Friday, November 3, 2017

Grigor Jovani: Cikli poetik "Shpërthime vjeshte"

NJEZET E SHTATE
Kur mbusha të njëzetat, m’u shfaq Zoti në gjumë,
tha se më ruante prej kohësh një dhuratë të paçmuar.
Veç duhej të shtoja edhe ca vjet më shumë,
druhej të më linte thesar
kaq herët në duar.
Vite pastaj
gjurmoja ndër ishujt diamantet verbues,
me Sembah Marinarin, që i njihte detet në thua...
I ngjitesha pas Aladinit, mbi qylym fluturues,
të gjeja yllin,
që ruante Zoti për mua.
Ku ta dija, moj Ollgë! Dhurata e tij e paçmuar
ishe ti pas 7 vjetësh -
diamanti që quheshe GRUA!

LULELENDINA MES LAJTHIVE
Kam pushuar tani së kërkuari. E kam gjetur
vendin që më përshtatet përgjithmonë mrekullisht.
Atje do të ngrej strehën e ardhshme për vjershat,
të rilindem në tokën time të re, si një Krisht.
Ku është? Kur përshkon fshatin tim edhe ngjitesh
pranë Manastirit Shën Ilia, që e rrethojnë luledelet,
një lëndinëz e vogël mes pyllit të madh të lajthive
çan damarët gri, të hedh unë themelet.
S’mbaj mend si e quajnë këtë vend bashkëfshatarët,
e bëjnë herë pas here kamp veror të bagëtive,
në mendjen time e kam emëruar qysh herët
“Lëndina e vogël në mes të lajthive”.
Kam ëndërruar jetën që do të bëj aty, mes Parajsës,
unë edhe bashkëshortja ime e ardhshme: Vetmia.
Ia dashuroj me përkushtim visaret e rralla,
siç do ajo Librat, që ende s’kanë dalë nga duart e mia.
Ëndërroj buzëmbrëmjet që do na ulen mbi pyll,
zgjimet me cicërima zogsh në çdo rresht, në çdo varg.
Do të desha të vdisja përnatë, kostelacioneve, si yll,
të rilindesha mëngjeseve me luledelet në prag.
Problem kam kurmin tim të shpërbërshëm prej balte,
qysh do e përshtas në strehën e re poshtë lajthive!
Por gjersa do vesh kostumin e përmortshëm prej druri,
s’rrezikohem të hahem prej luledelesh dhe dhive...

KASKADER
Ti nuk e di se të kam dashur.
Unë dashuroja nga një burg.
Mbase edhe e ke kuptuar...
Por si të lidheshe me murg?
Harxhova kot rininë time,
zgjodha të sillesha si hije.
Ngaqë më ishe kaq e shenjtë,
nuk munda të të bëj me dije.
I zbardhja ditët pas një perde,
të dilje ti me çantë në dorë...
Si ata aktorët e dështuar,
që s’gjetën dot një regjisor.
Kështu një vit, kështu një tjetër,
protagonist as dhe një herë.
Mjaftonte që të kisha pranë,
pa le të isha kaskader.
Tani që vitet kanë kaluar
dhe unë të shoh sërisht nga salla,
oh, kam merak: e ke menduar,
sa brengë durojnë qeniet e gjalla?
Por zoti i mirë e ka një zgjidhje,
se ai s’ka faj në je debil:
ti ruan pranë qeniet e shenjta,
të jesh përjetshëm në idil.
Ti nuk e di sa të kam dashur,
por mbase dhe e ke kuptuar...
Nëse tani nuk jemi bashkë,
është se s’të paskam merituar!

MANASTIRI PREJ XHAMI
Kaq kohë rri jashtë vjershave të mia.
Do s’do,
një ditë do të hysh,
duke kaluar një deriçkë të hapur,
ku shkruhet: “Zemra”.
Përse ke frikë? Atje brenda është ngrohtë,
ka një qiell gjithë yje,
një pyll gjithë blerim,
ka zogj këngëtarë
dhe ëndrra.
E vetme s’do ndjehesh. Vjershat e mia
janë ndërtuar me xham.
Sheh jashtë.
Asnjë lidhje me burg.
Vetëm për të dalë do ta kesh ca vështirë.
Të pret fati im.
Jam murg.

LENDINAT E MALLIT
Nuk të kërkoj të kthehesh pas, moj mike.
Nuk kam ku të të pres.
U vura flakë sarajeve kur ike.
I varfër do vdes.
Kudo që shkoj s’më pret njeri pas dere.
Gjithshka nga e para.
S’do gjendesh ti në shtegun tim kësaj here.
As vitet e marra.
Shpërrndava gjysma dashurish nëpër erë,
kur isha i ri.
Mbase Zoti i mirë m’i shfaq edhe një herë.
Të bëhem njeri!
Ty s’të dua më në lëndinat e mallit.
Nuk kthehem prapë në fillim!
Nëse je atje, nuk di ç’t’i bëj hallit.
… këtij të pabindurit, shpirtit tim!

CEREMONI E PËRMORTSHME
Dashurinë, vendose të ma vdesësh,
Imzot?!
Ta çosh në varreza? Por atje ringjallet ajo,
bëhet shpirt fluturak dhe
për ironi,
lë një trëndafil tek pllaka e varrit.
Varrezat? Ato janë si panajiret e të djelave.
Vizita me stil,
shëtitjet me lule nëpër rrugicat e varreve
dhe
asnjë lot në fytyra vejushesh.
Janë ca të kushtueshme ndërrimet.
Sallonet e modës kanë rritur çmimet.
Atje, atje do ma çosh dashurinë? Vetëm
këngë nuk dëgjohen atje. Madje,
paguhen manakene amatore duke qarë,
për t’u fotografuar.
Doemos, me lule në duar...
Ndërkohë, vejushja përpara pasqyrës
provon kostumin e zi,
të përligjë se është e re dhe akoma në formë,
në të dyzetat e burrit.
Thua për këtë shkak, kohët e fundit,
etërit e shenjtë,
lejojnë hyrjen në ceremonitë e përmortshme
tek palaçot me kostumet e zeza?
Imzot,ngaqë e di se e gjitha kjo
nuk ngjan dhe kaq keq,
ma dërgove dashurinë në varreza?!

SHIRAT E VJESHTES
Uf! - tha ime shoqe. - Do na prishet koha.
Prapë Zoti me telashet e tij të shëndetit!
Tështitet lart, këtu poshtë zbrazen gjyma… 
Sikur ta dinte: u prish koha papritmas,
u shkrinë retë. Dhe
na u mbush shpirti psherëtima…
Më erdhi të qesh. I thashë sime shoqe:
Kapriçot e Zotit janë kulm i gënjestrës!
E dija: vullneti ligj i natyrës -
këto shirat e vrullshme të vjeshtës.
Ngula sytë tek dheu i lagur
dhe ai më çoi mesazhin sekret:
pas shiut do të lind miliona djaj të vegjël,
të gjelbërt krejt.

AVIONI I MESNATES
- Bijës sime, që sot udhëton...-
Qerpikët e mi të pafjetur
sot morën me ty
avionin e mesnatës.
Të hodhën dorën mbi sup
dhe të lanë të zgjedhësh
vendin e dritares.
Fjalët e mia
të qëndruan pranë,
të heshtura,
të fshehura
nën pëllëmbën tënde,
që shtrëngonte timen.
Të thashë, do jem me ty,
në të gjitha udhëtimet...

KOSTUMI I PALAÇOS
Gjithnjë e më shpesh tani,
zë veten duke folur sinqerisht
me të vdekurit. 
Më janë mërzitur tmerrësisht,
bisedat me të gjallët.
Nuk ndodhin vetëm natën,
nën dritën e kandiltë të hënës,
liridaljet e të vdekurve.
Shpesh herë i arratisem edhe unë
dëshpërimit të pashpresë të ditës,
nuk di si gjendem dhe i shoh
monopateve pa dritë të Hadit.
Kërkoj të humburit e mi
dhe ndjehem pjesë e tyre.
Nuk është vetëm nëna, të afërmit
dhe miqtë e shumtë,
që i njoh si veten time.
Është edhe im atë, që nuk arriti dot,
për dy-tre vjet në fund,
të më zbulonte veten.
Edhe ai, çuditërisht tani,
për herë të parë kërkon
të më rrëfehet.
Lë hapur dhimbjet, qan në supin tim,
- o zot! -
më jep dhe një të puthur!
Shkrihem në lotë edhe unë pranë tij
dhe i them:
- Baba, ku i gjendet porta Ferrit?
- Ç’e do, - më pyet, - mbretërinë e territ?!
- Dua të flak me zjarrit, të bëj shkrumb,
kostumin e shtirur të Palaços!

ÇUNI I JETIMORES
Dikush duhej të më merrte për dore. Të më tregonte
kishën në fshat. S’e mbaj mend. Një jetë larguar
në botën tej, 
që ngjan me Jetimore.
Një herë vetëm, mbaj mend, kam qenë me mamanë.
Kujtohem, gjithashtu,
më shtrëngonte për dore.
Të tjerat herë i shpëtoja nga dora, arratisesha jashtë.
Ç’forcë më largonte nga ëngjëjt,
si djallin nga temjani?!
Tani jam kthyer. Por rrugën për në kishë
s’e mbaj mend.
“O njerëz, nuk më njihni?
Jam Grigor Jovani!”
Ndjehem keq. Gjersa të ndodh ndonjë ta njoh
dhe të më njohë, po rri e po pres këtu,
profit
në një hije...
“Çuni i Ilias je ti, or dreq! Ne të mbajmë mend
me fytyrë
dhe me emër fëmije!”

EPIGRAME
1.
Një shpirt pa mëkate,
Vdekjes,
dua t’i dorëzoj.
Ngaqë nuk jam gati
akoma,
... rroj.
2.
Ai prej kashte
më është më i butë,
se një shtrat pambuku.
Prandaj, me të dalë hëna,
mullarëve duku...
3.
Nga e njeh dashurinë kallpe?
Ngaqë ashtu si çdo mall:
kur të bind ta blesh shtrenjtë,
dije, të ka zënë budall!
4.
Për çka nuk mundëm të bëjmë,
shfajësohemi: “Nuk do Zoti!”
Për çka s’duhej, por e bëmë,
prapë atë e fajësojmë:
“Ngatëroi gjërat idioti!”
5.
Ç’është kështu, o zot, ky kopësht?
S’gjen me erë një trëndafil!
Dikur ishin si të tjerat,
por dështuan në idil...
6.
Dashuria nuk është mollë,
që ta përpjestosh në copë.
Ose kafshoje të tërën,
o lëre të flejë në gropë.
7.
- Ç’kemi? - pyeta kamarieren.
- Gjellë, nga më të arirat!
(Më gënjeu, fshihte gjoksit,
dy mollë, nga ato të mirat).
8.
Tani vonë e kam kuptuar,
pse më shaje me tërbim.
Doje që të të harroja
dhe të ishim barazim.
Por unë gol kisha shënuar,
ndaj dhe ndjehesha me fitim.
9.
Lotët e tu tringëlluan
në diskun e argjendtë të hënës.
Ashtu si pulat hedhin glacka
në përparësen e bardhë të nënës.
10.
Nëse do të mundnin dot,
do na pështynin gjithë gaz.
Por ja që pranuan Vdekjen
dhe çdo gjë e lënë pas.
11.
Ngjajnë me dallgë
puthjet e nxehta.
Janë shumë,
por jo të njëjta.
12.
Një brinjë huazoi
Eva nga Adami.
Nuk e ktheu akoma
dhe është bërë nami.
13.
Shiko sa me fat
janë poetët..
Edhe kur gënjejnë
janë më të vërtetët.
14.
Ç’e do që e kupton,
që kjo dashuri qe gënjeshtër...
E vërteta ka ikur
në një botë tjetër.
15.
Do të desha shumë
të të lija ca shpresa.
Por të dua vërtet
dhe... më dhimbset besa.
16.
Bëra një provë për dashurinë:
tek gishti im ngula biçak.
Pashë tek gishti i së dashurës
gjak.
17.
Erë, mos u lodh
duke më trokitur në dritare.
Në daç thyeje nëse s’të dëgjoj,
gajle mos ki fare.
18.
Ç’kujton se është
Poezia?
Një puthje
nga buzët e mia.
19,
Kanë mbetur gishtërinjtë e mi pa të tutë,
janë bërë anemikë,
si drogaxhinjtë kur u mungon doza.
Kjo është arsyeja që i lëviz si robot,
jo arteroskliroza!
20.
Më plagosën barbarët
e ç’bënë?
Vjershat e mia
u botuan në hënë.

0 comments:

Post a Comment