Tuesday, December 12, 2017

Arqile Gjata: Trembeni...?!

Të gjithë trembemi,
dhe toka rreth hijes së saj,
dhe yjet atje lart,
rrëzohen në vrimën e zezë nga bukuria e hënës.
* * *
Tremben vargjet nga duart e ndrydhura,
trembet shiu nga barku shtatzan i lumit,
trembet syri nga rrezja e diellit ngjyrë ari.
* * *
Nga heshtja e bukurisë
po tremben vjershëtorët
me sy mbetur te fjala.
* * *
Në qiell po dëgjohet muzikë,
retë e bardha po luajnë balet në ajër,
nga majëmalet fluturojnë hije njerëzish të trembur,
si shpend të flamura.
Të gjithë,
në mënyrën e vetë sodisin heshtjen e bukurisë,
dridhur nga frika si lypsarë.
* * *
Aty, nën lëkurën tonë të trembjes,
me përbuzje
shkulim bimët e bukurisë së shkuar
për të shkruar poezi të palumtura.
* * *
Heshtja e bukurisë veshur me rrobat e pikturës
qesh e qan nën frikën e vetmisë
nga tallëzitjet e çmendurisë së kohës
për jetën dhe vdekjen e së ardhmes.

0 comments:

Post a Comment