Monday, December 4, 2017

Prend BUZHALA: Çaste Lirike Dhjetori


FALE VETEN!
(Lirikë eseistike mbi takimin e Parajsës me Tokën)
Fale vetveten, 
Atëherë mëson si t'u besosh të tjerëve,
Në vend të atyre gozhdëve të ngulura në mur për gabimet që ke bërë
bëj diçka tjetër: sa herë plaga e tillë të përvëlon,
Sa herë të bësh një mëkat,
bie fjala, merre një lule, atë më të bukurën,
Lulet bëhen shumë, aq sa gabime ke bërë në jetë...
Është universi yt i çlirimit nga dhimbja.
E pa Ty, ç'kuptim do të kishte gjithçka tjetër?
Jashtë njerëzores, hyjnorja a ka kuptim?
Errësira e së kaluarës largohet: me ty udhëton
ai zëri i brendshëm që të ligjëron
cilën rrugë ta marrësh, cilin cak synimesh e ke përpara.
Fal, sepse njeh thellë e thellë
Dhe bëhesh ky që je, një qenie kaq përsosmërisht e mrekullueshme,
Dhe ti, grua, ti vajzë, bëhesh ajo që je, bukuria më e magjishme në botë!
E tha ai urtaku: ekziston Kopshti i Faljes.
Gjendet aty ku Parajsa takohet me Tokën.

RREZET DIGJEN NË FASHËN E BORËS
Nuk është bora e maleve, por bora e moshës,
Si u bëkan dhe mendimet krejt prej bardhësire,
A thua, gjithë vitet bashkë u bënë të bardhemta
dhe mbulojnë tokën?
U zgjuakan më të mrekullueshmet kujtime
në këtë mot trazimesh.
Asnjë hap dikur nuk e kishe të rrejshëm
Kur ecjen nuk ta ndalonte as orteku i bardhë a rrugët e pakalueshme,
Nuk ndaleshe edhe po të binte borë dy metra mbi dhe,
I kaloje lumenjtë, shkëmbinjtë dhe akullnajat,
si një lojë zogjsh në ajër,
si loja e jetës me fletën e saj të fundit.
Mos prit që bora t'i gëzohet rrezes që bie mbi pemë,
Rrezet digjen në të ftohtë, në të bardhët fasha-fasha, shuk bëhen,
Bota buzëqesh edhe në dimër
ashtu si pikëllohet edhe në ditët e djegagurit.
Bota mbulon shenjat e jetës,
u dashkan gjurmë të reja stine e gjallimi. 

ECJA MË E BUKUR
A nuk qenka ecja më e bukur në jetë
Kur nisesh nga vetja e deri te zemra e qenies erëmirë
Atëherë është jeta që të jep ujë me dorën e vet
Dhe në sofrën tënde të gjallimit zbresin shpirtrat e dëlirë.
Thuaj: kjo është ecja më e bukur në jetë,
Thuaj pra: jeta i dhuron më të mirat me dorën e vet.


Nga poezia “Metamorfoza” e Fishtës
(PËR ATA QË MARRIN PUSHTET)
Kemi për t’kênun
Si hy mbi tokë,
Kem’ për t’zotnue
Pa dhimbë mbi shokë,
Kemi me shkelun
Mbi rrashtë t’Shqyptarvet,
Tue lànë mbas krahit
Burrnín e t’Parvet.
Tjerët kanë m’u ushqye
Me lakna t’veja.
Me shllinë (n’i paçin,
Medjè, dhênt plleja),
Ti ké me rrue
Bibâj e pata,
E makerona
Edhe sallata.
Tjerët kanë me shkimun
Edjen me hirrë;
Ti, veç a mundesh
Shampanjë e birrë.

LËNDA E KRIJIMIT
Hiqu njerëzve, e ç'po të duhet t'i bësh ata të shohin?
Lëri në verbërinë e tyre, terratisjet iu pëlqejnë.
Shiko si mendojnë që janë të lirë
E në lirinë e tyre kaq të humbur janë.
Ç'prej se mbahet mend Drita dhe Errësira grinden,
E ndonjëherë arrijnë ta thyejnë këtë kundërshti,
Errësira: na mëson imagjinatën e krijimit të formave,
Drita: është lënda jonë e krijimit.
Errësira nuk është fitore drite.
E ti, kushedi sa vjet drite qëndron larg tyre,
Sakaq Ai Ndriçim vjen këtu, kur fillojnë të të njohin,
Kur fillojnë t'i shikojnë gjërat në dritë të re.


0 comments:

Post a Comment