanin e sotëm), si Pal Engjëllin (ministër i jashtëm), Dhimitër Frangun (financa), Gazullorët si ambasadorë, që ishin edhe profesorë universitetesh nëpër mbretëri e shtete evropiane të kohës, ushtarakët e lartë e të formuar...
Islamizimi masiv i shqiptarëve nuk e zbehu kujtesën historike për Skënderbeun për pesë shekuj rresht, ani se emri i Skënderbeut, po të përmendej nga arbërori a shqiptari, dënohej edhe me heqje koke, nga regjimi despotik sulltanor.
Vetëdija kombëtare moderne e shek XIX, është e hershme e që i ka rrënjët në vetëdijen kombëtare etnike të atyre shekujve.
4.
Kronikat otomane (si kronikani otoman Kevëm), kur e nisën ushtrinë e tyre kundër Skënderbeut, thonë se e nisën me "flamurin e islamit për në vendin e shqiptarëve" (shih librin "Ludta shqiptaro-turke në shk XV: burime osmane", Tiranë 1968, fq 112), pra, përmendet si emërtim i përbashkësisë gjeo-politike e etnike. Kronikani tjetër otoman i viteve 1439-39, thotë se "ai sulltan vullnetmadh...duke i qëndruar besnik ajeteve të zotit dhe lartësimit të flamujve, ka pasur për qëllim që të mposhtë të pabindurit dhe të pafetë kokëfortë, dmth popullsinë shqiptare" (po aty, fq 149)., pra përdoret emërtimi etnik "popullsi shqiptare", në letrat e sulltan Mehmetit flitet për "të pafetë shqiptarë", dmth përdor emërtimin etnik; këso kronikash (nga vetë taborri armik), ka sa të duash, që dëshmojnë me forcë këto të vërteta, ashtu si ka edhe nga arkivat evropiane.
Pra, arbërorët kishin një vetëdije të përkatësisë së gjuhës, të territorit, të përbashkësisë, të gjakut, të fesë së përbashkët (të krishterë), të identitetit të përbashkët evropian me popujt tjerë evropianë, (si përkatësi e përbashkët civilizuese). Skënderbeu mbajti Kuvendin e Lezhës (morën pjesë përfaqësues edhe nga Kosova e Maqedonia e sotme), ku u bashkuan te kjo VETËDIJE E PËRBASHKËT krejt princët arbërorë, pra kishin edhe VETËDIJEN SHTETFORMUESE kastriotiane. Ka ekzistuar një VETEDIJE E PERBASHKET ETNIKE, një vetëdije e përbashkët për lirinë. (Koncepti për LIRINë, është koncept evropian që nuk e njohin ato orientale). Islamizimi ndodhi në krejt tokat shqiptare, pra te krejt popullata, e jo në mënyrë të parcializuar (dmth tek klanet, fiset etj etj), Perandoria otomane i veçoi shqiptarët si bashkësi unike që i takon krejt një hapësire nacionale shqiptare, kundër të cilëve dërgoi ushtrinë dhe ideologjinë e saj me anë te shpatës.
Se feja e pushtuesit nuk soll në Shqipëri me anë të shpatës, këtë e dëshmon vetë proklamata zyrtare (anti-arbërore a antishqiptare) otomane e kohës:
"ata që mbetën nga armiku, gratë dhe fëmijët, i vunë në prangat poshtëruese të robërimit dhen i lidhën me zingjirët e mjerimit. Paskëtaj do të fillojë shkatërrimi i kishave, ndërtimi i mereseve, ndalimi i këmbanave dhe priushja e ligjevet. Brenda në zemrat e të pafeve, ku kishte bërë vend pafesia dhe mëkati, paskëtaj do të 5elë burbuqja e besimit në një zot të vetëm." (po aty, fq. 382).
Kuptohet, kudo në shkrimet turke "të pafe" quhen krejt shqiptarët, dmth ata që kishin NJë BESIM, atë të krishterë.
E tërë kjo bëhet, për të nxjerrë figurë përfaqësuese sulltanët otomanë/turq dhe për të eliminuar kombin shqiptar. Ata që duan të venë në dyshim këtë figurë, kanë probleme me kombin shqiptar sot, kanë probleme me identitetin e tyre kombëtar (të luhatshëm) dhe nuk e ndiejnë veten shqiptarë...
5.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u bë emblemë arbërore e shqiptare europerëndimore. U bë emblemë e Perëndimit, me të dy emrat e tij historikë, sikundër shprehet Ismail Kadare:
Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.
(poezia “Portreti i Skënderbeut”)

0 comments:

Post a Comment