Saturday, September 16, 2017

Nehat Jahiu: NUK KA KËNAQËSI MË TË MADHE TË MËSOSH DHE EDUKOSH GJENERATAT E REJA


Të punosh në profesionin e një mësuesi, pedagogu dhe edukatori në proçesin edukativo – arsimor është një detyrë me një profesion të shenjtë dhe shumë të rëndësishëm. Nuk ka më gëzim të madh se sa të punosh me ditar në dorë, por ama është një përgjegjësi e madhe se e ke për obligim të mësosh dhe edukosh gjenerata të tëra brez pas brezi. Këtë fat e ka pasur dhe e ka edhe sot vetëm mësuesi do të punojë në këtë profesion dhe të mbaja ditarin në dorë edhe ate në mot të keq e në mot të mira nga koha e stinëve, por edhe në mot të mirë dhe në mot të keq nga furtunat dhe shtrëngatat që ishin të pandalura ndaj arsimit shqip nga pushtetarët sllavë që ishin sulur si bisha të egra. Të them të drejtën, mësuesit punuan në kushte shumë të vështirë. Falë Zotit dhe bashkëpunimit të mirë mes vete përballuam gjithëçka dhe nuk e lëshuam ditarin nga dora. Veprimtaria e tyre vazhdoi. Kushtet në çdo aspekt nuk kanë qenë asnjëherë ashtu siç e kërkonte nevoja të punohet në arsim, por në ato kushte u munduan ta japim kontributin e tyre dhe për këtë se a e kemi realizuar atë që është dashur besoj se sipas mundësive tona që kemi pasur jemi munduar ta japim kontributin tonë aq sa kemi pasur mundësi për ta dhënë vetëm e vetëm që gjeneratat e reja të arsimohen dhe atë në gjuhën e tyre amtare shqipe.
..një popull i arsimuar na shpien shumë më lehtë të ecim dhe të përparojmë në të mirë të kombit dhe mbarë shoqërisë njerëzore… Ne sot më shumë duhet të vrapojmë dhe të kontribojmë për vlera e jo për antivlera.“ Dua dhe do të mundohemi deri në fund të jemi shumë real, objektiv dhe të çiltër si çdoherë edhe gjatë këtyre shkrimeve që i kam prezentusar dhe do ia prezentoj opinionit të gjërë shqiptar . Po pse mos t’i kthehemi çështjes së arsimit dhe gjendjes aktuale kudo që jetojnë shqiptarët, sepse arsimi është gjëja më kryesore e një populli, është një pikë shumë e ndjeshme. Aty ku nuk ka arsim ka gjithëçka të pakëndshme, ndërsa një popull i arsimuar na shpien shumë më lehtë të ecim dhe të përparojmë në të mirë të kombit dhe mbarë shoqërisë njerëzore. Është më se e vërtetë se njerëzit e sidomos rilindasit tanë janë shkrirë dhe tretur në aspektin fizik dhe shpirtëror dhe kanë dhënë çdo gjë nga vetvetja duke mos e kursyer pasurinë e tyre dhe jetën për arsimin shqip dhe hapjen e shkollave shqipe që populli ynë të arsimohet.
Këtë e bënë edhe më vonë shumë njerëz arsimdashës po ashtu duke mos kursyer asgjë nga vetvetja vetëm e vetëm të kontribojnë për arsimin shqip dhe ngritjen intelektuale. Bënë sakrifica të ndryshme që të shohin në mesin e popullit tonë njerëz të arsimuar dhe të ditur. Këtë e bënë me shumë dëshirë dhe vullnet të madh duke qenë të vetëdijshëm se pasojat për ta do jenë shumë të vështira. Dikush do të kishte presione, tortura, burgosje dhe deri në dhënie të jetës së tyre. Kohërat ishin shumë të vështira dikur, por i jepej një rëndësi shumë e veçantë dhe e madhe mësimit dhe edukimit, arritjes intelektuale, shkrim leximit që ishte shumë mungesë e madhe. U dha gkithëçka që me mund dhe sakrificë të realizohet një gjë e tillë që ishte shumë e nevojshme dhe e rëndësishme për popullin shqiptarë kudo që jetonte në vendet e lashta të tyre. Me të gjitha kushte e vështira që ekzistonin në çdo aspekt dikur u dha gjithçka që të arrihet që populli jonë të kap diturinë dhe të arrijë të jetë i arsimuar.
Mua më duket se sot disi nuk është e shprehur ajo dëshirë e flaktë dhe ai motivim edhe pse jetojmë në rrethana krejtësisht tjera. Mundësitë tani janë tërësisht tjera për të ardhur deri te arsimim dhe ngritja intelektuale tek populli shqiptar. Kjo dëshirë dhe ky vullnet mungon ose më duket është një vullnet dhe dëshirë e plogshtë. Po nëse tërheqim një paralele për të bërë një krahasim në mes kohës së atëhershme dhe kësaj të sotmes ka shumë arsye që disa qëndrojnë e disa fare nuk mbajnë. Më herët gjithnjë topin e hedhim dhe që duhej edhe të thuhej se fajtorë kryesor për mosarsimimin e shqiptarëve ishin pushtetet që udhëhiqnin aty ku jetonim ne shqiptarët pos në shtetin amë Shqipëri që nuk lejonin dhe pengonin me të gjitha metodat që shqiptarët mos të arsimohen dhe kjo është një e vërtetë që askush kurrën e kurrës nuk mund ta mohojë. Sot është krejtësisht ndryshe, por vullneti disi mungon në këtë aspekt. Si duket, më së tepërmi prodhojmë sasi se cilësi që nga arsimimi fillor dhe deri tek ai superior. Disi më duket se edhe vetë tek disa të gjeneratës së re ka rënë interesimi për kualitet dhe dëshirojnë vetëm të kenë sa për sy e faqe një diplomë në xhep. Një pjesë me trup janë në vendin e tyre ku kanë lindur, ndërsa shpirtërisht gjithnjë mendojnë që të ikin nga vendi i tyre në një vend tjetër ku ju duket se perspektiva për një jetë më të mirë është atje. Institucionet komunale dhe ato shtetërore që ndjekin dhe janë kompetent për çështjen e arsimit e kanë lënë anash dhe nuk angazhohen sa duhet për arsimimin e gjeneratave të reja duke ju siguruar kushte më të mira për shkollim. Edhe te disa mësimëdhënës ka rënë shumë interesimi për ta kryer detyrën e tyre që e kanë para vete dhe nuk e kryen misionin e tyre të një mësimëdhënësi dhe edukatori siç duhet kryer dhe siç janë të obliguar ta bëjnë këtë.
Më vjen shumë keq nga disa që me të vërtetë mundohen ta kryejnë me ndërgjegje këtë mision dhe mundohen në çdo aspekt të japin nga vetvetja çdo gjë për një arsimim më cilësor, por mungon motivimi i tyre nga shoqëria dhe nuk ua japin shansin e motivimit për punën e tyre të sinqertë që bëjnë. Nuk bëhet edhe një dallim që ata që meritojnë të shpërblehen dhe ata që nuk kontribojnë të ndëshkohen. Kështu që të ndahet shapi nga sheqeri. Me një fjalë deshëm apo nuk deshëm të pranojmë arsimim tek shqiptarët në vitet e fundit po lëngon kudo ku jetojnë shqiptarët dhe duhet një terapi t’i jepet sa nuk është bërë vonë për t’i ndaluar disa dukuri që nuk kanë vend në arsim e që janë prezente në ditët e sotme që dikur nuk ishin prezent. Dikur pengesë për arsimimin tonë ishin të tjerët, ndërsa në shumë raste tani jemi vetë ne.
Thuhet se jemi ne kohën e tranzicionit. Kjo është më se e vërtetë kjo që e thuhet se jemi në tranzicion, por një gjë nuk mund ta kuptoj se deri kur do zgjasë ky tranzicion?! A thua vallë duam tani ta kalojmë tërë jetën në tranzicion?! Ky është një absurd mbi absurdet. Për mos punëtorët si alibi për dembelizmin e tyre si shkas për arsyetim e marrin tranzicionin që nuk ka të bëjë fare me të vërtetën dhe në këtë aspekt këta mashtrojnë dhe gënjejnë veten dhe duan ta gënjejnë edhe popullin, por duhet t’i përveshin mëngët dhe të angazhohen më shumë. Të mos merren me tranzicione e pallavra, sepse çdo ditë e kaluar është në dëmin tonë e sidomos të gjeneratës së re.
Unë thashë edhe më lart dhe do e them përsëri se neglizhenca është aty se edhe nëse mbarojnë një arsim të lartë shteti pas mbarimit nuk ju afron punë dhe mbeten për të bredhur rrugëve. Po edhe nëse punësohen nuk janë të vlerësuar as shpirtërisht dhe as maëtrialisht, ashtu siç meritojnë të vlerësohen. Këtu më së tepërmi janë fajtorë institucionet dhe vetë shteti në tërësi. Ajo që është më e keqja se dalngadalë për çdo ditë po shohim me sytë tanë se gjenerata e re e paarsimuar, por edhe ajo e arsimuar po na ikin nga vendlindja dhe atdheu dhe po marrin rrugën e kurbetit. Po hapet një plagë e dhembshme për ne shqiptarët shekuj me radhë.
Nëse nisemi nga kjo që them, të them disa fjalë rreth kësaj se ne jemi ndër popujt më të lashtë në Evropë me një kulturë dhe traditë mijëvjeçare. Edhe shkenca po e pranon se gjuha jonë shqipe e shkruar ka qenë prezent qysh edhe para shtatë shekujsh. Kjo është më se e vërtetë dhe me këtë ne, si popull, duhet të jemi shumë krenar, por nga ana tjetër këtë krenari duhet sot ta dëshmojmë dhe ta avancojmë edhe më tepër me punë e me djersë duke mos qëndruar duarkryq për të vazhduar në atë rrugëtim. Sepse vetëm ky rrugëtim na bënë të mirëfilltë siç e meritojmë të jemi. Gjendja në arsim sot në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Kosovë Lindore. Mal të Zi e vendet tjera etnike nga vështrimi im qëndron shumë më mirë se më parë në aspektin e objekteve shkollore dhe vijushmërisë së nxënësve apo studentëve nëpër këto institucione. Sot kemi shumë më tepër të reja dhe të rinjë me diploma, por edhe me tituj të lartë shkencorë, por me keqardhje po e them se një numër prej tyre kanë vetëm diploma dhe jo dituri, kështu që unë mendoj që ne duhet të punojmë më tepër për dituri se sa për diploma.
Ne sot më tepër duhet t’i përkushtohemi diturisë dhe të bëjmë gara me shtetet e tjera në këtë aspekt dhe mendoj e kam besim se me angazhimin tonë do ia arrijmë. Mësuesi me punën dhe shembullin e sjelljes së tij ndikon drejtpërsëdrejti në trajtimin e personalitetit të brezit të ri, prandaj ai duhet të jetë i sinqertë, i drejtë, i ngritur dhe i arsimuar në shkallë të duhur, të ketë pikëpamje të drejta e të kjarta, kulturë të gjërë shkencore, të luftojë primitivizmin dhe të kontribojë në ngritjen arsimore e kulturore. Mësuesi si edukator i gjeneratës së re duhet të jetë shembull për nga cilësia e karakterit. Në radhë të parë duhet të numërojmë modestinë, si virtyt shumë i lartë i njeriut. Sa i përket sistemit të arsimit sot në Maqedoni, më duket se për çdo ditë bëjnë ndryshime si stinët e vitit ndërsa rezultatet mbeten askund. Në letër mundohen të ecin para me reforma dhe të kapin vlerat evropiane dhe botërore, por në realizimin konkret numërohet në vend ose më mirë thënë në vend të ecjes së një hapi para këtu ecet një hap mbrapa. Për çdo vit bëhen eksperimente... Për jetën kultorore të shqiptarëve në Maqedoni , respektivisht në trojet tona shqiptare mendoj dhe shoh gjithçka dhe shumëçka që më kënaq dhe më brengos shumë.
Profesioni i mësuesit është një profesion mjaft i mirë, por edhe shumë i vështirë. Kjo thënie aq kuptimplote dhe aq e thellë mund të kuptohet seriozisht vetëm nga ana e atyre arsimtarëve apo edukatorëve, që këtë profesion e konsiderojnë si të tillë: të mirë, të vështirë dhe shumë me përgjegjësi. Që të edukosh të tjerët, duhet vetë të jesh i edukuar, që të ndikosh drejt te brezi i ri, duhesh të jesh shembull i mirë. Mësuesi me punën dhe shembullin e sjelljes së tij ndikon drejtpërsëdrejti në trajtimin e personalitetit të brezit të ri, prandaj ai duhet të jetë i sinqertë, i drejtë, i ngritur dhe i arsimuar në shkallë të duhur, të ketë pikëpamje të drejta e të qarta, kulturë të gjërë shkencore, të luftojë primitivizmin dhe të kontribojë në ngritjen arsimore e kulturore. Mësuesi si edukator i gjeneratës së re, të cilit i është besuar kjo detyrë shumë e rëndësishme, duhet të jetë shembull për nga cilësia e karakterit, ndër të cilat në radhë të parë duhet të numërojmë modestinë, si virtyt shumë i lartë i njeriut. Profesioni i mësuesit, edukatorit është shumë i rëndësishëm, sepse mësuesi i mëson dhe i edukon lulet më të bukura – të vegjëlit dhe të rinjtë, brezin e ardhshëm. Mësuesi duhet të arsimojë dhe edukojë brezin e ri, ta pajisë me tërë atë që do t’i kontribojë zhvillimit të mëtejmë të shoqërisë. Nisur nga kjo, duhet thënë se para mësuesit, edukatorit dhe profesorit shtrohen detyra të rëndësishme. Mësuesi, jo vetëm që është trasmetues i shkencës dhe kulturës, i traditës dhe historisë njerëzore, por edhe vlerave materiale e morale. Puna e mësuesit nuk është punë e rëndomtë e një punëtori apo e një nëpunësi, punë e një zejtari, por është punë që kërkon para së gjithash, ideal. Sepse, ai në duart e veta ka forcën subjektive të zhvillimit të mëtejm të shoqërisë, ka në duar dhe duhet të edukojë gjeneratën e re, e cila duhet ta zëvendësojë të vjetrën. Në duart e mësuesit nuk do të jenë vetëm punëtorët dhe ekspertët e ardhshëm të veprimtarive të ndryshme , por do të jenë edhe shkencëtarët edhe letrarët, edhe piktorët dhe skulptorët e shumë e shumë talente të tjerë të profesioneve të ndryshme. Prandaj, është detyrë e mësuesit, që këto talente t’i zbulojë dhe t’u japë mundësi për zhvillim të plotë. Mësuesi duhet të punojë jo vetëm për aftësim intelektual të nxënësve, por edhe për aftësimin e përgjithshëm, për zgjerimin e kulturës në të gjitha fushat, t’i aftësojmë për të kuptuar dhe për të adhuruar artin, sepse atë mund ta kuptojnë vetëm njerëzit e ngritur në këtë pikëpamje. Funksioni i mësuesit gjatë jetës nuk do të jetë vetëm dhënie e mësimit, por edhe edukimi i drejtë i brezave të rinj.. Do të mbështeten në synymet dhe idealet e zhvillimit shoqëror, duke mbjellë kështu farën e ardhmërisë më të mirë dhe më të lumtur. Dihet mirëfilli se, të gjithë mësuesit e mirë, njëkohësisht kanë qenë njerëz me ideale dhe e kanë dashur arsimin dhe punën edukative, kanë dhënë gjithë mundin për arsimin dhe edukimin e drejtë të gjeneratave të reja. Mësuesit e vyeshëm, edhe nëse nuk kanë lënë vepra të shkruara, kanë si kryevepër të tyre punën edukative me brezat e rinj, me masat e gjëra popullore.

0 comments:

Post a Comment