Sunday, September 3, 2017

Prend BUZHALA: MOHIMI I ARTIT TË SKULPTURËS

(Çaste shkrimi), 3
Që në ag të historisë, para religjioneve monoteiste, janë krijuar poezia, skulptura, kënga,përgjithësisht artet. Është krijuar kultura, janë vënë themelet e shkencave, themelet e rendeve shoqërore dhe të vetë lirisë.
1.
Mohimet ndaj tyre erdhën më vonë. Kësisoj, në emër të këtyre mohimeve totalitare dhe politike (përpos komunizmit kinez, bie fjala, në Azi ka edhe ideologji të tjera të ngjashme që veprojnë në emër të heqjes së idhujtarisë), NUK PRANOHET ARTI I SKULTPTURËS, dhe filluan shembjet e veprave skulpturore. Po qe se do të duhej të rrënohej gjithçka që ndodhi e u krijua në Epokën e Paganizmit, arti e kultura evropiane do të mbeteshin pa skulpturat e Apollonit apo pa skulpturat e Zeusit në Olimp, pa skulpturat antike në Koloseumin romak, pa Forumin Romak dhe pa instrumentet e lyrës muzikore antike apo pa freskat që paraqesin orkestra a kore muzikore. Do të mbeteshim pa tempujt antikë si trashëgimi, pa teatro, pa Harqe Triumfale, pa urat, ujësjellësit, viaduktet, kështjellat...
Shkatërrimi i një arti të lashtë sumer tremijë vjet para Krishtit (në Irakun e sotëm) e varfëron trashëgiminë botërore, e varfëron historinë e shpirtit krijues të gjeniut njerëzor. Dhe sado që veprat më të lashta të artit zakonisht kishin një qëllim fetar apo magjik; sado që në atë art paraqiteshin perënditë; nga njëra anë; ky art paraqiste dhe tema profane të dashurisë; apo tematika të tilla si vepra që paraqesin dëshirat për të sjellë pasuri. "Skulpturat përfaqësonin sundimtarët sumerë të gdhendura në gurë të fortë, paraqitnin fuqinë dhe dinjitetin e tyre. Arti i Evropës Perëndimore është rritur drejtpërdrejt nga tradita e botës së lashtë mesdhetare, veçanërisht arti i Greqisë së vjetër dhe Romës. Veçanërisht skulpturat u krijuan në këto qytetërime të lashta natyrore, ose natyrore, dhe janë të përqendruara në figurën njerëzore" (thuhet në një libër historie arti).
2.
Në koleksionet e arteve skulpturore aziatike, është zbuluar bukuria e e zakoneve e traditave të lashta, me ndikimet historike që ka ushtruar ky art në larushinë e gjerë të religjioneve, të sundimtarëve apo të ambienteve kulturore.
E përse, bie fjala, njerëzimin do ta privonim nga e drejta t'i shikojë skulpturat që paraqesin faraonët e lashtë egjiptas, mumiet egjiptase, sfinksat e lashtë apo sundimtarët e lashtë asiro-babilonas, figurat e drejtuesve budistë apo të ceremonialeve budiste? Dhe, në emër të Perëndisë, njeriut t'ia privojmë të drejtën për krijim artistik?!
Do t'u mohohej, në emër të shkatërrimit të një feje të lashtë "idhujtare", për ta sjellë "një fe të re" monotesite shkatërrimtare të shpirtit njerëzor?!
Sado që pati përplasje religjioze paganizëm-monoteitëm, në Evropë u ruajt me fanatizëm trashëgimia antike... ashtu sikundër dhe Egjipti i sotëm i ruan gjurmët e së djeshmes...
Tashmë është gjë e ditur që historia ka regjistruar fillimin e artit hindu dhe budist rreth 5000 vjet para Krishtit. Vetëm nëpërmes artit të skulpturës si dokument i lashtë, njihen gjerësisht religjionet e lashta, por skulpturat e tilla na japin dhe tematikën e stilit të jetës së tyre të brendshme, shpirtërore; me adhurimet ndaj tempujve e mureve të gravuara, të gdhendura së bashku me skulpturat prej guri.
3.
Por, të mos harrojmë: edhe në lashtësi, edhe sot, skulptura ka ruajtur qëllimin estetik, qëllimin e shprehjes artistike, si formë tredimensionale. Prandaj quhet skulpturë, pikërisht pse ka aspektin estetik. Në teorinë e saj thuhet se " kur aspektet funksionale dhe artistike janë të balancuara, ne e quajmë atë një skulpturë funksionale." Edhe vetë skulptori, edhe shikuesi i rëndomtë, kur ndalon para një skulpture, ai së pari e shijon atë si art, i përjeton anën vizuale dhe ritmet taktile (me anë të prekjes), i përjeton hapësirat ku është vendosur ajo, me sipërfaqen, dritën, hijen, ngjyrat...
Dhe të mos shkojmë më tej tek skulpturat abstrakte, se si ato sot në botën moderne krijohen e përjetohen...
Dhe njeriu i djeshëm, si ky i sotmi, vepron, mediton dhe krijon gjithçka për hir të së bukurës, por edhe për hir të vetvetes...
Gdhendje skulpturore kanë edhe Mrekullitë e Azisë: terasat e fushave të orizit në Filipine, objekti i Taxh Mahall në Indi, kompleksi gjigant i tempujve në Kamboxhë, zbukurimet skulpturore të Pallatit Potal në Tibet, tempulli piramidal në Borobodur të Indonezisë, Luftëtarët e Hijeve apo Luftëtarët e Rërës të punuara nga terrakota (tetë mijë skulptura) në Kinë, Qyteti i Ndaluar në Kinë, kompleksi i pagodave dhe tempujve në Bagan të Myanmar-it (Burma) etj.
4.
Tashmë jemi dëshmitarë lajmesh se si monumentet historike rrënohen çdo ditë nëpërmes minimit apo buldozerëve, fshijnë nga faqja e dheut varret dhe shenjtorët e lashtë, kështjellat historike shkatërrohen, si ka ndodhë në Arabi. Mohohet edhe fotografia, imazhi, filmi... në emër të "lutjes", por ato shfrytëzohen për propagandë, kur është nevoja... e kështu, me seleksionim, edhe në Kinën komuniste.
Një refleksion i tillë MOHUES totalitar, u shfaq edhe në ngjarjet e fundit ndër ne: faj na paska skulptura "idhujtare" kur lutemi!
Arkeologët modernë nga guri lexojnë të kaluarën, lashtësinë, qytetërimin dikurshëm dhe për secilin eksponat të tillë, bota moderne për ta ndërton një “tempull” të veçantë që quhet Muze, Muze Arkeologjik. Kurse Urat e Gurit ruhen gjithandej si objekte të Kujtesës Historike e të trashëgimisë materiale, ashtu sikundër ruhen kështjellat, kalatë dhe kullat, tempujt e moçëm dhe objektet e lashta. Nëpër hapësirat e artit e të kulturës, ekspozohen gurët e shtrenjtë, unaza me gurët e çmuar smerald dhe karneol...
Guri, pra, ka tempullin e tij, muzeun e tij, historinë e tij, artin e këndimit...

0 comments:

Post a Comment