Thursday, December 14, 2017

Rexhep Hoti : Mos më merr!


Ti nuk më mban dot në zemër,
Nuk të rrah ajo me ritmin e dashurisë sime;
Në mendime nuk më bartë jo;
Kur ti më sheh mua,
Semiotika e rrëfimit të shpërfytyrohet si mos më keq!
Më mbaj larg me forcë,
Mbylli portat të mos hyj,
Ngujohu vetëm për mua
Të të shoh nga larg,
Si jeton përtej Murit të Adrianit,
O, e pambërrishmja për mua
Barbari!
E di,
Origjina ime të sjellë stuhi të pakëndshme
Në qetësinë tënde,
Si hëna kur oqeanet i valëvit!
Jam i ftuari i parë nga era në brigjet e Mesdheut,
Atje ku ndërlidhja e komunikimit ndërmjet kontinenteve
Ka vazhdimisht avari.
Nuk ke përse më pret as në tryezë të çastit.
Të të them hapur Europë
Në sytë e mi prej qielli
Kam frikë se thyhet pamja jote
Si të rigonte mbi të magji!
Mos më merr me vete
Më lerë të lëçitur si jam;
E përse të ta kujtoj unë pa ia nda
Çfarë soji je ti,
Pa rrënjë,
Pa nam,
Pa nishan!
Jam specie tjetër,
Hapësira ime me emrin Europë!
Përmasë e frikshme jam unë për ty!
Në mua jeton ende besimi lemurian!
S’dua të të them se je thjesht monedhë,
Bankënotë prej letre,
Bashkësi shtetesh me princa të plakur mbi interes;
Me blozë qymyri, me pluhur prej hekuri,
Nuk mund të të them një stivë e përdalë.
Më lerë mua përjashta
Si një personazh epik,
Siç i shpërdore stratiotët,
Me radhë gjeneralët shqiptarë,
Teksa e formësoje raison d'être
Ata ishin ushtarë
Dhe sa herë shihem në pasqyrë
Gjithë them me vete:
Jo,
Ti Europë,
Nuk ke faj!

0 comments:

Post a Comment