Thursday, December 7, 2017

Namik Selmani: Zëri i ri i Gjakovës


Ti çerdho në mëngjese Gjakove me kumuritë dhe zanat
E bëhu dirigjente e flladeve lulërorë të bjeshkës
E thur si Penelopë mes zileve shkollore shkronjëartat
Me mallin e rrugicave të Kalasë që vrullojnë brenda vetes
Ti çerdho këngët e Isyf Myzyrit mes këngëve majekrahu
Një violinë telnderur sille si zonjë shtëpie në Erenik
Preki bashkat e reve mbi Çabratin ngjyrëbajraku
E dëgjo qoftë dhe nën dhe amanetet e yjeve të lirisë
Nga Bezistani sill një shami erërash nga Mali i Vashës
Ca ninulla gurësh kalaje ku dashuri pa fund pëshpërit
Ec pa u ndalur, mike, po jo si në Urën e lashtë të Baladës
Me hapin e lehtë zgjo pa droje viteve një mall të ri
Merr një curril të kaltër si të ish shufër e florinjtë
Pasqyrose zemrën në stërkala të bardha ujëvarash
Kujto Krastën e bukur që këmbët i lan në Shkumbin
E gazmohu me urimet e lokeve në kulla, mes dasmash
Bëji duart me miell, me aroma e fytyrës jepi dritë agimi
Në odat e Gjakovës ndaj lule nimoze e ballakumet e festës
Këtu ka dritë, ka shend,e kalorësit e mundin theqafshëm Dimrin
Dhe mes qiejve të lirë katër pranvera pranverojnë njëherësh.


Ditëlindja prillane Në malin më të lartë do të kacavirem duarzgjatur Do të përgjakem me gishta për të mbledhur luleshqerra Mes çdo tis mjegulle të viteve kam për t’u matur, Që të shtrij livadheve barin e agimeve të freskëta. Ah, mbi shpinë të kuajve të verbër symbylltaz do eci. Të fluturoj i lumtur brigjeve si në sinorë rrezues parajse. Të të shoh sytë e tu të bukur që maten me diellin Për të marrë një shportë urimesh nëpër pragje. Nëse një ditë do të më dalë një zjarr bubulak Hapin s’do e ndal me vrullin e madh, të shenjtëruar Që të të jesh princeshë me sytë tërë flakë Që ti të këndosh nga mot me zërine ëmbëltuar

Atëherë do kuptoj se hyjnorja është afër tokës Te ai trup, te ai ballë bardhosh, te ai sy i dashuruar Të kisha në buzë të gjithë fjalët e gjuhëve të botës S’do më mjaftonin të shprehja urimin e zjarrmuar

Sot qënkam dhe unë një prill i ngrohtë, i bleruar Me ca lule shpirti që çelin vrullshëm në çdo stinë. Nëse pranvera do të kthehet në dimër të ngricuar, Zemra mbetet si një bahçe e madhe ku lulja riçel.

0 comments:

Post a Comment