Monday, January 29, 2018

Ramiz Kuqi: Cikël Poetik

MË IKU NATA
Si një hajneshë
M’i vodhi
Vargjet e (pa)shkruara
Erën e natës së ftohtë
Dritën e zbehtë të hënēs
Fluskat e buta të borës
Veç kandili i Naimit
Më bën dritë!
Pi sonte më thotë poeti
Zbraze këtë kupë
Zbraze!

IBËR
Mbi supet tua
Urë me gjemba
E gjemborë
Gjithçka ka mbetur
Si hije e trishtë
Më është vrarë fjala
Bashkë me lirinë!
Plisi im
Me pika shiu në ballë!

SHUSHURISIN
Shkronjat nëpër korridore të fshehura
E tinëzare deri në fund
Valë valë derdhen dallgët
Vardari trazon natën
Që hesht
Nën Urën e Gurit fsheh fytyrën
Një emēr mbēshtjellë me mister
Pollogu ka rënë në gjumë
Shipkovica
Majë Sharrit veneron qiellin
Yjet në mesnatë
Shushurisin!

PARLAMENTI
Më duket
Si një trup pa shpirt
Shterrëzuar nga moti
Në asnjë hap
Nuk e mbush syrin
As ëndrrat
Në gjeografinë e harrimit
Do të hyjnë këta demonë
Grykës!

MBI QYTETIN E GURTË
( Ismail Kadare)
Rrëshqasin pikat e shiut
Pëllumbat e bardhë
Kronikë është bërë
Dashuria dhe grindja
Në dheun e lindjes
Udhët gjēmojnë
Nëpër shkronja malli
Ëndrrat janë bërë metaforë?
Tetëdhjetë e një stinë
Një biografi nëpër dhimbje
Atje ku fjala është fjalë
Parisi
Shqipëria lundron
Si lundër nëpër valë
Rrëshqasin pikat e shiut
Dhe buzëqeshja nëpēr trotuar
Kruja rri e heshtur
Me Gjergjin mbi kalē
Vështron malet erërat
Që fryjnë nëpēr male
Dielli nuk harron të zbres
Mbi kodra e mbi det
Sa larg kanë ikur
Sa larg Kadare
I ëmbël është Atdheu
Balta rrugët e ngushta me kalldërm
Ndonjë plakë kur shushurit nda dritaret
Po vjen poeti me syza si zog malli
Tek ulet mbi një gur lagjeje me një fletë në forë
Yll mbi qiellin e letrave gjak i lindur arbëror
Rrëshqasin pikat e shiut !

DO TË DOJA
Qielli
Të ketë sytë ngjyrë kafe
Dallgët
Si të lumit Valbona
Lumë lumi më grish
Një natë t’i prek buzēt tua
Shtatin e gjatë pa fund
Stërkalat si loti yt
Nëpër rrjedha kohe
Ç’gjëmime ke parë
Do të doja
Të derdhën në një luginē
Drin i bardhë Drin i zi
T’ia puth sytë Valbonës
Si gurrë lë rrjedh koha ime
Pa gjemba në kufinj!


0 comments:

Post a Comment