Friday, January 5, 2018

Kujtim Stojku: PARA BUSTIT TË ISMET JASHARIT



Poemë
Qëndroj i heshtur duke dëgjuar veteranin
Që fliste i qetë me atë zërin e ëmbël të tij
Më pas zëri iu dridh,mbi shtatore vështrimin ndali
Filloi t’ shpjegojë me sytë që i flakërijnë.
Fliste me zë t’dridhur, një peshë t’rëndë kishte n’shpirt
Vitet mbi supe shpinën ia kishin kërrusur
Aromë baroti akoma kishte në çdo thinjë
Nën qepalla si hije i vallëzonte ëndrra e bukur.
Më pas zëri i tij oshëtiu si bubëllimë
Kjo tha është shtatorja e patriotit dhe luftëtarit
E këtij heroi që për atdhe ra e u bë fli
Sot është dëshmor i atdheut ky bir i shqiptarit.
Si ushtar bësnik e kreu shërbimin, për atdhe jetën dha
E nderojmë therorinë që bëri mbi varrin e tij
I griu armiqtë duke bërë hata
E ju duhet ta mbani mend derisa të plakeni
Sakrificën e tij do t’ua tregoni brezave që vijnë pas jush
Ashtu siç e shpjegoj unë tani, shërbimin që i bëri vatanit
Nëse s’do ta kujtoni ai do të humbë
Ajka e atdheut sot pushon i qetë tek varri
Ai s’kishte ç’të jepte më shumë se jetën
Që t’bashkoheshin trojet shqiptare, e t’ishin të lirë
Duke vuajtur nën plagët e vdekjes
Dha shpirt ky dëshmorë, një luftëtar patriotik.
Tashmë që ka rënë ai qëndron si shtizë flamuri
Shtrirë n’shtratin e dheut, shpirti i njomur me vesë
Ndërsa gënjeshtra si me plor lëron pluhurin
Eshtrat mbuluar me dhe rënkojnë thellë.
Kur predhat këpusnin barin duke mbjellë vdekjen
Lakoheshin mbi tokë duke shpërthyer veten
E tashmë dihet, vdekja me gjallëri firmosi
Shpirti braktis trupin, ai si meteor n’mes yjeve shkëlqen.
.........
Më prisni mua se një ditë do të kthehem
Më prisni me gjithçka keni në zemër
Edhe kur prej qiellit do të bjerë shi i verdhë
Edhe kur dëbora do t’hidhet e nxehur nga retë.
Kur kryet do t’ktheni ndaj nxehtësisë si saç
Kur ditët e kaluara t’hidhura do të harrohen
E sipas qefeve të tyre të tjerët me çdo gjë kanë me u marrë
S’do t’pyesin nëse gjallë a vdekur do të kthehen,e jetës do t’i gëzohen
Le të mbajmë ca minuta heshtje, vëllezër
Për të gjithë ata që ranë për liri
T’i nderojmë këta dëshmorë që për atdhe lanë emër,
E luftuan rreptë për të madhin bashkim.
Të gjithë rrinin e vështronin për tokë
Duke kujtuar ato ditë të mëdha
Për shokët e rënë dëshmorë
Kur gjokset e tyre mbusheshin zjarr
E deri n’asht hakmarrja u valon.
Por barabarët i zu tmerri
Anembanë kur kushtrimi u dha
Me i këput prangat me dalë prej territ
Dhe lirinë me gjak me e la.
Me e coptuar kërbaçin e barbarit
Që pamëshirë binte mbi vëllezërit shqiptar
Si shqiponjë n’atëdhe u kthye Ismet Jashari
Shkulma shkulma n’gjoks idhnia i vinte me dallgë.
..........
Tashmë, Ismet Jashari na rri për karshi
Me ballë të hijëshëm prej luftaraku
I derdhur në bronz na sheh me synë e tij
Që iu stolis me lule gjaku.
Ti flet për rrugët e U, Ç. K...së
N’male, shtigje, gryka e pyje
Për vendlindjen tënde n’Orizare
Që biri i saj më gjallë s’u kthye.
Pasi n’heshtje qëndruam disa minuta
Shokët e idealit flasin për karshi
Janë brezi i hekurt që dha lufta
Dhëmb për dhëmb kacafytur me shkjaun e zi.
Nëpër mjegull malet seç i zgjoi pushka
Dridheshin pyjet nga sokëllima e luftëtarit
Një çast mbi ta ndali vështrimin shqiponja
Nga urrejtia dhëmbët u kërcisnin si stralli.
Si lule plagë më plagë se ç’të doli gjaku
Me ngjyrë të kuqe alle flamuri qëndisur
Vlonte liria, fole rënçim kështu
Breshërimë plumbat t’u mblodhën brenda
Ngrihu,shkëlqen si qelq syri yt i ndritur.
Sot çiftelisë po i skuqen telat
Kënga pëshpërin prej gjoksesh, shkulmon
Lahuta lëshon piskamë nëpër hone të thella
Mbulon me lavdi ata që ranë si heronj.
Ra Ademi, Iliazi, Fehmi Lladrovci e Antigona
Vëllezër qëndroni sa më fort
Ta shporrim shkjahun nga trojet tona
Se mjaft e njomëm tokën me lot....
Por si prushi sot përvëlon kënga jote
Shpuzë në ballë armiqëve u djeg dhe sot
E ti në mes t’këngës vetëm lartësohesh
Duke mbetur n’mes nesh i gjallë përgjithmonë.
Ishe ti që nga liria u zgjove i pari
Malet dhe luginat nga krismat gjëmojnë dhe sot
Para mbi ta, sokëllin Ismet Jashari
Oh, moj lule stralli, hapi ushtarak po kumbon.
......
Hap pas hapi s’iu ndave barbarit
S’dinin ku t’futeshin, për ta ishe tmerr
Qiellin e shihje me ngjyrë jargavani
Sytë e tu shkreptimat e lirisë pas i lenë.
Trimat varret gjithmone i kanë të mëdha
Të çlodhen sytë në hapsirën e gjërë
Mbi krye të varet dielli or komandant
E ti qëndron gjithë hijeshi si trëndafil i prerë.
Ne për ty prej shpirtit sot këndojmë
Këngën e luftës, muzikë që midis yjesh ndihet
Një këngë trimash ikën tutje gjithë erë barot
Një lahutë të vjen e të rri varur mbi krye.
Nga thirrjet e tua dheu plasaritet
Thua se do të ngrihesh e do t’shkosh me shokë
Me dorën tënde do t’ngresh flamurin të valvitet
Prej betimit luftarak edhe sot malet jehojnë...
Tiranë 03.01. 2018

0 comments:

Post a Comment