Sunday, January 21, 2018

Prend BUZHALA: ME KUVENDIME KALLNORËSH


(Çast lirik: Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT), 20
1. 
A e ke parë:
dy mileniume bota udhëtoi e u përflak në Misterin e Një Çasti.
Mos harro:
e di atë fshehtësinë e Më Të Madhes Fjalë
Shpirtkrjuese.
(At)Dhekrijuese.
Është Një E Vetmja Fjalë, me të cilën e krijon Një Kohë.
E krijon Një Luftë, Një liri për të gjitha liritë.
Nga fjala që kosovon i krijon të Gjitha Kosovët,
shqipërisht Të Gjitha Shqipëritë.
Në të gjitha e në gjithçka:
e takon emrin e një Të Pari Tonë, një paraardhësi.
Me janarin kastriotian ne i flasim Evropës, Evropa na ligjëron ne.
Lindja këtu vjen dhe bashkëndjen me Perëndimin,
askush nga ata nuk fiton.
Përpos grindjes së dritave dhe hijeve, Të Keqes dhe Të Mirës.
2.
Eh, si rrjedhin koha e ujët,
si ndërrohen pamjet e dheut e brezat njerëzorë.
Nga ne përsëri mjaft do të mbesin për të rrëfyer,
për të dëshmuar e heshtur.
Ani se na humbën rrugët nga ato kohë të lavdishme e deri te ne.
Ani se i humbëm edhe fjalët
për t'ia ligjëruar vetes krejt ato madhështi.
Me çka të dalim përpara Gjergjit, Isasë, Jusufit,
para krejt Të Mëdhenjve tanë?
Pamja e fytyrës na paska humbur!
Shohim të ndezur vetëm qirinj të zinj.
Si të të njohim: a thua qenkemi një trup vetëm me gjymtyrë?
Koka e arratiska pamjen e vet:
pa sy, e gojë, pa veshë e hundë, pa ballë e mjekër.
Si të shohim e si të ligjërojmë?
Si të dëgjojmë e si të ecim?
Gjuha qenka arratisur te krejt gjarpërinjtë:
kush flet, shuhet së qeni përgjithmonë.
Shikimi qenka mbyllur në Had:
kush shikon Euridikën e vet, vdes për gjithë jetën.
Vjen Muzë kallnori e Mnemosinës e na troket: e dini kush jeni ju?
E, po e dite, futesh në mëkat të përgjithmonshëm,
si Adami e Eva.
3.
Me Emrin e Kallnorit i masim krejt çka kemi, masim lavdinë tonë.
Mes nesh Zjarr i Gjallë.
Krejt një Komb Afsh Zjarri nëpër histori dhe kohë.
Ju do të dëgjoni ende gjëmimet.
Vetëtimat e shkreptimat nuk prajnë.
Si bashkohen kur bashkojnë duart,
në valle, në gëzime a në mort.
Rrufetë shkarkohen nga ata shekuj,
si të shkarkohen krejt zemërimet.
4.
Nuk dihet
sa të lashtë e ka themelin e vet kjo tragjikë e heroikë kallnori.
Mbas na vijnë janarët me Dorën e Historisë
ta shkruajnë Tragjedinë e Re.
Me leksionet më të rënda të moteve, përherë me fytyrë tjetër.
Është Muaji i Zjarrit,
që ligjëron amshueshëm arbërisht, jasharisht, ilirisht.
Vjen Maestro i Kallnorit, rend deri te ne, me Flakën e Gjergjit.

0 comments:

Post a Comment