Tuesday, November 21, 2017

Namik Selmani: Prushi i dhimbjes

Në kujtim të Bubulina Lajçit, vajzës së aktorit të njohur të Kosovës e të mbarë shqiptarisë Çun Lajçit në ditëlargimin nga jeta
Nga Namik Selmani
Ia bani një za
Atyre krushqve-engjëj që të vijnë nga një parajsë e bukur
Ta marrin me vete Bubën
Atë zanë të re sybukur, në krahët e tyre të ylbertë
Vjeshta rugovase
Le t’ia thurë tantellat e jelekët në pragun e kullës!
Pishat e krojet e Rugovës
Le të heshtin në tokën që do e tresë.
E lotët për Bubën
Të bahen currilë blerorë në Kroin e Kujtesës!
E Tanusha e Rugovës
Prapë të na ndritojë konakët me darsma.
Po
Hej, si s’plas kjo palcë dheu, more njerëz të heshtur???
Nga kjo gurrë me lotë
Në zemrat e të gjithëve dëgjohet piskama.
Hej Bubulinë e Kosovës dhe e Çamërisë sime
Hapi mos t’u faroftë në udhët e paprekura!
Në Qiellin e Shpirtit
Do flatrojnë fjalët prushane të poetëve.
Kush tha,bre,
Se gjoksi i Bacë Çunit nuk qënka bjeshkë borëpatretur?
Kush tha
Se dhimbja e nanës nuk thinj gjithë dallgët e deteve???
Hijet nuk treten
Na e ke pas thanë kah mot, bacë Mençuria!
E tash
Pash më pash ta fshehim si hi i prushit të një lisi
Të dridhet thekshëm
Në këtë erë vjeshtore tupani e çiftelia
Bubë- Mirësia
Të na rihapë Portat që zgjojnë vitet si bardhësi plisi.
E në dritare
Lexojani asaj stinëve që ndërrohen Alfabetin me drurë
E zogjtë
Në kroje e degë le ta këndojnë një serenatë hyjnore malli
Bora e largësisë
Të na shtojë një rrudhë e një thinjë më shumë.
Për Bubën
Në thërrimet e dheut të çelin mijëra lule livadhi

0 comments:

Post a Comment