Friday, November 24, 2017

Prend BUZHALA: SI DUHET TË JENI TË KËQIJ NË DOBI TË REPUBLIKËS


(Antilirikë makiaveliane për historinë e përbotshme të sundimit)
E ç'të duhet ta luash rolin e shenjtorit?
Nuk ka shenjtorë aty ku sillesh mes mashtruesve të pacipë.
Së pari, mos i beso virtytit dhe jetës së virtytshme,
E ç'të duhet mirësia mes shpirtrash dinakë,
që dinakërinë e kanë zeje të stërholluar?
Kujdes, puna më e keqe është nëse të lavdërojnë.
Ndiqi sa më shumë ata që i ke kundërshtarë, fyeji e poshtëroji,
Ndryshe e merr pusi Republikën. Merri masat më të ashpra.
E ç'të duhet ta bësh Republikën një vend të lumtur e të gëzuar
Kur lumturia e gëzimi janë përralla dimri për të mjerët?
Kujdes, mos i respekto njerëzit, e dëmton shëndetin shtetëror.
E, ligjet mos i zbato për të mirët, se e dobëson shtetin.
E ke mësuar: si t’i mësosh mbështetësit tu kryesorë
Të rendin nëpër rrugët e trishta: vetëm ashtu të tjerët i frikëson.
Ashtu si tha Makiaveli: njerëzit e mëdhenj janë të këqij,
Mësoni të bëni sa më shumë gabime,
si të jepni sa më shumë shfaqje mashtruese.
Bëju sa më i ndërlikuar.
Të ndodh: kur të gjendesh në vështirësi e skamje,
lejoji shtetasit të vjedhin sa më shumë,
kur askush askënd s'mund ta akuzojë.
E, kur nuk mund t'i mbash premtimet,
Atëherë krijo sa më shumë armiq,
Atëherë di si t'i dënosh ata,
Si të zbulosh sa më shumë të dyshimtë,
Krijo sa më shumë shtigje të fshehta
të braktisjes e të fshehjes së kundërshtarit nga Atdheu,
kur i ndjek me gjyqe, a me ligje në emër të Republikës.
Kur të krijosh të mira për qytetarët, shkatërroji ato
Në emër të lirisë e të drejtave njerëzore.
Do ta shohësh: sa frytdhënëse është urrejtja.
Nga urrejtja nesër ata do të ngrihen në këmbë përsëri për lirinë.
Ata që janë të dobët e ata janë shumica, do të vijnë pas teje.
Mbasi t’i kesh përçarë në emër të bashkimit,
ata do t’i kesh të tutë.
Ata nuk janë mësuar të jetojnë të lirë.
E ç'iu duhet liria të tillëve?
Për ta do të jesh hyjni, drejtues dhe mbi-shenjtor.
Kush tha që Republika është vullnet i popullit?
Republikat gjithnjë i krijuakan ata që sundojnë.

0 comments:

Post a Comment