Monday, August 14, 2017

Prend BUZHALA: GJAKU I DASHURISË


(Tregim me pak fjalë, për thertoren dhe dyqanin e luleve), 14
Nuk e kishte të qartë: a po punonte në një fabrikë mishngrënëse, apo në një thertore. E rëndësishme për të ishte që ta siguronte pagën për familjen e tij të varfër.
Dymijë krerë lopësh e bagëtish, përnjëherësh, i therën mbrëmë. Kompleksi i thikave, i thikave me rrotëza, nuk pushonte me ritmin e saj, si një ritëm funebër. Mandej më tutje, me një ritëm të përshpejtuar, punonin komplekset tjera të thikave, të thikave të grirjes.
Përhumbje.
I dukej sikur dëgjonte një zë. Një zë të ngrohtë vajze.
Në të vërtetë, vajza punonte në Dyqanin e Luleve, i ngritur sipër fabrikës (kjo fabrikë e tëra ishte një ngrehinë e nëndheshme, nën atë dyqan). Dhe, të shumtën e kohës, shitësja e luleve këndonte nën zë. Kur nuk këndonte, e lëshonte një muzikë të lehtë nga telefoni i saj...
- Ruaju, se po ta rrëmben dorën ajo kama që i pret kofshët. E sheh si ngrihet thikë përpjetë? - ia tërhoqi vërejtjen punëtori që e kishte afër. Kjo edhe ndodhi: maja e kamës e preku pak dorën e tij. Një curril gjaku rrodhi drejt e në kanal, duke u përzier me gjakun e kafshëve të therura.
Prapë përhumbje.
I duhej t'i vinte në përdorim enët që e derdhin gjakun nëpër kanalet speciale...
Kolonat e njerëzve ndaheshin më dysh: të parat ndalonin te dyqani për të blerë lule, nën zërin melodik të vajzës, të tjerat kolona zbrisnin poshtë, nëpërmes shkallëve elektronike, të blinin në dyqanet e thertores llojet e mishrave.
Kur doli në korridor, i ra në sy një burrë, i cili në shportën e tij kishte lule dhe mish. Iu duk sikur në shportë ajgëtoi dhe pak pika gjak...
Pika e Gjakut kishte arritur deri te dyqani i luleve .
Ai nuk i rrëfeu askujt për gjakun e tij të dashurisë...

0 comments:

Post a Comment