Friday, January 5, 2018

Prend BUZHALA:DEKALOG (SHKRIMOR) PËR GJERGJ KASTRIOTIN- SKËNDERBEUN


DEKALOG (SHKRIMOR)
PËR GJERGJ KASTRIOTIN- SKËNDERBEUN, HERO KOMBËTAR
(Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT, ese), 3
1.
Kujtesa popullore ndër shekuj e ka ruajtur emrin e tij si simbol harmonie, uniteti dhe guximi, si shenjë mbrojtëse të etnisë, të shqiptarisë. Prandaj janë krijuar nga kjo kujtesë popullore edhe gojëdhëna, tregime e këngë popullore, pa dallim feje. Madje, figura e tij, pa dallim feje, është trajtuar nga shkrimtarët e të gjitha trojeve, e jashtë tyre, si te arbëreshët e Italisë.
2.
Në ushtrinë e tij Skënderbeu kishte luftëtarë të besimit të krishterë, katolikë e ortodoksë, si dhe të besimit mysliman. Mysliman ishte vetë Skënderbeu dhe nipi i tij, Hamzai. Të gjitha dëshmitë e kohës flasin për Familjen Kastrioti (të Gjon Kastriotit), si simbol e shembull të unitetit arbëror-kombëtar (le të themi: etnik, pra), ku fëmijët e pjesëtarët e familjes së tij kishin emra katolikë, ortodoksë, myslimanë. Kurse ambasadorë në vendet e shtetet katolike, ai dërgonte edhe arbërorë ortodoksë. Si shembull i kësaj harmonie, ai ruajti emrin e krishterë (Gjergj) dhe emrin me prejardhje myslimane (Skënderbe) për ta ruajtur unitetin arbëror të popullit të tij. Do theksuar se te shembulli i unitetit e harmonisë etnike, popullore (e kombëtare) arbërore, ai përfshinte edhe pjesët jashtë shtetit të tij (si arbërorët e islamizuar në pjesë të madhe kah Manastiri)...
3.
Mendohet se emërtimi SHQIPE ishte i kohëve të lashta dhe i ruajtur në FLAMURIN TRADICIONAL ilir-arbëror-shqiptar. Vetë Konstandini i Madh e kishte këtë flamur, për të cilin thoshte se e kishte trashëguar nga Pirroja. Shqipja dykrenore, është simbol antik, pra simbol i lashtësisë dhe i trashëguar nga arbrit (Flamuri i përdorur nga Pirroja). Mjafton të lexohet Fjalimi i Skënderbeut kur arrit në Krujë (nga Barleti, nga Noli e nga gjithë historianët), ku nuk mban një Fjalim Fetar (sikur të kishte qenë ashtu, atëherë Barleti prift do ta kishte shënuar me devotshmëri). Por, në përfundim të Fjalimit përmendet së pari fjala FLAMUR e mandej vjen fjala Perëndi: "Ngrehni pra flamurin përpara, dhe rrëfehuni burra si ngahera. Perëndia, si gjer tani, ashtu edhe paskëtaj, do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë. O Burrani!" (Përkthimi i Nolit). Këtë flamur e trashëgoi Skënderbeu prej ilirëve. As në kohën e Konstandinit nuk ka pasur Bizant,sepse Konstandini i Madh e ka konsideruar veten perandor romak, sado që Konstandini e formoi Konstandinopojën si qendër të veten (emrin e tij e ruan Stambolli i sotëm, se fjala Stamboll nuk është fjalë turke dhe sepse Stambolli kurrë nuk ka qenë qytet otoman e turk, i cili u pushtua pas ardhjes së Skënderbeut në Krujë). Kujtesën për flamurin ilir-arbëror-shqiptar nuk arritën ta zbehin asnjë perandori, madje as perandoria otomane. Studiuesi Jaho Brahaj dëshmitë e para të hyjnizimit të shqiponjës dykrenore tek paraardhësit tanë, i sheh tek dëshmitë arkeologjike të truallit pellasgo-ilir, tek qerret hyjnore, të cilat i tërhiqnin shpendët të dokumentuara që në shk VI para Jezu Krishtit. Këtë e dëshmon edhe ilirologu me famë evropiane, arbëreshi kroat Aleksandër Stipqeviq, tek vepra e tij “Ilirët: historia, jeta, kultura, simbolet e kultit”(Prishtinë 1990). Kulti i Shqiponjës dykrenore është ruajtur edhe në tregimet kozmogonike, sikundër janë përrallat shqiptare me tematikë mitike “Tri jetët”, ku personazhi depërton në botën e poshtme, në këtë reale e në atë të lartën dhe ku veprimin e bartjes së personazhit nëpër jetë e përtej-jetë, e kryen shqiponja mitike (sipas Jaho Brahajt).
4.
Skënderbeu, me një vetëdije të fortë autoktone-etnike, u ngrit mbi dallimet fetare. Vetë Perandoria otomane kishte përbërje fetare të ndryshme (vasalët e krishterë bizantinë e sllavë në kuadër të Perandorisë otomane, që luftonin kundër Skënderbeut). Dihet se aleatët më të ngushtë të sulltanëve otomanë ishin krerët e kishave greke e e sllave, mbasi gëzonin privilegje e të drejta juridike, financiare e fetare nga sulltanët.
5.
Skënderbeu ka luftuar edhe kundër ushtrive të krishtera, në mbrojtje të interesave nacionale të Arbrit. (Të mos harrojmë: nocionin NATIO, NACION, NACIONAL e përdor edhe Barleti te “Historia e tij, kurse përkthimet shqip te “Historia...” jepen me termin që nisi të përdorej në shek XIX: komb). Kështu,në vitet 1447-1448 ai luftoi kundër ushtrive veneciane dhe më 1460-1461 kundër trupave të princit të Tarantit në Italinë e Jugut.
6.
Prandaj, për shkak të vizionit të tij UNIK HSITORIK, ai mbetet figura më përfaqësuese shqiptare... para të cilës përkulen kombet, shtetet, personalitetet ushtarake, intelektuale etj.
7.
Vula e Skënderbeut: nuk ka simbole fetare, por është e mbështetur në traditën autoktone iliro-pellazge-arbërore. Edhe simbolet tjera të shtetit të Skënderbeut, janë të mbështetura në këtë traditë. Shqipja dykrenore, është simbol antik, pra simbol i lashtësisë dhe i trashëguar nga arbrit (Flamuri i përdorur nga Pirroja). Ylli me tetë e me gjashtë cepa është simbol i diellit (simbol ilir a i besimit ilir). Vetë Fan Noli e dëshmon këtë, kur shkruan te Historia e tij për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, ashtu sikundër e sintetizon këtë tek vargjet e tij proverbiale (poezia "Hymn i Flamurit").
Skënderbeu kishte një vetëdije të fortë autoktone për lashtësinë (shih edhe simbolet te përkrenarja e tij)...
8.
Edhe në vula e shkresa zyrtare , në letrat e kancelarive të huaja që i janë drejtuar atij si kryetar i shtetit arbëror/shqiptar, haset titulli zyrtar i Skënderbeut: “Zot i Arbërisë" (Dominus Albaniae)”, Arbëria është emër etnik shqiptar e shtetëror e jo emër fetar, sado që Perandoria otomane arbërorët i identifikoi me krishterimin...
9.
Gjergj Fishta thotë: “…Skanderbegu me at trimni e rreptsi me t’cilen luftoj kundra turqve, qi ishin mysliman, luftoj edhe kundra venedikasve qi ishin t’krishtenë. Prandej t’gjith shqyptarët e vërtetë, pa ndërlikim partiet e besimit, do ta nderojnë Skanderbegun si nji fatos t’komit e do t’u bahet nam me kremtue emnin e punët e tij. Skanderbegu asht ideali i liris e i pavarsis s’Shqypnis”.
10.
Koncepti për heroin, në CIVILIZIMIN EVROPIAN, ka traditën e vet të përdorimit (ndryshe se ç’e trajtojnë këtë koncept vendet e Lindjes që qëndron krejtësisht i ndryshëm e që krijon moskuptime). Feja nuk ka nevojë për heronj dhe nuk shpall heronj. Në frymën e konceptit antik, evropian, kombëtar dhe modern, Skënderbeu është hero kombëtar.

0 comments:

Post a Comment