Wednesday, December 20, 2017

Ramiz Kuqi: NË SPORTELIN NUMËR NJË


Ditën e parafundit, pasi kreu disa punë me vlerë dhe obliguese, si pagesën e rrymës, shikoi mos vallë kishte harruar ndonjë ujë pambyllur, u ngrit në katin e dytë, ujiti limonat dhe pallmat, të cilat i kishte vendosur në tarracën me sy nga dielli , dhe ndjeu dhimbje. E donte shumë stinën e vjeshtës A. Më shumë se çdo stinë tjetër. I dukej se ishte lodhur tërë verën . Natën e kalonte duke hapur ndonjë faqe libri. Lehja qenve nuk e pengonte më. Bile ndjehej i frikësuar, kur nuk dëgjonte duke lehur!
Pasi mbylli dyert e shtëpisë, mori çelësat, paloi dy libra në veturë , dhe i ra rreth e qark oborrit për të parë mos kishte lënë ndonjë shat a zorrë uji nëpër këmbë. Zbrazi karrocën nga ashklat e druve dhe e futi në dhomën e bërë enkas për stinën e dimrit. Aty pa një strajcë me rrobat e punës të Cufës, një çekan me të cilin ai thente ndonjë cep të gurit për murosje. E mori ngadalë, sepse ishte e rëndë dhe e paloi në veturë.
Pa në skaj të kopshtit disa tuba me lule, me kokën e varur për toke . Iu kujtua kur me Nimen i kishte blerë në Shkup, në prill . Ato kishin gufuar mrekullisht. Por pesha e gjetheve kishte rënduar mbi ata shkoponj, të cilat A. i kishte lidhur me disa fije të trasha të penjve. Shiu që kishte rënë gjatë nëntorit i kishte lëkundur shkopinjtë, të cilët ngase toka ishte bërë çullë, ishin shtrembëruar . U rikthye sërish, hapi dhomën e druve, mori sëpatën e ndryshkur dhe tëholloi disa shkopinj më të trashë dhe i nguli më thellë në tokë. Një nga një me radhë, derisa ra muzgu i natës mbi fshatin që bart mbi supe dhimbje të stinës së marsit të vitit 1999. Kurrë e paharruar për banorët e kësaj ane të bjeshkës, harruar gati edhe nga Zoti! Eh, pshëretiu . E për një çast iu duk se një erë që fryu nga maja e Kepit të Verës e ngriti deri në qiell. Iu duk ashtu. Pas erës u shpërndanë riga shiu dhe ai e i kishte lidhur të gjitha lulet. Kur ndezi veturën, iu duke se para tij po hapej një horizont i ri i stinës. Duhej të udhëtonte, atje larg, midis një hapësire të ftohtë akull, ku dimri është gjithmonë i egër . dhe ku nata është e gjatë sa një stinë. Atje ku ëndrrat ta ngrisin shpirtin peshë e asnjë çast nuk mund ta gjesh vetveten.
Ktheu edhe një herë kokën pas . Nuk derdhi lot, por zemra i qau . Rrugës kodrinore, me kthesa të shumta, e mbajti veten.
Iu duk se rruga ishte mbushur me krahnez. E shi binte. Iu duk se retë kishin zbritur deri te lugina e dhimbjeve e ngrohtësia mes njerëzve kishte marrë udhë drejt ferrit.
Iu duk se para vetes kishte një kope me qengja e blegërimë, e nga shpatijet dikush po rrokulliste gurë të mëdhenj.
Iu duk se lumi kishte dalë nga shtrati e matanë urës kishte lëshuar kokën e po pinte ujë një ylber me sy të bukur ,ku ishin mbledhur gocat më të bukura të rrethit dhe po grindeshin mes vete se kush do t’ia puthte sytë, kur nata të zbriste andej.
Iu duk se dëgjoi një zë si melodi fyelli e nuk pa asgjë.
Pastaj iu duk se e mori një zog në krahët e tij dhe bashkkë me të ia thanë një kënge të bukur. Për një çast qielli u hap. Malet u mbushën me gjethe, aty për aty dhe lulet nisën të çelin.
Hapësira iu duk se u mbush me aromë dashurie , dhe njerëzia po vraponte të përjetonte atë ngrohtësi e për t’u rikthyer në ditët më të bukura të jetës, kur mblidheshin nëpër dhoma të miqve për të dëgjuar këngët e Dervish Shaqës, “ N’Kaçanik deri n’Boletin “.
Po iu duk se pa turmën që kishte braktisur shtëpitë, në fillim të marsit dhe kishiin mbledhur barin e thatë nëpër mullarë, dhe aty i kishin strehuar fëmijët e tyre, edhe ata që kishin lindur nëpër plumba të barbarit dhe aty kishin kapërcyer dy net , të cilat ata nuk i harruan kurrë. Ndoshta kjo dhimbje me shumë plagë gjatë marsit, i kishte bërë të ftohtë akull , dhe secili po përjetonte nga një rrëfim më vete .
Kur u afrua buzë xhadesë, iu rikthye ky rrëfim rrëqethës dhe trupit iu derdhën mornica të ftohta. Të gjitha këto rrotullime i përjetoi A. derisa po priste në katin e dytë të një ndërtese, aty ku ai për vite të tëra afrohej për të parë sportelet e shumta, dhe njerëz nga e tërë bota, hallexinj.
-Nga të kemi mik ?- iu drejtua një mesoburri , i cili mbante disa letra në dorë. Hërë i thente përgjysmë, herë i mblidhte në grusht sikur donte t’i griste. Në fytyrën e tij dukej një heshtje e thellë, e rëndë.
-Jam nga Siria. Ika nga lufta. Mezi shpëtova kokën dhe fëmijët. Gruan ma vranë në pragun e shtëpisë.Ai foli e foli ...E kam emrin Ahmad. Erdha të bëj kërkesë për të marrë nënshtesinë. Dy herë më kanë refuzuar
. Kur ra zilja, një nëpunëse, në sporteli numër 1 thirri disa herë emrin e A. Po ai ishte si i humbur . Për pak sa nuk e humbi terminin e caktuar dy muaj më parë. U ngrit në këmbë, mori letrat që i kishte radhitur me kohë, një kërkesë të avokatit, u afrua para sportelit, hoqi kapelën ngyrëhiri . U palua në këmbë si nuse !
Nëpunësja, me sy të rrumbullakët, me flokët e lëshuara pas shpinë, të lidhura bukur që ia shtonin bukurinë. Ajo buzëqeshi ëmbël.- Ju thirra disa herë,- iu drejtua A. Unë kam para vetes dosjen tënde. –M’i jep ato letra ti shoh ?
-A. shtriu letrat me kujdes . Ajo i shfletoi një nga një.- Këtu nuk e paske një vulë të fotokopjuar? Në letrën e shkruar avokatja nuk e paska firmosur nënshkrimin e saj? Si është e mundur kjo? E shikoi në sy A. Pastaj i mori letrat dhe u zhduk për disa minuta. Kur u kthye, dukej më e disponuar.-Ku banoni, a mund të ma thuani, ju lus?
- Banoj në rrugën që nuk ka adresë. Ka një pallat të madh andej
. Një zyre për refugatët , të cilët vijnë nga zonat e përfshira nga lufta. Edhe juve ju kam parë disa herë , kur keni zbritur nga makina . Në sy mbanit syza për diell. Gjithmonë vini e veshur si zonjë. Unë, kur kthehem nga puna, dal në tarracë dhe shoh atë karavan njerëzish, si kojrilat nëpër qiell që rrinë të strukur para sporteleve. E zërat e fëmijëve, me të qarat e tyre, ma plasin shpirtin.- Ju mjafton kjo z. Elizë?
- Ku e dini emrin tim,ti humbës në diasporë?
- E ke të shkruar në gjoks. Nuk e zbulova unë.
-Hëmmm...kafshoi z. Elizë buzët. – Numrin e telefonit, a mund të ma diktoni?
-Ja ku e ke. E kam shkruar , kur jam nisur nga shtëpia sot. Kisha parandjenjën se do të ma kërkonit. Bile edhe ëndërr kam parë.
- A mund të ma rrëfeni ëndrrën tuaj? Qenke njeri me një imagjinatë të bukur. Unë i admiroj njerëzit e ëndërrimeve!
-Faleminderit për informtatën e shpejtë. Unë ju vonova shumë sot në sportelin numër një. Por rregullova disa imtësira. Kam mundur të ju kthej pas. Të pritni edhe disa muaj të tjerë për termin të ri. Po qëndrimi juaj shumë kokëlart, më bëri të dorëzohem.-Cila ishte ajo ëndërr?
- Kur shkela në tokën tuaj, kishte rënë borë dhe hapësira nga vura këpucët e mia ishte e tëra akullnajë. Eca ngadalë nga frika se mos rrëzohem. Në aeroport më priti Kristiani. Kokërruar, si gjithmonë. Një grua kishte mbetur në hapësirën e aeroportit. Tërhiqte zvarrë dy valixhe të rrasura deng. E dëgjova kur foli me veten: Paska ikur autobusi !- Çfarë do të bëj unë deri në mëngjes këtu? Midis kësaj dhome për udhëtarë? Çfarë ...?
Zonja Elizë e pa të përhumbur A.- Mund të ma rrëfeni ëndrrën?
-Uh, më fal, të lus. Po. Unë erdha mbrëmë pranë këtij sporteli. Ju i morët letrat e mia dhe nënvizuat në dy a tri vende me stilolaps me ngjyrë të kuqe. M’i kthyet letrat .Unë zbrita këtyre shkallëve të akullta.Më rrëshqitën këpucët, por u mbajta për parmakët e metalit, anash. Po e lëndova pak një bri . Kur u zgjova, pashë se isha në ëndërr. E frikshme !
- E çuditshme, mërmëroi z. Elizë. Tash mund të ikni. Dokumentacioni do të shqyrtohet. Pas një kohe, nuk e sa mund të zgjasë, ju do ta merrni konfirminin, qoftë për ose kundër. Ky është fati i refugjatëve. Kur ik nga trualli i lindjes, je sikur topi në mesfushë. Kush të mbërrij i pari, e shqelmon !
-Po, po. Këtë e kam mësuar unë. Jam rrokullisur si guri nëpër shkëmbinj të thepisur. Por nuk jam dorëzuar . Duke ikur nga sporteli numër një, një zë iu duk se i erdhi si e goditur, e fortë në veshë.-Mbarove punë ? Ishte zëri i Ahmadit nga Siria , i cili ishte pritur në radhë, në sportelin numër një. Aty ku thehej krenaria njerëzore !
A. futi në çantë letrat e fotokjuara dhe u nis drejt stacionit të tramvajeve. Aty ishte parkuar autobusi numër 100. Vuri këmbën e djathtë dhe u nis drejt Furusetit, bashkë me mikun Ramë, i cili e shoqëroi gjatë tërë kohës sa pati punë në katin e dytë, në sportelin numër një.
Bora kishte zbardhuar malet, rrugët ishin mbuluar nga ngricat.
Dy traktorë të mëdhenj me dy ngasës ishin duke derdhur kripë dhe rërë nëpër rrugët kryesore. Ndërsa , një ngasës tjetër,me mjekërr të gjatë ,ishte duke ecur nëpër rrugën e ngushtë të këmbësorëve. Sirena e një autoambulanceje prishi qetësinë gjithandej lagjes së dimrit të ftohtë.
E ftohtë ishte gjithçka. Edhe mbi letrat e lëna në sportelin numër një.
Alnabry, më 19.12.2017

0 comments:

Post a Comment