Thursday, November 2, 2017

Ramiz Kuqi: PO Ç’FAJ KAM UNË?


Mjegulla atë fillim nëntori ishte shtrirë gjërë e gjatë nëpër udhë, si një merimangë me shumë krahë dhe A. kishte ndjenjën e frikshme se, po të ndalej rryma, mund ta humbaste udhën për t’u kthyer në shtëpi. Asfalti i lagur , nga shiu që kishte rënë para se të zbriste muzgu mbi qytet, kishte paralajmëruar ngasësit e veturave dhe të kamionëve të mëdhenj që të hapnin sytë nga ndonjë aksident i mundshëm. Në të dy kryqëzimet ishin vendosur dy vetura policore rrugore dhe, herë pas herë, sipas rasteve ,ndalnin dhe i këshillonin për përmbajtje.
Në të dy anët e rrugës kryesore, afër udhës së këmbësoreve A. vështroi me kujdes plepat me gjethe të zverdhura në degë . Largësia e shtyllave elektrike dhe poçet që lëshonin dritën e neonit në një copë tokë të gjelbëruar e kishin rikthyer A. para disa vitëve, kur shkeli për herë të parë aty.
Atëherë, në fund të tetorit, kur u zgjua në mëngjes pa se bora kishte mbuluar tokën . Erë e fërfëllizë rrotullohej sa andej sa këndej udhës. Komunikacioni gati se ishte bllokuar. Traktorë të mëdhenj në të gjitha udhët kryesore që çonin për në qendër të qytetit hidhnin kripë dhe rërë. Ndonjë sirenë e veturës dëgjohej herë pas herë. Kohë të shkuara ,-tha më vete A. E thente heshtjen e ditës.
Eci e eci disa kilometra rrugë. Ishte natë e butë, si të ishte fillim i pranverës. Iu kujtuan netët e rinisë së tij dhe ndjeu dhimbje e nostalgji. Iu duk se ishte në odën e miqve , në vendlindje. Disa postiqe të shtrira rreth oxhakut. Për pak sa nuk foli. Por për një çast e frenoi veten. Ishte humbur nëpër kujtime kohe. Po një gjë iu kishte thadruar në mendje, si fiksim. Kur nata është e butë,-thoshte xha Diku, një plak që vuante nga frymëmarrja, dimri është në prag thoshte i ndjeri.
Kjo mbase i dha të drejtë të mendoj njësoj A. si xha Diku dikur.Ishin kohëra të vështira. Pa dritë. Ajo familje që siguronte kripë e gaz e bukë misri, ishte ndër të parat dhe lavdërohej i zoti i shtëpisë. Dëgjohej vetëm një zë burri.Vetëm ngrohtësia e njerëzve ishte shembull njerëzie.Kur një i ri merrte udhën e mërgimit ose nisej për ta kryer shërbimin ushtarak, njerëzit mblidheshin në skaj të fshatit dhe secili përqafohej me të. Nuk mungonin as lotët, në të dyja anët.
Pasi i kthye, A.bëri një dush dhe u shtri në shtrat. Ndjeu dhimbje në fund të barkut. Ishte një dhimbje përcëlluese. Zakonisht shfaqej kur ndryshonte moti. Ishte mësuar me të. Afër shtratit kishte shpërndarë letra, dy a tri libra të lexuara dhe, në secilën faqe kishte shënuar me ngjyrë të kuqe ndonjë mendim a ide që i kishte lënë mbresë.-Ç’bëre sot?- i kishte shkruar Farkatari.
- Në mesditë me grishi Aliu për kafe. Unë isha duke u kthyer me autobus, disa kilometra larg shtëpisë.
- Ishte mirë Mushi?
- Kishte bërë një ndërhyrje kirurgjike në lëkurë të kokës. U habita kur e takova. M’u duk i zbehur në fytyrë. Mezi e njoha. Mjekët ia kishin lidhur me fasha gati tërë pjesën e kokës. Në kokë mbante një kapelë të madhe për të mos e ngacmuar plagën.
- Duhet ta vizitojmë, si thua?
- Patjetër. E kemi mik. Mbase në mërgim njerëzit janë të zënë me punë dhe, vetëm vikendeve mund të takosh ndonjë në qytet, dorë për dore me fëmijë, po pate punë në ndonjë shitore të të huajve ku gjërat janë më të lira, bile edhe shumë.
- Do të qëndroni gjatë aty?- pyeti.
- Nuk e besoj. Unë duhet të shkoj për t’i marrë fëmijët në çerdhe. Para dite me Tonin e Demën i ndërruar gomat e verës me të dimrit. Këtu dita i ka dy stinë . Mund të na befasojë nata me të veshura të bardha mbi male.
- Je lodhur sot?
-Pata shumë pacientë. Kohë vjeshtë me gripe.Fëmijët e vegjël dhe pleqtë, por edhe punëtorët janë ata që më së shumti kërkojnë ndihmë. Ankohen nga dhimbja e fytit me temperaturë. Edhe disa ditë do të udhëtoj për Iliridë. Mbahet një manifestin poetik atje , dhe unë jam përherë atje. Më pëlqejnë poetët. E ndjej veten të lumtur e me privilegjë.Mandej, ia vlen të ikësh për disa ditë, sa herë kur të jepet mundësia. Këtu edhe udhët duken të ftohta. Për njerëzit, nuk kam shumë komente. Po edhe ne gati u bëmë si këta. Koha ka ndërruar gëzofin !- Po Aliu si ishte?
- Mirë. Është kthyer nga Pollogu ka disa ditë.
- Pati ndonjë rrëfim të veçantë?- pyeti Farkatari.
- Ka rënë në dashuri. Ka disa muaj. Një këngëtare ia ka rrëmbyer zemrën.-Ç’thoshte?
- Eh, daja A. Ti nuk e di sa e bukur është. Ka dy djem të rritur. E ndarë nga burri prej vitesh. E nxjerr bukën e gojës me këngë. Rastësisht ika një natë në një restoran dhe, që në shikim të parë me mbërtheu me shikime. U stepa në vend. Ja ashtu rrodhi, si lumë, kjo ndjenjë...jam bërë peng i dashurisë. Në ketë moshë të thyer!
-Rrugët e jetës,- ndërhyri Mushi- janë si rrjedha e lumenjve.Asnjëherë nuk janë të njëjta.-Je futur thellë në mejtime Ali?- e ngacmoi Mushi.
-Sikur ma ke inçizuar mendjen. Po ç’faj kam unë? Ç’faj ?- E dua, e dua ! Jeta paska tiktaket e veta, si tiktakët e orës.
Oslo, më 1.11.2017

0 comments:

Post a Comment