Sunday, September 24, 2017

Prend BUZHALA: LEKA


(Çast lirik me fjalë të urta)
Besa besë ká thânë Leka. Lidhuni me besa-besë.
Tha:
Mos harroni, aty më keni, te themelet e kryegjytetit tem,
Te Ulpiana e Të Parit, Palit të Dukagjinëve.
Mos harroni, unë gjithmonë rri aty, te rranjët e kunorat e Bjeshkës.
Te themelet e shpive e kullave tueja.
Në Përtejkohë e në Antikë.
Jo veç trimninë, po edhe urtinë na e la
si nji Tejlibër të Shêjtë nëpër kohë. Të Tejetshêjtë.
Tha Lekë Dukagjini,
Kur erdhi për të dytën herë në mes të fiseve fisnike,
Në mesin e mbas-arbënorëve:
Nuk paska mocanikë me mue. Emën paskeni ndërrue:
Del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit,
Mos të jétë i tutun prej kërcënimit të ndokuej.
Tash e keni Kohën për me dalë prej jush Njeriu i Shpirtnuem.
Shpirt për shpirt, sè duken e falë Zoti.
Emnin të përtërimë e paskam në Ulpianë e në Bjeshkë.
Tha: pak po gjej te ju Fjalë me Shêj.
I paskeni harrue. Më duket se më keni harrue.
Pse po e shnjerëzoni vetveten?
Mos u duhet edhe nji Kanun Kundër Shnjerëzimit?
E ku keni ndëgjue që edhe Grueja me u futë në gjak?
Pse po i humbni Shêjat e Vetvetes?
Jeni bâ mos me e njoftë as veten.
U dashka edhe nji Nye për me iu bâ ledh krejt kanuneve të hueja.
Nga të huejtë merrnie Kavijen e Jetës e të Mêndjes.
Me punue me mend e urti brenda e jashta Átmes e shpijet.
E, me mendtë e shndoshta në krye,
Mos me e çue rrënimi e fika shpinë.
Tha:
Për mos me u shkretnue ma tepër me erna rane.
Po ua lâ Kanunin me Detyrimet e Lirisë, prej se mbáhet në mênd.
Kanunin e Konstandinit qysh me u ringjallë prej së dékuni me Besë.
Po e bâj gati edhe nji Kanun Tjetër.
Asht ma i rândi, ma i rândë se vdekja:
Kanuni i Faljes dhe i Lirimit nga të gjitha detyrimet.

0 comments:

Post a Comment