Monday, September 11, 2017

Zija Çela: SI SHPREHEN PESË PERSONALITETE


(Mbi romanin “Ora e Zooparkut”)
Ali Aliu: Çështë kjo orë e Zooparkut? Po të qëndrojmë këtu, imagjinata e shtyn dhe më tej kërshërinë e lexuesit. Mos bëhet fjalë për një orë leksioni politik, leksioni historik, një orë leksioni patriotik apo leksioni moral? Por mund të jetë edhe ftesë për një orë para skenës së një teatri. Dhe, përsëri, na shkon ndërmend teatri politk, teatri komik, dramatik, tragjik... ose mund të jetë një nga orët e lexuesit, orët e ditës dhe të jetës, ku ndërthuren realja me imagjinaren.
Nga tërë tabloja Zija Çela krijon një metaforë të përsosur, përmes se cilës realitetin e sotëm e vendos edhe në kopshtin zoologjik, ku njeriu dhe shtazët shkëmbejnë maskat (rolet) me njëri-tjetrin nëpër kafaze. Le ta gjejë pastaj vetë lexuesi, ky “bashkautor” kult në romanet e Zija Çelës, se përse në vend të vrasë luanin, i cili e copëton vizitorin që e ka sfiduar duke i hyrë në kafaz, rojtari i parkut tonë vret njeriun... Është një roman me shumë kapituj që qëndrojnë si medalione narrative refleksive të përsosura, mbase të pashembullta në prozën bashkëkohore shqipe; një roman i hapur, i pakufi dhe pa pretendimin për një domethënie të vetme, pra të mbyllur në fund. Është rrëfim romanor që ka jo vetëm një të vërtetë sovrane, por edhe shumë të vërteta reale me kundërthënëset e tyre, duke e relativizuar shpesh njëra-tjetrën.
Me pak fjalë, “Ora e Zooparkut” është një roman që nxit tundime medituese për sferat më të qenësishme të ekzistencës dhe që, do të thosha, është privilegj që lexuesi ka në dorë një kryevepër të tillë.
Lazër Stani: Nga leximi i romanit lexuesi bindet se sa mirë di Zija Çela ta bëjë atë dallim të fateve njerëzore, se sa shumë hollësi, veçori e detaje jep, se sa sy të mprehtë ka e sa thellë shikon në jetën dhe psikën e secilit individ, femra e meshkuj, që përbëjnë galerinë e personazheve të romanit. Shkrimtari, edhe pse vështron errshëm, arrin të shohë qartë e kthjellët pikërisht atje, në bodrumet e lagështa e të pandriçuara të shoqërisë dhe të shpirtit të njeriut.
Faktues, analitik, i thellë, depërtues, me një gjuhë të gjallë e të begatë, me fjali të stilizuara që të kujtojnë zellin e poetëve të mëdhenj, “Ora e Zooparkut” vjen si një roman i ri, jo vetëm për ne si lexues, por edhe për vetë shkrimtarin Zija Çela. Pas shumë krijimesh të suksesshme, që e kanë renditur me kohë emrin e tij në elitën e letërsisë shqipe, me “Orën e Zooparkut” shkrimtari dëshmon talentin e tij unik, potencialin e pashtershëm krijues, fuqinë e imagjinatës dhe mjeshtërinë e shkrimit, por dëshmon njëkohësisht edhe bukurinë, pasurinë, magjinë, shprehshmërinë, thesarin e pashtershëm të gjuhës shqipe, që në këtë vepër fiton plotninë e saj hyjnore, çka e rendit padyshim autorin krahas mjeshtrave më të mëdhenj të lëvrimit të shqipes si Fishta dhe Konica, Noli dhe Kuteli, Poradeci dhe Koliqi.
Lindita Tahiri: Ashtu si veprimtaria e Ismail Kadaresë, që e ka mundësuar lirinë e mendimit në kohën e diktaturës më të egër, proza e Zija Çelës e ushqen kreativitetin e leximit në epokën e sotme të kulturës së popullarizuar të konsumit, ndoshta duke vërtetuar kështu faktin se letërsia ka qenë tradicionalisht mjeti më efikas i shqiptarëve për t’u rezistuar ideologjive totalitare, çfarëdo qofshin ato. Me veprën e tij, Zija Çela arrin të krijojë një autoritet të ri, atë të lexuesit, duke iu kundërvënë jo vetëm dogmës së realizmit socialist, që synonte të parandalonte çdo shkëndijë të mendimit kritik te lexuesi, por duke u shkëputur edhe nga realizmi komercial, që e shndërron në konsumator pasiv lexuesin. Një përqasje e këtillë e autorit i shkon për shtat edhe raportit modern të lexuesit me letërsinë.
Mehmet Kraja: Romani “Ora e Zooparkut” i Zija Çelës vjen në kohën e pjekurisë më të madhe letrare dhe artistike të autorit. Ai bëhet njëkohësisht dëshmi e niveleve të reja të letërsisë shqipe, e cila tashmë ka arritur ta tejkalojë fazën e tranzicionit me shkrimtarët e saj më të mirë dhe me vepra që prodhojnë stabilitet letrar e kulturor. “Ora e Zooparkut” është shkrim i pastër letrar, monument artistik i ngritur me gjuhë dhe stil shembullor, me vizione të aktualitetit dhe një sintezë autoriale të përvojës së shkrimit. Me këtë roman të Zija Çelës proza jonë arrin të bëhet prozë e gjithpërfshirjes artistike, e transformimeve të mëdha narrative dhe e bashkëkohësimit subjektor, e qëndrueshmërisë artistike dhe depërtimeve të reja në fushën e ideve, në fushën e shprehjes artistike dhe të kultivimit të gjuhës.
“Ora e Zooparkut” është roman bashëkohor në kuptimin më të mirë të fjalës. Është arritje e shkëlqyer e prozës shqipe.
Rudolf Marku: Me gjithë individualitetin e spikatur, nuk ndalet Zija Çela në kërkimet e tij. “Ora e Zooparkut”, romani më i fundit, është një vepër tjetër e shkëlqyer, madje duke ardhur me zhvillime të reja autoriale. Të ngjan sikur kjo ngjeshje, ky surpres narrativ, gjuhësor dhe emocional kanë një burim të përbashkët. Mund të hamendësoj se autori është ndodhur në një gjendje tjetërsoj, më të zymtë, më të trishtë, në një nga ato gjendjet e trishtim-kllapisë që e afrojnë njeriun me të Vërtetën e thelbit dhe me krijimtarinë e madhe. Një rrëfim në vetën e parë, ashpërsisht realist, me trajektore gjithë zigzage kohore e hapësinore, por ku retrospektivat duken iluzionisht si vazhdim linear i rrëfimit.
Romani “Ora e Zooparkut” është thellësisht modern, pa synuar që të jetë i tillë. Dhe ky është moderniteti i vërtetë.
Shënim: Zija Çela u shpreh mirënjohje të thellë këtyre personaliteteve të shquara të Letrave shqipe. E di se miqtë gëzojnë, e di se për romanin do të më urojnë. Po sa mirë është që edhe ta lexojnë!

0 comments:

Post a Comment