Thursday, December 14, 2017

Zyba Hysa: KUR VJEN…


Herë vjen si prekje ajri,
Herë si dufmë muze,
Herë lëpinë si flakë zjarri,
Herë… si prush shpuze!
Të gjithë herët më gjenë,
Krahë nderë n'hapësirë,
Se e di… diçka Ti sjell…
Ndaj mbeta krahë shtrirë!
Bashkë me ajrin kur vjen,
Gjithë poret ndjejnë puthje,
Më pas zënë e shpërthejnë,
Mijëra gonxhe lule fushe!
Eh, kur vjen si dufmë muze!
Vorbullak…. shpirt e mëndje,
Si natëmajin kur më puthe,
E mbështjellë në fustan hëne!
Kur më vjen si flakë zjarri,
S’di, jo, ku të fshihem!
Ashtu siç vrapon i marri,
Bëj të iki, tek Ti digjem!
Kur vjen si prush shpuze,
S’di ç’të bëj… o Njeri!
N’vend t'iki, n’danë rruge,
Si mangall, të fsheh në gji!

0 comments:

Post a Comment