Saturday, September 16, 2017

DANTE ALIGIERI "KOMEDIA HYJNORE" - F E R R I KËNGA E NJËZETENJËTË


Kështu nga ura n’urë ne kaluam,
për gjëra duke folur që s’përfshin
kjo komedi. Në majë kur ndaluam
të shihnim gropën tjetër plot vajtim, 4
që Lugjezezës u dikonte kot,
u shtanga krejt, aq fort ajo po nxin.
Si në Venecia, dimrit në të ftohtë, 7
nëpër kantiere vlon katrani pis,
sepse detarët nuk lundrojnë dot,
dikush të re anijen e ujdis, 10
një tjetër lyen barkën e vjetruar,
të reja rrugë para se të nisë,
në bash a kiç rri një duke punuar, 13
lopatat tjetri gdhend a thur litarë,
një rri tek velat duke i arnuar,
kështu me hir të Zotit, jo me zjarr, 16
zjen poshtë meje zift’ i zi i squllur,
rrëpirën duke e mbuluar mbarë.
Gjë tjetër s’shihja me vështrimin ngulur, 19
veç flluskave nga zjarri sipër ngritur,
që vrik pëllcisnin poshtë me t’u ulur.
Ndërsa përposh isha duke soditur, 22
"Kujdes, kujdes!" - më thotë prijsi im
dhe më tërheq pas vetes ai pa pritur.
Shpejt kthehem si ai që me padurim 25
të shohë do atë që frikë i kall,
e bën t’ia mbath me një vështrim.
Të ikja vetëm, s’kisha tjetër hall, 28
kur pashë sesi rend nëpër rrëpirë
dhe pas na qepet ne një derro-djall.
Oh, sa fodull ish ky surrat i nxirë 31
dhe sa i egër ish në të vepruar,
sa lehtë shkelte flatrat duke shtrirë.
Mbi supet thikë, krenarisht lartuar, 34
një mëkatar, që ishte duke prurë,
për lak të këmbës varur mban ndër duar.
"O kthetramprehtë, - thirri ai mbi urë, 37
ju solla ryshfetçiun më të parë
të Santa Zitës. Poshtë e flakni flur!
Qyteti është plot. Po shkoj të marr 40
të tjerë. Bën Bonturo përjashtim,
të tjerët e kthejnë "Po"-në në "Jo" për ar".
Dhe posht’ e flaku. Shpatit me nxitim 43
pastaj ai zbriti. S’ka asnjë qen-rojë
të ndjekë një hajdut me aq tërbim.
Ai zhytet dhe pastaj nis të pluskojë, 46
por djajt’ nën urë i uluritën fort:
"Ky vend të paqmit s’mundet t’i durojë!
Këtu nuk bëhet si në Serkio not. 49
Prandaj po s’pate qejf t’i ngulim heshtat
mbi zift të zi mos nxirr kurrizin kot".
I ngulën qindra cfurqe gjer në rreshta 52
dhe thirrën: "Vallëzo, por i mbuluar,
ose provo në dot i shet gënjeshtrat!".
Kështu akçiu në ujin e valuar 55
t’i zhytin thelat ndihmësve u kërkon
përsipër ujit për të mos notuar.
"Që mos të shohin, - ai më këshillon, 58
ti prapa ndonjë bregu u masko,
nga ku asgjë nga sytë s’të shpëton.
Nëse më fyejnë mos u shqetëso : 61
këtu kam qënë dhe e di fort mirë
ky vend si është. Mos u frikëso!".
Nga maj’ e urës zbriti në rrëpirë 66
të gropës s’gjashtë. Veç një zemër trimi
mund ta përballte atë humbëtirë.
Me atë vrull e flakë zemërimi 67
siç turren qentë mbi ndonjë të mjerë,
që lyp në vend i ndalur nga dëshpërimi,
nga poshtë urës dalin djajt’ aherë, 70
të gjitha heshtat duke ia drejtuar,
por thirri ai: "Guxo ndokush të bjerë!
Të dalë një nga ju për të dëgjuar 73
me heshta para se ju të më shponi,
pastaj më bëni ç’keni pleqëruar".
"Shko, Bishtakeq!" - kumboi i gjithë honi. 76
Lëviz veç një, qëndrojnë në vend të tjerët.
Po thoshte ai: "Pse kot ju po më çoni?".
"Kujton ti, Bishtakeq, - prijsi tha aherë, 79
se mund këtu të vija pa u ngarë
nga djajt’ e tu, po të mos kem përherë
pëlqimin e Tenzot dhe fat të mbarë? 82
Më lër të shkoj, nga qielli jam urdhëruar
të sjell një tjetër ferrin për të parë".
Aq krenari e djallit qe fashitur, 85
sa cfurkun la te këmbët që t’i bjerë
dhe tha: "Asnjë nuk ka për ta goditur!".
"Ti që je strukur, - thotë prijsi prerë, 88
pas shkëmbit të urës kaq i frikësuar,
këtu pa frikë eja menjëherë".
Dhe prijsit unë shpejt i qeshë afruar. 91
Kur djajt’ të bënin para pata parë,
m’u duk s’po mbanin fjalën e premtuar.
Kështu i pashë shumë luftëtarë 94
që nga Kaprona, kur u dhanë besë,
midis armiqsh plot frikë patën çarë.
Tek prijsi tërë trupin e mbështes, 97
por djajt’ me sy të gjithë unë i mas,
se shprehja e tyre nuk më jepte shpresë.
Një tjetri: "Do në shpinë ta godasë?" - 100
i tha një djall dhe cfurkun ma drejtoi.
U gjegj ai: "Po, por veç të ulurasë!".
Por djalli, që me prijsin bisedoi, 103
"Mjaft, Godolesh!" - atij i pat bërtitur
porsa ai çfarë thoshte e dëgjoi.
Pastaj na tha: "Dot s’keni për t’u ngjitur 106
nëpër këta shkëmbinj, as mos provoni,
se harku i gjashtë është i ronitur.
Dhe në se para doni që të shkoni, 109
lart ngjituni, dhe në atë bregore
një urë ka, nga mund ju të kaloni.
Dje, pesë orë plot pas kësaj ore, 112
njëmijedyqind e gjashtëdhjetë vjet
u mbushën që kjo rrugë më s’përdoret.
Po çoj ca djaj të shohin në përpjetë 115
mos del nga zifti ndonjë mëkatar,
me ta ju ngjituni, asnjë s’ju nget!
Dil, Plakaran, dil dhe ti, Krahëtharë, 118
nis ai të thotë, - eja Turiqen.
Mjekrosh, mbi dhjetëshen ti je kryetar.
Tok me Dragonin Xhagajduri vjen. 121
Delni Gërricaqen, ti Derrçatall,
Shtrembac, ti Kuqo, që përbrenda zien.
Mbi zift të vluar të vini shpejt vërdallë, 124
tek ura që përsipër lugjeve u shkon
këta t’i shpìni ju shëndosh e gjallë ".
"Medet, mësues, ky sy ç’po më shikon! 127
Ta bëjmë rrugën vetëm ne më mirë,
nëse e di ku rruga na kalon.
Po qe se mendja nuk të është mpirë, 130
ti shih ata si dhembët po kërcasin,
si shkelin synë e ndjellin prapësirë".
"Le t’i shtrëngojnë dhembët sa të plasin, 133
ti mos kij frikë, - thotë prijsi im, -
veç mëkatarët duan të trumhasin".
Nga bregu i majtë morën shpejt drejtim, 136
pasi një shenjë i dhanë prijsit t’vet
me gjuhë duke bërë një zgërdhimë,
ndërsa ky b**hën bëri si trumbetë. 139

0 comments:

Post a Comment