Ende pa vajtur ora e zakonshme, e bija u kthye në shtëpi me një çehre të keqe në fytyrë. Befas, shpërtheu në dënesje. Odeta i tha së ëmës se shefi i madh i firmës ku punonte si sekratare, e kishte përdhunuar. Më e çuditshmja ishte se, ndërsa vazhdonte të qante, vajza pranoi se shefi as e kishte mashtruar dhe as kishte përdorur forcë. E ëma u tërbua, i dha një shuplakë turinjve dhe u sul në rezidencën e firmës.
Atje hyri në zyrën e zotit Floti.
- Me atë që i punove, - iu drejtua atij, - si t’ia bëjë tani ime bijë?
- Kjo është puna e saj, - ia ktheu ai.
- Po me një damkë të tillë, një vajzë e re ngelet pa u martuar, - tha ajo. - E si t’ia bëj unë tani?
- Kjo është punë për ty, - u përgjigj ai.
- Po ti, - ngulmoi prapë ajo, - ke më sy e faqe të dalësh në publik?
- Kjo është punë për mua, - s’u mposht përsëri shefi i madh.
Nëna e Odetës, ende e bukur sa e bija, u tërbua edhe më tepër. Në orën tre, kur shefi dihej se bënte një pushim, u vesh, u lye me merak, hodhi çantën në sup dhe trokiti në shtëpinë e tij. Doli një grua.
- Aty është zoti Floti?
- Po, - foli zonja.
- I thoni të dalë pak, se kam një punë.
Zonja kishte pritur që tjetra të prezantohej dhe, kështu, të përfitonte lejen për ta takuar brenda, prandaj pyeti:
- Ç’punë?
- Dua ta vras, - tha gruaja.
Zonja vuri buzën në gaz dhe u tërhoq, duke e lënë derën gjysmë të hapur. Ndërkaq, nëna e Odetës kuptoi se çfarë gabimi trashanik kishte bërë, nuk ishte përmbajtur nga gjaknxehtësia dhe as shpresonte më që shefi të dilte. Mirëpo pikërisht në ato çaste, pa se zoti Floti po afrohej përmes korridorit. Ai po fshinte buzët me picetë, sepse kishte qenë duke ngrënë drekë. Nëna e Odetës pati kohë ta nxirrte revolverin nga çanta dhe t’ia numëronte mu në prag.
Kur e mori vesh e bija, ulëriti e habitur: “E pabesueshme, të gjitha gratë vrasin natën, kurse nëna ime ditën për diell!”
Hetimet nxorën se nuk kishte qenë përdhunim, por një marrëdhënie seksuale e vullnetshme dhe se, sipas pohimeve të vajzës, zoti Floti po kalonte një fazë të vështirë (kam një arsye, i kishte thënë asaj): ai po përpiqej t’ia gjente anën së shoqes për t’i kërkuar divorcin dhe për t’u martuar me sekretaren e tij.
Nëna e Odetës pranoi në gjyq se, megjithatë, zoti Floti kishte treguar klasin e vet si burrë: “Ai e mori vesh se do ta vrisja dhe doli. Po të kishte qenë ndonjë fundërrinë, do të kërkonte vrimën e miut!” Kurse bashkëshortja e të ndjerit, e cila kishte hapur derën, tha se ato fjalët paralajmëruese i kishte marrë me të qeshur dhe, në vend t’ia përcillte kërcënimin burrit, kishte bërë me të një shaka: “Dil se të ka ardhur e dashura në derë!”
Mbasi ia mbajti zinë për disa kohë, kur vejusha u martua me një biznesmen tjetër, një mik të ish-burrit, pati zëra se sjellja e saj e atëhershme, ndoshta-ndoshta, nuk kishte qenë as tamam shaka, as tamam xhelozi, por një kurth që ia kishte sjellë rasti dhe që ajo e shfrytëzoi për ta hequr qafe të shoqin në atë mënyrë, që të mund të trashëgonte edhe gjithë pasurinë.
Tashmë, në mjediset e burgut, nëna e Odetës ndihej shumë më ndryshe se në qeli, kur e kishin stërmunduar me seancat e gjata hetimore. Në burg një gjë i la me të vërtetë përshtypje. Thuajse të gjitha femrat që ishin dënuar për një faj si ajo, vrasjet e burrave të tyre apo të burrave të botës i kishin kryer natën. Dhe kjo ishte e vetmja pikë, ku i jepte të drejtë së bijës për atë habinë që kishte shprehur në fillim. “Por, të thuash të drejtën, kjo ka të bëjë me klasin e femrës”, murmuriste me vete Dhe përsëri i kujtoheshin seancat stërmunduese. Një ditë hetuesi i tha:
- Jot bijë kishte në mend që, po atë mbrëmje, të t’i tregonte të gjitha. Odetës i vinte zor që ta zbulonte menjëherë planin e fshehtë.
- Kjo është puna e saj, - u përgjigj ajo.
- Po Odeta e dinte se edhe ti ke pasur dikur marrëdhënie me zotin Floti, - i kujtoi hetuesi.
- Kjo është punë për mua, - tha ajo.
- Por s’është aq e thjeshtë, - ngulmoi prapë hetuesi, - ndodhemi para një vrasjeje dhe krimit duhet t’i vëmë një emër.
- Kjo është punë për ju, - s’u mposht gjithsesi nëna e Odetës.

0 comments:
Post a Comment