Sunday, September 3, 2017

Ymer Nurka: PA TITULL


Mbahi ju burra zamani
Silleni si pashallarë,
Për shërbimin vetë sulltani 
U pagoi me herë të parë.
Veç që ju të rronit mirë
Shpiku norma, vuri ligje.
T'i gëzonit brez pas brezi
Ndere, tituj dhe ofiqe.
Veç që ju të rronit mirë
U dha prona, u dha toka.
Që mbi mbi zverk të shqiptarit
Të qëndronit si qiklopa.
Ju or ju, qëniet e para
Që u shitët u përshitët,
Ju fytyrat, aq të shplara
Si shushunja që s'u shqitët
Nuk punuat nga e mbara
Por shërbyet tek jezitët
Shqipes që ti zhdukej fara
Kombit ti shkurtonit ditët.
Edhe sot tek shoh pinjollët
Që ç'nuk bëjnë të nxjerrin ligjet
Të ringjallin tanzimatin
Bejlerllëkun dhe çifligjet
Nëpër skuta, nëpër vrima
Ja i nxorën dhe tapitë
Korrupsion hallish-verishe
Dite e natĕ e natë e ditë.
Të molepsur në një garë
Të pangopur, janë palë.
Dje nga geni tradhëtarë
Sot borgjeze e feudalë.
Le më le që s'patët vdekur
U vetëshpallët dhe heronj
Gjoja patriotë të thekur
Sa e shtitë vendin ndër thonj.
Pastaj pa e bërë të gjatë
Korruptuat kadilerët
Morët pronat me kamatë
Dhe i shitët tek të tjerët
Në yzmeqarë dhe argatë
Ju i kthyet gjithë të mjerët
Pastaj gjoja me trumbetë
Na premtoni perëndimin
Na kujtoni nga hiletë.
Bullafiq sulltan Selimin.
Si mendoni e si besoni
Kështu hyret në Europë?
Keni sy e nuk shikoni
S'kemi miq e s'kemi shokë
Ajo portë që (s)'dëshironi.
Domosdo hapet me kokë.
Feste e turkut prapë vjen rrotull
Dhe zakoni edhe feja
Në udhë të vjetra shkel ky popull
I premtohen udhë të reja
Katandisur në një turmë
Veremosur prej hashashit
Mjaft të heshtë e mos bëjë zhurmë
Nën tutelën e bimbashit
Të ketë kohë kope e murrmë
E hajdutit e qyrrashit.
Kohë kanë e nuk po nginjen
as nuk fryhen as pëlcasin
Fushat thahen, malet thinjen
Egërsirat ulurasin
Hahen brehen përmbi prenë
Qe e lodhur qëndron shtrirë
Të pafund e paskan ngenë
Këta lugatë e këta vampirë
Ja e mbushët xhepin tuaj
Deng me leķë e me valutë
Pastaj mbahi ndër të huaj
Për goxha të mëdhenj nga trutë
Blini tituj, shisni mend
Me leksione aq të kota.
Pasi ndritët këtë vend
Qani hallet që ka bota
Ah sa keq, sa keq prej zotit
Ra në kurthe shqiptaria
Eh ku vanë burrat e motit
Eh si rrodhi historia
Vetë e liga na zu pritë
Shfaqur si demokraci
Po do vijë do vijë njĕ ditë
Që të jepet llogari.
Për çka vodhët, për çka mblodhët
Për gjithë rrugët bërë ters
Në ankand gjithçka që hodhët
Larë me gjak e vënë me djersë
Drejtësia po vjen rrotull
Jo or jo ajo nuk vdes
Çka është vjedhur tek ky popull
Do të kthehet një mengjez.
Ndërsa ju sa të jeni gjallë
Do dalloi përmbi dhé
Me një vulë të zezë në ballë
Gjersa toka tu bëjë pleh.

0 comments:

Post a Comment