Thursday, November 9, 2017

Prend BUZHALA: NJË UDHËKRYQ I (PA)KAPËRCYER HISTORIK


(Ose: vizioni për Amerikën në Kosovë, europerëndimorizmi dhe orienti ynë)
Ç''të bëjmë me një pararadoks të Kohës sonë: shqiptari është patriot, e do kombin dhe Atdheun, por, me mendësinë anti-shtet, ai nuk e do aspak shtetin, i kujtdo qoftë ai!
1.
Kosova është një shoqëri e hibridizuar me ideologji evropiane e orientale, një komb me disa besime e me prirje traditash e zakonesh sipas krahinave, me tradita të forta historike, folklorike e me prirje shpesh për t’i braktisë ato; me prirjen e theksuar INDIVIDUALISTE e me jetën konservatore në bashkësi të gjera familjare; me prirjen për ta organizuar jetën sipas KANUNIT në secilin sistem, regjim a shtet...E tillë, ajo është gjendur mes Azisë dhe Evropës, në mes botës antike greke e asaj romake dikur, në mes Bizantit e Romës më vonë, në mes krishterimit e islamizmit nën Perandorinë otomane, në mes komunizmit oriental rus dhe demokracisë europerëndimore gjatë shekullit XX... Gjithnjë NË UDHËKRYQ. Nuk është e habitshme, se edhe në jetën politike të pasluftës na shfaqen këto kundërthënie të së kaluarës, qoftë edhe në nivel të politikëbërjes, përplasjesh mes vizioneve orientale, amerikane apo europerëndimore.
Ky UDHËKRYQ HISTORIK tashmë është pushtuar me Frymën e Lirisë.
Dikur, Hegeli, filozof gjigant gjerman i filozofisë botërore, tek vepra e tij "Filozofia e historisë", thoshte: "Amerika është VEND I ARDHMËRISË, mishërim i modernitetit, është ëndrra e ndryshimeve evolutive historike."
Në kohën e viteve '60, kur Kosova nuk kishte as drita elektrike, as rrugë të asfaltuara, as stacione televizive, as universitet (përpos disa Shkollave të larta e të mesme); edhe plakat analfabete ligjëronin për Amerikën Përrallore: ishte koha, kur thasët e bardhë të miellit, sheqerit apo tamblit, e që ishin eksport a dhuratë amerikane e asokohshme, shërbenin për gjyshet e nënat tona për të prerë rroba për fëmijë dhe të rritur, mbasi e kryenin edhe punën e mjeshtërisë së rrobaqepësisë.
2.
Evropa kishte kohë, duke filluar që nga Epoka e Humanizimit dhe Renesancës, që kishte ngritur, ndër të tjera, idealin e "harmonisë historike të Evropës" (fara e një bashkimi të ardhshëm evropian). Dhe që nga shekulli i Hegelit, Amerika zuri të shndërrohet në forcën lëvizëse të historisë botërore. Gjatë gjithë shekullit XX ajo mbizotëroi botën, kurse sot është superfuqi ushtarake dhe teknologjike. Është edhe ndër qendrat më të rëndësishme mediatike dhe kulturore. Më të pasurit e botës, qe sa e sa shekuj, ia mësyjnë Amerikës, pikërisht pse ishte vendi më i sigurt në botë, ku kanë investuar kapitalin e tyre, sepse në SHBA nuk ka pasur asnjëherë rrezik për ndryshime të regjimit politik, as frikë për shkak të gjykimeve të paligjshme, as frikë nga pushtimet e invadimet e huaja, nuk ka rrezik nga rrënimi a shkatërrimi i kapitalit. Porse Epoka e Humanizmit dhe Renesancës kishte themeluar dhe një ideal tjetër: atë të shoqërisë civile, të cilës i jep pamjen e vet filozofike. Gjermani Hegel thekson drejtpeshimin midis interesit personal dhe formave utilitare e refleksive. Hegeli te SHOQËRIA CIVILE sheh LIRINË E INDIVIDIT (individualizmin ekonomik që shkatërroi strukturat familajre e ato të institucionalizuara shtetërore). Shoqëritë civile shquajnë bashkime e bashkëpunime vullnetare, qoftë të kishës qoftë të bashkësive të ndryshme qytetare, ku vendimet merren në shkallë lokale e ato nuk duhet t'i kontrollojë shteti apo burokracia (e që ishin ideale të republikanizmit e të humanizmit civil të atyre shekujve deri më sot). Kurse në SHBA ato harmonizojnë dallimet racore, etnike, gjeografike, kulturore, fetare, ideologjike etj.
3.
Evropa, e mbyllur nga qarqet aristokratike-borgjeze; ishte krejtësisht e kundërt me Amerikën si SHOQËRI E HAPUR (Karl Poper), ku kishin shkuar emigrantë, endacakë, shtegtarë, raca të ndryshme, kombe të ndryshme, të dënuar që kishin ikur nga burgjet, vagabondë ... I shkuari atje ndjehej njeri i lirë si person dhe i lirë të krijojë pasuri e ngrehina pasurish sipas prirjeve të tij INDIVIDUALISTE. Ekziston interesi dhe liria, ndryshe nga Evropa që kishte themeluar shtetin e fortë kombëtar që kontrollon dhe qeveris me shoqërinë.
Në Amerikë dëgjojmë: ka një federalizëm politik (pesëdhjetë shtetesh), ka një shoqëri të fortë civile, gjykata të forta dhe një senat të fuqishëm, ku ndeshen interesat, tregu politik, shpesh i pabarabartë, por arrijnë t’i sheshojnë konfliktet e interesave nëpërmes MARRËVESHJEVE, kurse Gjykata Supreme (Suprem Court) është arbitër i interpretimit të rregullave që lejon funksionimin e zhbllokimin e tregut politik. Me sistem bivalent politik: presidenti i zgjedhur drejtpërdrejt e Kongresi që përfaqëson interesat e palëve, gjatë historisë së vet presidentët amerikanë kryesisht kanë qenë ose heronj të luftës , të zgjedhur menjëherë pas luftës si presidentë, ose popullistë (Truman, Nixon, Carter, Regan, Clinton, Bush...). "Heronjtë e luftës", si presidentë, janë konsideruar si njerëz mbipartiakë. Ndryshe nga Evropa që mbështetet në të tjera vlera: ku heronjtë e luftës tërhiqen dhe ia lënë vendin HEROIT TË INTELEKTIT për t'u zgjedhur president. Në vendet ish jugosllave, pas luftërave, presidentë dhe kryeministra u zgjodhën gjeneralët e luftërave (Kroaci, Bosnje, Serbi), ndërsa në Kosovë ndodhi gërshetimi i dy traditave (në përleshje): i "krahut të luftës" dhe i "pacifistëve" apo krahut intelektual.
Sido që të jetë, duket sikur Kosova po përplaset ende në mes këtyre DY PRIRJEVE: për të zgjedhur njerëz luftarakë-popullistë (të tipit amerikano-ballkanik, ku shteti nuk zhvillohet "sipas planit", por sipas konceptit të LIRISË e që shpesh përfundon në anarki ekstreme; ku frymëzim motivues i frymës së shtetit, bëhen luftërat dhe rreziqet nga luftërat...në këtë rast, VETËDIJET NACIONALE apo etnike etj et) dhe të frymës europerëndimore (për të zgjedhur njerëz të frymës intelektuale, me prirje për ndërtimin e shtetit, të frymës racionale dhe të formimit kulturor.
Se si do ta gjemë veten tash e tutje, në këso vorbullash, gjithsesi që vlen ai postulati hegelian për MENDIMIN INTELEKTUAL që e theksuam në fillim me mplekjsen e frymës së tij tek shteti, tek shoqëria e lirë civile dhe tek pluralizmi politik...

0 comments:

Post a Comment