Thursday, September 28, 2017

Prend BUZHALA: MEHMET AKIF ERSOY


(POETI I SHQUAR TURK ME PREJARDHJE SHQIPTARE,
OSE PSE U THA QË ËSHTË “KUFR” NË TURQI TË JESH SHQIPTAR?)
E kam hasur shpesh emrin e Mehmet Akif Ersoy -t (1873 - 1936) qe disa dekada. I lindur në Stamboll, aty ku edhe vdiq, ai përmendet si një emër i dalluar në letërsinë turke, por për të cilin thuhej se me origjinë është shqiptar nga Kosova//
1.
Për të shkruhet se është hartues i himnit turk ("Isiklal marshi"), se është mendimtar i madh gjatë gjysmës së parë të shek XX. Shqip është botuar një vepër voluminoze (prej afro 700 faqesh) me titullin "Fletët" (Safahat: vepra poetike e plotë) që e përktheu shqip nga turqishtja Mithat Hoxha, botuar nga Logos -A, Shkup- Prishtinë, 2009. Në Kosovë me emrin e tij janë emërtuar një xhami (në vendlindjen e tij në komunën e Istogut) dhe një Kolegj që ka krijuar emër. Vërtet vepra e tij poetike meriton një lexim e interpretim korrekt, jashtë kufizimeve të tij ideologjike e kufizimeve të kohës, sado që aty i afishon idetë e tij pasislamiste, panturke apo orientale; te e fundit, edhe orientalizmi përbën njërën prej civilizimeve botërore që i ka vlerat e veta.
Sa herë kanë mbajtur fjalime për të në Kosovë, qoftë politikanë apo krijues që kanë shkruar për të me pretendime historiko-letrare, e kanë cilësuar si "veprimtar të shquar shqiptar", e shkrimtar i madh, por nuk e thonë se cila qenka veprimtaria e tij e shquar shqiptare. Nuk e pashë as e lexova asnjë germë se cila është ajo "veprimtari e shquar shqiptare"! madje nuk gjeta informacion ta ketë shkruar qoftë edhe një fjalë të vetme shqip! Dhe jemi në gjysmën e parë të shek XX:
Ndërkaq, në poezi, hasen vërtet vargje për gjendjen e Kosovës (më 1920) dhe me idhnim e zemërplasje i drejtohet kombit turk që është tejet indiferent për tragjedinë e Kosovës dhe përse nuk e ndihmon Kosovën:
"Po hë, ku është ai populli që sfidonte kombet,
Nuk pashë asnjërin, asnjërin në mejdan… e çuditshme..."
Por këtë e bën pasi i quan të marrë ata që ngritën dorë kundër Turqisë për pavarësi të Shqipërisë. Sado që botuesi këtë autor e vë ndër emrat e mëdhenj të kulturës e letërsisë shqiptare, si Naimi e Samiu, Hafiz Ali Uklçinaku, Hafiz Ali Korça etj, ai me asgjë nuk ka të bëjë me këta emra, për shkak se asnjë gemrë e tij nuk është e shkruar shqip dhe për faktin se emrat e sipërtheksuar kanë qenë shqiptarë të kulluar, atdhetarë, që i kanë dhënë shumë çëshjtjes shqiptare, që e kanë mbrojtur çështjen shqiptare dhe KANË QENË KRENARË QË JANË SHQIPTAR...
2.
Por a është krenar me të qenët shqiptar Mehmet Akif Ersoy?
Janë dy paraqitje në portale e në rrjetin social që të bëjnë të reflektosh pak më ndryshe.
Kështu, një autor me emrin Salih Mehmeti, te portali me emrin e Konicës, shkruan:
“Njëra nga rrugët e Prishtinës si dhe një rrjet i tërë shkollash në Kosovë dhe Shqipëri të financuara nga Turqia mbajnë emrin «Mehmet Akif Ersoy». Madje në Tiranë vitin e kaluar u mbajt edhe një simpozium kushtuar jetës së tij….
Po kush është në të vërtetë Mehmet Akif Ersoy?
Biri i një mësuesi medreseje nga fshati Shushicë i Pejës dhe i një nëne me origjinë uzbeke, Mehmet Akif Ersoy (1873 – 1936) ka qenë një prej aktivistëve dhe militantëve kryesor në mileun intelektual të Stambollit kur Perandoria Osmane po i ngryste vitet e saj të fundit. Poeti i ardhshëm kombëtar i Turqisë së re do të bënte emër me thirrjet e tij për ‘unitetin islamik’, një mesazh që përpiqej me kot të apelonte te popujt myslimanë të Perandorisë.”
Por më sinjifikativ është vlerësimi që jep ky autor:
“Në shkrimet e tij, Ersoy do të bënte thirrje pasionante kundër nacionalizmit shqiptar siç e dëshmojnë edhe këto radhë:
‘NUK E KUPTOJ SE SI, NË VEND TË BASHKIMIT NGA ISLAMI, IDEJA E SEPARATIZMIT HYRI NË MENDJEN TUAJ? A E FUTI DJALLI IDENË E NACIONALIZMIT NË MENDJEN TUAJ? NACIONALIZMI NUK ËSHTË ASGJË TJETËR POR NJË TËRMET QË DO TË RRËGJOJË DHE SHKATËRROJË UNITETIN ISLAMIK QË KA MBAJTUR BASHKË KAQ ETNICITETE E KOMBE TË NDRYSHME NGA NJËRA TJETRA. TË HARROHET KY REALITET ËSHTË NJË LAJTHIM I PËRJETSHËM. KOMBI OSMAN NUK MUND TË PËRPAROJË ME NACIONALIZMIN SHQIPTAR APO ATË ARAB’.
Por stigmat e Ersoy-t ndaj nacionalizmit shqiptar do të shkonin edhe më tej. Në vitin 1913, ai boton një poemë elegjiake të titulluar ‘Jam shqiptar’ por vargjet e saj sëmbojnë me urrejtje ndaj përpjekjes për pavarësi. Poema në fjalë drejtohej kundër Isa Boletinit dhe parisë së Kosovës që i nisën kryengritjet anti-osmane. Pasi vjell një diarre fjalësh kundër Isa Boletinit, Ersoy e quan nacionalizmin shqiptar ‘kufr’ (blasfemi), siç e dëshmojnë edhe vargjet:
«A NUK ISHTE POPULLI JUAJ ISLAMI
ÇKA ËSHTË KOMBI I JUAJ?
JU DUHET T’I KTHEHENI POPULLIT TUAJ
ÇKA ËSHTË SHQIPËRIA?
A KA VEND PËR TË NË SHERIAT?
TË ÇOSH PËRPARA NJË TJETËR GRUPI ËSHTË BLASFEMI».
3.
Po ashtu., në rrjetin social, në një video, shihen qartë fjalët e një qytetari që flet turqisht,. Që e pranon që është shqiptar. Por i cili shprehet se duhet mohuar origjina jonë, sepse të jesh shqiptar është “kufr” (blasfemi)!
Pyetje (për naivët): a heqin dorë nga emri e origjina e tyre, nga krenaria e tyre kombëtare gjermanët, turqit, amerikanët, arabët e të tjerët?

0 comments:

Post a Comment