Monday, December 11, 2017

Namik Selmani: Ardhsh i mbarë, nipi im!


Në vend të një urimi poetik për nipin tim Bejon.
Dëgjo, biri im, mirë se vjen në botën shamatore!
Zër një vend mes rrugicave me lule, pluhur e semaforë!
Ah, ruaju nga ciklopët që të shfaqen diku, në qoshe
Gëzo me bekimin e zotit një ylber të bukur hyjnor!
Njihe Kodin e mistertë të udhëve gjarpërore të kohës
Dritëzo qiellin e ditëve me urime e me stërkalat e zemrës
Nëse do të qash pak më shumë në pelenat e foshnjës,
Bëhu burrë i fortë në hapat e pambaruara të jetës!.
Një fjongo ujëvare vërja mollëzës, shkronjës, qelizës
Shto dhe një shushurimë Lane nën peshën e gjetheve
Ardhsh i mbarë bir, si kalorës hiq kapistallin e dëshirës
Ëndrrës së guximshme shtoja një tingull violine ditënetëve!
Merr ca tinguj zilesh në tribuna e në doganat në botë!
Mos u kërrus nga hallet, po jepu atyre buzëqeshje drite!
Eja në shtigje të paprekura që duan sfidë e gjunjë të fortë!
Për ty shtrati pastë në pragje petale trëndafilishteje!
Mësoje peshën e fjalës më fort se të patateve në arkë!
Ankohu më pak për gurët e ferrat e shumta të rrugës!
Në dyqane mund të blesh me euro, florinj, margaritarë
Po mos harro baltën që të mbetet në thembrën e këpucës!

0 comments:

Post a Comment