Tuesday, December 19, 2017

Haxhi Muhaxheri: Cilkli poetik "Një Tufë Lulebore"


PA TITULL
Kësaj poezie
Nuk i dhash emër
Se titulli je Ti
Perëndeshë e egër
Që pushton zemrat

ETA DHE KOMETA
As nata e mori vesh çfarë i ndodhi
Kur numërat ndryshuan në rrethin e shtatë
E Liria udhëtoj dimensioneve të panjohura
Bashkë me dritën që lëshuan rrufetë
Eta Eta
Bërthamën godet Kometa
U thye kufiri ndryshuan polet pushuan ëndrrat
Në Teatrin e Qiellit u shfaqen dy silueta
E hënës një yll fshehurazi ia shkeli syrin
Pastaj doli fjala se veten burgosi tundimi
Eta Eta
Ku mbet Kometa.

SONTE MOS MË KËRKONI

Kot më kërkoni sonte
Ju o miq të krisur
Se kam një luftë për ta nisur
E një beteje për ta udhëhequr
Me shtatë plagë në trup
Si Gjergj Elez Alia dikur
Sonte
Mendjen e kam bërë një
Thellë e më thellë
Do të gërmoj
Minierave të atdheut
Në kërkim
Të thesarëve të humbura
E në vetull
Do ta puth vdekjen
Sonte
Të gjitha medaljet
Kam për ti dorzuar
Në shtrat
Dhe një nga një
Do ti mjekoj plagët
Qe të mbledh forcat
E pastaj
Do zhytem
Në bunarin
Që fundi
Kurrë nuk i është gjetur
Për të kërkuar
Trupat e miqëve të mi
Aty është mbytur Rizai
Aty është fundosur Hasani
Oi...Oi...Medet...
Dikush mallkuar na ka
Dikush tinëz na vret
Ku dreqin mbete
E dashura ime
Ndiz oxhakun të lutem
Se është ftohur dhoma
E gjakun duhet ngrohur.

DASHURI E MALLKIM
I
Kur Ti më mungon
Në sy më varet malli
Ëndërrat nuk i zë gjumi
Trazohen valët e detit
E shkreptijnë rrufetë
Pastaj
Si i çmendur
Zbardh netët
Me portretin tënd
Fiksuar në mendje
E shpirti merr udhë
Mbi tehun e shpatës
Kur afër më vjen
Damarëve të zemrës
Bëhet rrëmujë
E filloj të jetoj
Me frymën tënde
Të ndjej
Pastaj
Frymëzohem
Digjem
Përvëlohem
Sulem
Tërbohem
E prapë
Më mungon
E prapë
Më verbon
II
Të duash është bekim
Më ke pas thënë
Një natë dhjetori
Po Ti
Kurrë nuk e mësove
Se unë lindur jam
Ditën kur i vranë
Zogjtë mbi qërshi
Veç pse kënduan
Këngë dashurie
Dhe mallkimi mori dhenë
Thonë se atë ditë
Është thinjur dielli
Thonë se atë çast
Është errësuar qielli
Thonë se atë natë
Ka lotuar hëna
Thonë se atë vit
Melodin e humbi kënga.

MË PRIT
E dashur
Nesër
Ne freskun e agut
Do të bëhem ajër
E me shpejtësi drite
Do të vij
Lehtë lehtë
Pahetueshëm
Të futem
Për vrimë të çelësit
Në dhomen tuaj
Në shtrat
Në ty
E ta shijoj
Pllëmb për pllëmb
Bukurinë e Atdheut
Bashkë me melodinë
E Këngës së Psherëtimave
Nesër
Më prit zgjuar
Princesha ime
Bashkë do ta pijmë
Kafenë e mëngjesit
Shoqëruar me lëng pjeshke
Llokum trëndafilash
E aromë djersësh
Neser... mos harro...

PESHA E KRYQIT
Sonte
Dua të jem
Sy më sy me veten
E vetminë ta puthë në ball
Se kam ca llogari të hapura
Që më duhet ti mbyll
Përdhunshëm
Unë i gjori
Oh...
Sonte
Deri në palcë
Kam për ta shijuar
Mungesën e Lirisë
Se mua shpirtin
Keq robëruar ma ke moj
He plastë kjo zemërmjera
Sonte
Në derën time
Mund të trokasin
Veç frymëzimet e çmendura
E të shkruhet
Një këngë e re vajtimi
Oiiiiiiiii... Oiiiiiiiii... Oiiiiiiiiih
Sonte
Ooooh... sonte...
E dashura ime
Sall një dëshirë e kam
Të vijsh si era
E të futesh thellë
Thellë në mua
Zjarrin të ma shuash
Dhe plagët e mendjes
Të mi shërosh
Sonte
O miq
Më leni të qetë
Dua të pi
Te pi
Të pi
E vetës
Luftë ti shpall
Se vargjet
Mi kanë zënë ethet
Medet
Sonte
Eu... sonte
U harroft kjo natë
Bashkë më emrin tim
O Zot...
Sa e rëndë qënka
Pesha e kryqit...



0 comments:

Post a Comment