Thursday, September 14, 2017

Prend BUZHALA: Çaste shkrimesh

(Çaste shkrimi), 10
Gjithmonë Kosovën e kanë përcjellë gjendjet e rënda, të jashtëzakonshme, me pak vite qetësi e normalitet. Jonormaliteti.
1.
Është e njohur thënia e presidentit të 29-të të SHBA, Warren G. Harding, për "kthimin në normalitet". Ai thoshte: " "Nevoja aktuale e Amerikës nuk është heroizmi, por shërimi; jo injeksionet, por normaliteti; jo revolucion, por restaurim; jo agjitacion, por rregullim; jo operim kirurgjikal, por paqe dhe gjakftohtësi; jo gjendje dramatike, por paanshmëri dhe mostolerim; jo të eksperimentojmë, por të krijojmë ekuilibër; jo të zhytemi në internacionalizëm, por qëndrueshmëri të kombit triumfues."
2.
Dikur, para disa dekadash, për gjyshërit tanë, ishte NORMALE që vajzat dhe jo pak prej djemve të tyre, të mos shkolloheshin. Për ta prishur këtë NORMALITET, ishte një inteligjencie e paktë dhe idealistët e arsimit, që VEPRUAN dhe punuan; kishte hidhërime të pafund brenda shumë familjeve. Paragjykonin që vajzën nuk duhej lënë të lirë të shkollohej, të bëhej profesoreshë, mjeke, ekonomiste... Nuk lejonin që ajo të vendoste vetë e ta zgjidhte vetë të fejuarin me dashuri. Por gjendja e tillë shumëshekullore, u përmbys. Ky ishte "kulmi", kulmi i prishjes së NORMALITETIT të tillë. Femra jonë u emancipua. Beteja u fitua...
Por kishte dhe pleq përparimtarë që thoshin: "Kur të vijë ajo kohë që gjyshet e gjyshërit të lexojnë gazetë dhe ta dërgojnë mbesën a nipin në shkollë, atëherë jemi komb i përparuar."
Mandej barra e lirisë së një kombi, që u përcoll me aq mundime, stërmundime, sakrifica të pafund... edhe kjo u arrit.
3.
A jemi duke bërë jetë normale sot?
E keni vërejtur: më së shumti kritikojnë ata që e kanë gjendjen e mirë (që kanë pasur privilegje dje, që kanë privilegje mediatike e biznesore sot, që kanë privilegje shtetërore me format politik, opozitar a institucional dhe paguhen për kritikat që bëjnë. Duan gjithsesi të vazhdojë një gjendje jonormale.).
Edhe ne kërkojmë që të bëhemi si Evropa. Bota europerëndimore, sot ka të tjera realitete e vizione: integrimet; integrimet ndërkulturore, diversitetet fetare, diversitetet e traditave... respektimin e Tjetrit, pranimin e Tjetrit (nacionalitetet tjera, gjuhët tjera), ndryshe nga ne që tashmë "u mësuam" me sharjet e sulmet ndaj të tjerëve... fqinjëve, armiqve shekullorë që tashmë kot kërkojnë hisen e tyre këtu... "Ne jemi të parët e botës, më të mirët e botës...të tjerët janë ferr, janë xhehenem."
Qenka mirë kur ndonjë kompani mediatike a parti politike bashkëpunuaka me Evropën, me Tiranën, me Stambollin a me Beogradin, por kur Tjetri e bën këtë, është JONORMALE! Është shitje shpirti është tradhti etj etj.
Ja pra, që paska dhe lëvizje a njerëz të politikës që e prishin këtë JONORMALITET, për të jetuar ndryshe, SI NJERËZ NORMALË, pa ato urrejtjet bestiale të së djeshmes ndaj krejt botës.
Krimi sigurisht, nuk falet, as e keqja nuk justifikohet. Atyre duhet t'u tregohet vendi me ligj.
Jonormalja nënkupton edhe gjendjen jo të shëndoshë mendore. Jonormalja: një shoqëri me një jetë aspak në përputhje me rregullat e përgjithshme. Të tilla gjendje jonormale janë moszhvillimi, pasiguria sociale e shëndetësore.
Dhe, ta prishësh këtë JONORMALITET, vetëm që i bën mirë edhe Kosovës.
4.
Jeta nuk është e njëjtë, si dje.
Një mundësi për një fillim tjetër.
Libri i Parë mbyllet.
Hapet Libri i Ri. Me një zë tjetër.


NJERIU QË ECËN PËRPARA
(Çaste shkrimi), 9
A dimë, gjatë historisë, se çfarë peripecish, çfarë përjetimesh a pengesash të vështira kanë pasur njerëzit e suksesshëm?
1.
Ti mund të mëdyshesh për ta bërë një hap.
Mund të bësh shumë e shumë projekte dhe prapë stepesh.
Mund të parashikosh gjithçka e të gjitha - dhe asgjë.
Atëherë?
Atëherë, njeriu që lëviz, që ec përpara, arrin diçka e shumëçka.
Njeriu i veprimit. Thuhet: njerëzi që veprojnë, janë të suksesshëm.
Dikur Mikelaxhelo, piktor që i takon secilës kohë, thoshte: "Sikur ta dinë njerëzit me sa shumë mund më është dashur të punoj, për ta zotëruar artin tim, nuk do të mrekulloheshin."
Se çfarë bën, flasin puna jote, veprat tua, fjala jote.
Nëse nuk lëviz, ti nuk ke të drejtë të kërkosh nga tjetri që të brengoset a kujdeset për ty; se, atëherë, asgjë nuk përfiton. Ti tashmë e kupton që u dashka të pushosh së menduari që u dashka tjetri të mendojë për ty, për suksesin tëndë, për mirëqenien tënde. Atherë e kupton që ti u dashka të mendosh për veten tënde dhe vepro ti për veten tënde. Dhe sukseset nuk do të mungojnë: nuk do të mungojnë në cilësinë e marrëdhënieve me tl tjerët, nuk do të mungojnë në situatën tënde familajre, nuk do të mungojnë në veprimatritë tua (të biznesit, apo të ndponjë verimatrie tjetër përfituese).
Ke frikë se do të gabosh? Dhe mëdyshesh?
Gabimet ndodhin ashtu e kështu; iu duhet kontroll mbi mendimet dhe mbi veprimet tua: atëherë je qenie njerëzore që vepron ndërgjegjshëm. "Universi nuk ju jep atë që kërkoni me mendimet tuaja - ua jep atë që kërkoni me veprimet tuaja" ( Steve Maraboli).
2.
Prandaj, e vetmja frikë, thuhet, është kjo: frikësohu nëse nuk punon assgjë e nëse nuk vepron asgjë.
Dimë për rezultatet që i kanë bërë të njohur e të pavdekshëm, pikërisht pse kanë ecur përpara, pavarësisht prej rrethit ku jetonin, dhe qoftë pa shikuar as vetveten. Nëse nuk kanë pasur sukses, mund të kenë ndërruar strategjinë, por ata nuk janë ndalur. Ata kanë pasur qëndrim prej fitimtari.
"Kur një njeri e pyet veten se çfarë nënkuptohet me veprimin, ai dëshmon se ai nuk është një njeri veprimi. Veprimi është mungesa e drejtpeshimit. Për të vepruar duhet të jeni paksa të çmendur. Një njeri i arsyeshëm gjen kënaqësi vetëm me të menduarit", shprehet James Arthur Baldwin, eseist amerikan, dramaturg dhe romansier. Kurse Henri Bergson, novelist francez për letërsi, na këshillon: "Mendoni si një njeri veprimi, veproni si një njeri mendimi".

KOHA ZERO
(Epigrame), 1
Ekziston dhe Koha Zero, kur nuk ke çaste as për të qarë, 
Midis Ditës së Fundit të Luftës Dhe Ditës së parë të Lirisë.
Kur nuk mjafton as për të festuar, moti të shtrëngon si darë
Ç'epokë qenka, kur ndodhka Koha Zero Pas Dashurisë.

0 comments:

Post a Comment