Friday, September 8, 2017

Zija Çela: TUNEL


Ishte ende larg kur e pikasi grykën e tunelit dhe mendoi se, të paktën, me orën nuk ishte gabuar, kishte zgjedhur kohën më të përshtatshme, sepse në një pozicion tjetër dielli mund t’i prishte punë, gjithë ai çelik që e vishte tunelin nga jashtë e nga brenda mund t’ia lëbyrte sytë me llamburitjet e fuqishme deri në atë shkallë, sa xhamat e syzeve optike t’i zbardheshin, t’i zbardheshin krejt, thua se kuarci i tyre të shndërrohej në pluhur, dhe ai kishte kaluar situata të tilla disa herë, sidomos kohët e fundit i qenë përsëritur rresht e rresht, kështu që sikleti po ia zvogëlonte guximin e po ia zmadhonte vështirësitë, sepse tuneli po i bëhej me të vërtetë i frikshëm, kurse ai, duke shestuar vetmevete, nuk fajësonte më as ngushtësinë, as pozicionin e diellit apo të yllësive të tjera, Bamir Nepravishta fajësonte Bamir Nepravishtën, ligështimin dhe fshikjen e tij të parakohshme, mirëpo tash donte t’i hidhte të gjitha pas shpine, shkurt, donte të ndihej ndryshe, me hir e me pahir i kishte bërë thirrje vullnetit, se një vullnet i mobilizuar mirë t’i mpreh shqisat, thoshte nën zë, tash vetëm tëmthat po i djersinin pakëz, sa më tepër përparonte drejt tunelit, prandaj, afërmendsh pa e ndalur përparimin, nisi një lutje me vete, u lut që të mos e shpërndante vëmendjen, kafshoi edhe buzën për ta ruajtur përqendrimin, megjithatë nuk ia doli dot që të përballonte dy kujtime nga e shoqja, njërin në krye të herës, natën e parë të martesës, që kishte qenë dhe dashuria e tyre e parë, një natë e nxehtë vere plot qejfe e plot telashe me një virgjëreshë në krevat, të cilën kishte arritur ta penetronte vetëm aty në të zbardhur dhe pak më pas kishte patur ndjesinë sikur po i përcëllohej tërë trupi i leshtormë, sepse ndërsa prishej, për t’i mbytur gjëmimet, e shoqja e kishte puthur dhe atij i qe dukur sikur i kishte futur një vetëtimë në gojë, pastaj kujtimi tjetër nga dimri i shkuar, një dimër i zymtë, me ca shira të shurdhët që pasoheshin nga thatësira të hidhta, më pas nga vranësira të stërzgjatura, veshtullore, por pa asnjë shkreptimë, e fundit stinë që kishin kaluar bashkë, dhe e fundit ditë përpara se gruaja të vdiste prej një tromboze polmonare, ajo ditë e vrugët kur Ariana Vokopola, Nepravishta nga i shoqi, e kishte parë burrin se si po gatitej për aventurën e tij dhe, meqë prej disa kohësh ia kishte hetuar impotencën e parakohshme, bëri një shaka duke i thënë se ti nuk mund ta penetrosh kurrmë atë tunel (cilin, kishte pyetur me vete ai), dhe këto fjalë burrit i kishin mbetur gozhdë në tru - ti nuk mund, nuk mund, nuk mundesh më atë tunel, - ja përse nuk dëshironte t’i kujtonte prapë, sidomos tash që po i afrohej tunelit dhe duart po i dridheshin lehtë, zor ta merrje vesh përse i dridheshin pikërisht kur nuk duhej, por ndoshta atij i dridhej krejt trupi, dhe kjo ishte e pashmangshme, siç ngjet rëndom në një tren ku, jo vetëm udhëtarëve, por edhe vetë makinistit të lokomotivës i përcillen vibrimet që vijnë nga traseja, nga binarët, nga shinat, nga rrymat e ajrit, nga... jo, ishte e kotë ta kthente kokën nga dritarja, e dinte fort mirë se dritarja ishte e mbyllur, kurse atij i duhej vëmendje sipërane për një matje ekzakte, për ecje ekzakte, i duhej medoemos ruajtja e linjës dhe, hoplaaa, drejt e në tunel, sepse çdo devijim ishte i barabartë me nxjerrjen e trenit nga shinat, me një përplasje në faqen e jashtme të tunelit ose një fluturim në ajër, shkurt, një katastrofë që atë do ta pikëllonte, do ta kallte në dëshpërim si në aksidente të tjera të ngjashme, do ta detyronte të kapte kryet në grushte dhe të ankohej thekshëm se përse, mor dudum, përse je ende gjallë, dhe që të ndihej jo vetëm gjallë, por edhe zot i vetes, u përpoq t’i komandonte duart, t’i bënte zap ato dridhje që mund ta shmangnin nga saktësia, prandaj shtrëngoi gishtërinjtë, ndonëse në të vërtetë do t’i mjaftonin katër gishtërinj, dy të mëdhenjtë dhe dy treguesit, por ai shtrëngoi edhe gjashtë të tjerët, duke i mbledhur grusht e duke ngulur thonjtë në mish, në atë mënyrë që katër të tjerëve t’u krijonte sa më tepër mbështetje, sa më tepër siguri, çka nuk i doli aq për mbarë, ngaqë teksa perceptonte ndijimin e dhimbjes, hyri në dyshime të forta se mos po bëhej vetë shkak që ta ngarkonte trurin me funksione të tjera, ta hallakaste duke e dobësuar vëmendjen, duke krijuar kundërshti dhe ngërçe të tepërta, çfarë po dukej açik me rritjen e djersës, bulat e së cilës, mbasi ishin nisur nga tëmthat, tani po i shkisnin vilar teposhtë mollëzave, veçse ai as mund t’i ndalte dhe as mund t’i fshinte, madje nuk deshi t’i vinte fare në hesap, ai e kishte ngurosur gjithë trupin, edhe sytë i kishte ngurosur, ato sy të fryrë kacek që dukej sikur, po të rrinin dhe ca kohë të trysnuar, ose do t’i pëlcisnin, ose do t’i dilnin plluf nga gropat, mirëpo distanca me tunelin tani ishte shkurtuar aq shumë, sa e ndjeu se kishte ardhur çasti për manovrën vendimtare, po-po, nuk gabohej, ndodhej pikërisht në zonën e kontaktit dhe mjaftonin dhjetë sekonda, nëntë, tetë, për të filluar depërtimin, shtatë, gjashtë, bëri zbritjen e radhës duke numëruar me zë, teksa kuptoi se kishte nisur lëvizja e dyfishtë, pra tash jo vetëm ai po shkonte drejt tunelit, por edhe tuneli po vinte drejt tij dhe, flaka i daltë, ishte budallallëk me brirë të ndalonte më, madje ishte e pamundur të ndalonte sidoqë ta kishte marrë terezinë, prandaj... tre, dy, një... mbaroi, kaq e pati, ofshani thellë, prapë ofshani bollshëm, por s’dihej nëse prej qejfit a prej sfilitjes, sidoqoftë bërbëliti disa fjalë nëpër dhëmbë, diçka të tillë si ufff, çfarë kënaqësie apo ufff, hera e fundit, pastaj tërhoqi fillin e perit nga ana e kundërt e vrimës së gjilperës dhe u ul në kolltuk këmbë përmbi këmbë për të qepur sumbullën e këmishës, të cilën dikur Ariana Vokopola, Nepravishta nga i shoqi, ia pati blerë në tridhjetë e pesë vjetorin e martesës, në një tregtore me rroba të gatshme pranë stacionit të trenit.

0 comments:

Post a Comment