Wednesday, September 27, 2017

Sabit Abdyli: Proze me motiv nga lufta ne Kosove 1999:HAXHI

Në fillim granatuan fshatin nga larg. Banorët me fëmijë, që nuk kishin arritur as t’i veshin, kush me vetura, traktorë, kush në këmbë... Haxhi u del përpara: “Ku do shkoni! Këto granatime duhet të jenë të gabuara. Ju nuk keni asnjë faj. Ndaluni, ndaluni...! “. Sakaq Haxhi u gjet mes fqinjëve në ikje, dhe njerëzve me uniforma e me armë ngrehur. “- Ç’janë këto ndjekje, krisma në gra, fëmijë e pleq, që asnjë të keqe nuk i kanë bë kujt! Fqinj i kam. I njoh si paranë e kuqe. Turp, turp..!” “ - Largohu, qen bir qeni!” – Me një rafal krismash në ajër e paralajmëroi Haxhin, komandanti me dylbi të varura në qafë. Haxhi e njohu komandantin, kryeshefin e sigurimit shtetëror, Rajkon, vartës i të cilit kish qenë deri në fillim të luftës. Nuk u spraps. Vazhdoi kundërshtimin... “- Marshin tonë drejt fitores nuk e ndal dot as NATO, as ti, o bir kurve! ”, thirri komandanti dhe e uli tytën në lartësinë e gjoksit të Haxhit. Njerëzit me uniforma vunë maskat, zhveshën thikat dhe hynë në fshat. Vranë ata që kishin mbetur. U ngarkuan me gjësende të vlefshme, i vunë zjarrin shtëpive dhe u kthyen në strehët e kamufluara. Të vrarët nuk kishte kush t’i qante, e t’i varroste. Dikur në errësirën e natës erdhën katër jevgj me një qerre që tërhiqej prej kuajsh. I ngarkuan të masakruarit dhe morën urdhrin e komandantit Rajko, që të groposën në afërsi të tankut të kamufluar prej llamarine, po jo thellë, se të njëjtit do të zhvarrosen prapë për t’u varrosur diku tjetër. Galipi, sa vërejti trupin e Haxhit pa jetë, të bërë shoshë me plumba, u trand.
- “Po ky që ishte me shkijet, punoi për ta, rrahu e denoncoi shqiptarë, shkoi deri në Vojvodinë e Mal të Zi në protestat e Jogurt Revolucionit... I besoi propagandës së tyre. I dekoruar e lëvduar nga vetë vozhdi serb?! E tash ...! He! Mishtë më dridhej, kur kalonte trotuarit me jakne lëkure, këpucë të zeza me qafë, syza parapa të cilave nuk i shiheshin sytë, kokën lart... Pse e vranë!? Mos ndoshta gabimisht, Haxhi ishte me ta. Pse, pse?! “.
Ndërkohë u dëgjua alarmi që paralajmëronte rrezikun nga bombardimet e avionëve të NATO-s. Galipi me tre shokët u ngut për t’u fshehur në istikamet e ushtrisë, që me aq zell ishin në shërbim të saj.
- “Jo, u thanë, nuk kem vend për juve.” .
–“Po, ne me ju jemi, për lavdin e ushtrisë tuaj po punojmë.” Ngulën këmbë varrtarët.
-“Shkoni, sa nuk ju kem vra! Qartë!”
Të frikësuar nga kërcënimi, në ikje, së pari një vezullim ua verboi sytë dhe pastaj u dëgjua një zhurmë shurdhuese krejt afër tyre. “
–“Galipoo! “ - u dëgjua zëri i njërit prej shokëve, krejt i gjakosur.
-“Pasha babën tem, na qitën shkijet në pritë... edhe neve si Haxhimin... ! “
Kabash, 1999
Nga libri "Therrmija jete", Prishtine, 2017

0 comments:

Post a Comment